Sonte zhvillohen ndeshjet e parafundit në grupe në Champions League. Sfidat me forta të mbrëmjes do të jenë në Gjermani dhe në Zvicër. Grupi F, ose sikur njihet ndryshe grupi i ‘ferrit’ dhuron sfida shumë të forta. Arsenali është thuajse i kualifikuar për në fazën tjetër, por fitorja me Marsejën do të hipotekonte gjithcka.

Tre pikët janë mëse të mundshme për ekipin e Venger, pasi ekipin francez e kanë mundur edhe në shtëpi. Arsenali këtë edicion është një superfuqi jo vetëm në Angli, por edhe në Evropë, pasi ka treguar një formë të jashtëzakonshme. Sfida më e fortë dhe përcaktuese do të jetë mes Dortmundit dhe Napolit, e cila do të vendosë së kush do të largohet nga Champions.

Napoli ndodhet në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Dortmundi ka 6 pikë, pasi ka marrë 2 humbje dhe dy fitore, një tjetër rezultat negativ do ta eliminonte. Napoli nuk do të mund të llogarisë shërbimet e Marek Hamsik për ndeshjen e madhe të Ligës së Kampionëve përballë Borussia Dortmund. Napoli është i dyti në grupin F të Ligës së Kampionëve, me pikë të barabarta me Arsenalin dhe tre pikë me Borussia Dortmundin do ta kualifikonin.

Kjo do të thotë se një fitore ose barazim në ndeshjen e të martës do t’ua sigurojë italianëve pjesëmarrjen në fazën e ardhshme eliminatore. Sfidë e fortë është edhe ajo në Zvicër mes BAselit dhe Çelsit, londinezët udhëheqin grupin, të ndjekur nga Shalke dhe Basel.

Zviceranëve u duhet me cdo kusht fitorja për të shpresuar për t’u kualifikuar më tej. Gjigandët e futbollit botëror, Milan dhe Barcelona kanë ndeshje të lehta në letër, përkatësisht katalanasit udhëtojnë në Holandë për t’u ndeshur me Ajaksin, ndërsa Celtic pret italianët që duhet të fitojnë në një fushë të vështirë për të mos ndërlikuar kualifikimin në vendin e dytë.

Milani ndodhet në një moment mjaft  të vështirë, ndoshta më të vështirin që nga koha e themelimit, pasi në kampionat po vuan shumë nga java në javë duke marrë shumë rezultate negative, ndërsa në Champions dy ndeshjet e fundit janë mjaft përcaktuese.