Për Milanin sonte do të jetë mundësia e fundit për të shpresur te kalimi i fazës së grupeve në Champions League. ‘Djalli’, që udhëheq Seria A, në tre ndeshjet e para ka vetëm humbje dhe kundër Portos në San Siro çdo rezultat tjetër përveç fitores do ta nxirrte matematikisht nga gara. Në takimin që do të luhet në orën 18:45 skuadrës së Piolit do t’i mungojë Rebic, Maignan, Bakayoko, Florenzi dhe Castellijo që gjithsesi nuk është i përfshirë në listën e Championsit. Sfida e parë në Portugali u fitua nga Porto 1-0, ndërsa përballja tjetër e B është edhe supersfida e mbrëmjes mes Liverpool dhe Atletico Madrid. Anglezët janë me pikë të plota pas 3 ndeshjeve të para, ndërsa spanjollët e Simeone-s deri më tani kanë grumbulluar 4 pikë.
Nëse Milan do ketë përballjen e jetës jo më pak e rëndësishme do jetë edhe për Interin në grupin D. Pas fitores në San Siro zikaltërit kanë udhëtuar në Moldavi për t’u ndeshur sonte në orën 21:00 me surprizën Sherif Tiraspol, që në 3 ndeshje ka 6 pikë. Nëse zikaltërit nuk arrijnë të fitojnë atëherë shanset për të kaluar grupin komplikohen ndjeshëm. Ndeshja tjetër e këtij grupi do jetë në Bernabeu mes Real Madrid dhe Shkahtar. ‘Galaktikët’ e Ancelotti-t ndajnë vendin e parë me Sherifin dhe një fitore sot në orën 18:45 do vlente për të vendosur diktatin në grup.
Në grupin A Paris SG, që deri më tani ka 7 pikë, udhëton në transfertën gjermane për t’u përballur me Leipzig, ndërsa sfida tjetër diskutohet në Angli mes Manchester City-t dhe Club Brugge.
Ndërkohë në grupin C Dortmund i vendit të dytë kërkon të hakmarret ndaj Ajax-it kryesues, që dy javë më parë e turpëroi 4-0 në Holandë. Sakaq në Portugali Sportingu do të presë Besiktas, një sfidë që do të tregoi nëse do ketë luftë për vendin e dytë apo jo.