Champions League zhvilloi të martën katët ndeshjet e para të aktit të parë të fazës play-off për fazën me eliminim direkt. Në orën 18:45 Juventusi u turpërua 5-2 nga Galatasaray në Stamboll, ndërsa Real Madridi mori një fitore të vuajtur kundër Benficës në Portugali. PSG fitoi me përmbysje kundër Monacos në derbin e Francës, teksa Dortmundi fitoi pastër 2-0 kundër Atalantës. Ndeshjet e kthimit mes këtyre çifteve do zhvillohen më 25 shkurt.

'Rams Park' i Stambollit u khye në një 'ferr' për Juventusin, pasi 'Zonja e Vjetër' u turpërua 5-2 nga vendasit e Galatasaray. Kjo ishte hera e parë që Juventusi pësonte pesë gola në Champions League, pasi më herët kishte humbur 0-7 kundër Wiener SC në Kupën e Evropës në sezonin 1958-59. Turqit kaluan të parët në epërsi me Gabriel Sara pas 15 minutash lojë, por Juvja përmbysi me dopietën e Koopmeiners brenda pjesës së parë. Juve pa 'ferrin' në pjesën e dytë pasi Galatasaray përmbysi me dopietën e Lang dhe golat e Sanchez e Boey. Juvja e mbylli me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Cabal. Juves i janë rikthyer ditët e makthit që përjetoi më 11dhjetor 2013 në Stamboll, kur Galatasaray e eliminonte nga Champions Legaue pas një ndeshje që u luajt në dy ditë.

Në Portugali vendasit e Benficas u mposhtën 0-1 nga Real Madridi. Fitorja për 'Galaktikët' u vendos nga supergoli i Vinicius Junior në minutën e 51-të, por pas këtij momenti në fushë pati një sherr masiv. Vinicius protestoi te arbitri me pretendimin se futbollisti i Benficas, Prestianni, e kishte sharë në baza racore, çka solli një ndalje të lojës nga braziliani dhe shumë të bërtitura e kaos. Të dy u ndëshkuan me karton të verdhë, ndërsa në fushë Benfica nuk mundi të barazonte shifrat, por trajneri i portugezëve, Jose Mourinho, u ndëshkua me dy karton të verdhë, për të lënë stolin në minutën e 85-të. Kjo është një 'hakmarrje' e Realit pas humbjes po kundër Benficas tre javë më parë.

Në 'Iduna Park' Dortmundi fitoi 2-0 kundër Atalantës në një ndeshje që nisi me 15 minuta vonesë pasi ekipi vendas kishte mbetur në trafik. Golat për gjermanët u shënuan nga Guirassy dhe Beier brenda pjesës së parë.

Në stadiumin 'Luigji II', vendasit e Monacos u mposhtën 2-3 nga kampionët në fuqi të Champions League, PSG-ja. Monaco shënoi dy gola me Balogun brenda 18 minutave lojë, por PSG përmbysi me dopietën e Doue dhe golin e Hakimit.    

Katër ndeshjet e kthimit mes këtyre çifteve do zhvillohen më 25 shkurt, ndërsa sot luhen katër ndeshjet e tjera play-off.

Champions League, faza play-off - ndeshjet e para:

E martë, 17 shkurt 2026

Galatasaray 5-2 Juventus

Benfica 0-1 Real Madrid

Dortmund 2-0 Atalanta

Monaco 2-3 PSG

E mërkurë, 18 shkurt 2026

18:45

Qarabag - Newcastle

21:00

Bodo/Glimt - Inter

Club Brugge - Atletico Madrid

Olympiacos - Bayer Leverkusen

*Ndeshjet e kthimit luhen më 24 dhe 25 shkurt

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:28
Sot Bodo/Glimt - Inter në Champions League, Chivu: As i ftohti dhe as fusha nuk janë justifikim

1771424962_cristianchivu.JPG

Trajneri i Inter, Cristian Chivu, doli në konferencë për shtyp në prag të përballjes së parë të play-off-it të Champions League kundër Bodo/Glimt (sot 21:00 në Norvegji), duke theksuar se skuadra e tij nuk duhet të kërkojë alibi.

Tekniku rumun refuzoi të ndalej sërish te çështja Alessandro Bastoni dhe skenat në ndeshjen e fituar 3-2 kundër Juventusit në fundjavë: “Nuk kam asgjë për të shtuar, kemi folur mjaftueshëm për këtë temë”.

Ai iu përgjigj edhe kritikave që erdhën pas qortimit publik ndaj Pierre Kalulu, si dhe komenteve të Luciano Spalletti: “Unë them atë që mendoj dhe nuk më intereson çfarë thonë të tjerët. Kritikat janë pjesë e kësaj loje, sidomos për ekipet që luftojnë për trofe”.

Chivu u ndal edhe te polemikat e fundit të arbitrimit: “Në Napoli pësuam një padrejtësi dhe askush nuk reagoi. Ne duhet të shohim përpara, sepse sezoni është i gjatë dhe duam të jemi konkurrues në çdo front”.

Duke analizuar sfidën në Norvegji, trajneri zikaltër ishte i qartë: “Nuk duhet të kërkojmë justifikime, as për fushën sintetike dhe as për temperaturat e ulëta. E dimë sa e vështirë është të luash këtu. Edhe Manchester City ka humbur në këtë stadium, ndërsa ata kanë vënë në vështirësi të gjithë kundërshtarët”.

Sa i përket mungesave, mesfushori Hakan Calhanoglu pritet të rikthehet javën e ardhshme pas një tendosjeje të lehtë muskulore, ndërsa Davide Frattesi ka mbetur në Milano për shkak të temperaturës.

Sot në orën 21:00 Bodo/Glimt pret Interin në të ftohtin nordik, ndërsa sfida pritet të jetë e 'luftuar' në çdo pjesë të fushës.