Champions League mbylli të mërkurën raundin e katërt në fazën e ligës. Në një mbrëmje plot emocione dhe luftë sportive, Pafos arriti një triumf historik në Champions, duke mposhtur në Qipro Villarrealin me rezultatin minimal 1-0. Ky sukses shënon fitoren e parë në histori të Pafos në këtë kompeticion prestigjioz, duke e çuar ekipin në kuotën e 5 pikëve në mes të renditjes.

Nga ana tjetër, Villarreal mbetet në krizë rezultatesh, me vetëm një pikë pas katër ndeshjeve. Goli i fitores erdhi në minutën e 47-të, kur Derrick Luckassen përfitoi nga një krosim perfekt nga goditja e këndit, u shkëput mbi mbrojtjen spanjolle dhe me një goditje të saktë me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën në tribuna dhe duke i dhënë avantazhin e çmuar skuadrës qipriote.

Chelsea nuk arriti të marrë më shumë se një barazim në udhëtim ndaj Qarabagut, duke përfunduar ndeshjen me rezultatin 2-2. Përballja në Azerbajxhan ofroi emocione, përmbysje dhe gola spektakolarë nga të dyja skuadrat.

Londinezët kaluan në epërsi me Estevaon (17’), i cili shfrytëzoi një asistim nga Andrey Santos, duke dërguar topin në rrjetë për 0-1. Megjithatë, Qarabag reagoi fuqishëm. Leandro Andrade (29’) barazoi shifrat pas një aksioni të rrjedhshëm në zonë, ndërsa Marko Jankovic (39’) ktheu në gol një penallti të akorduar pas prekjes me dorë të Jorrel Hato, duke e kaluar skuadrën vendase në avantazhin 2-1.

Në pjesën e dytë, Chelsea kërkoi me ngulm golin dhe e arriti atë në minutën e 53-të, kur Alejandro Garnacho reagoi shpejt ndaj një topi të kthyer brenda zonës dhe realizoi golin e barazimit 2-2.

Një ndeshje spektakolare me ritëm të lartë dhe plot emocione u zhvillua në Belgjikë, ku Club Brugge dhe Barcelona ndanë pikët pas një barazimi dramatik 3-3. Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e 6-të me Nicolo Tresoldi, por Barcelona reagoi shpejt me Ferran Torres që barazoi rezultatin vetëm dy minuta më vonë, pas një kombinimi të bukur me Fermin Lopez.

Club Brugge riktheu avantazhin në minutën e 17-të falë një kundërsulmi të shpejtë dhe golit të Carlos Forbs, duke kaluar në avantazh 2-1. Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat. Në pjesën e dytë, Barcelona u rikthye fuqishëm në lojë. Lamine Yamal shënoi në minutën e 61-të pas një pasimi perfekt nga Fermin Lopez, duke barazuar 2-2, ndërsa më vonë Eric Garcia goditi traversën.

Por, Carlos Forbs realizoi një gol të mrekullueshëm në minutën e 64-të, duke shënuar me një parabol mbi portierin Szczesny dhe rikthyer Club Brugge në avantazh 3-2. Drama u intensifikua në minutën e 71-të, kur Club Brugge u ndëshkua me penallti, por pas rishikimit me VAR, gjyqtari Anthony Taylor anuloi vendimin. Në minutën e 77-të, nën presionin e Barcelonës, Christos Tzolis devijoi pa dashje topin në rrjetën e tij, duke barazuar rezultatin në 3-3.

Në kohën shtesë, pas një gabimi të rëndë të portierit Szczesny, Romeo Vermant duket se shënoi golin e fitores për Club Brugge, por pas shqyrtimit me VAR, arbitri Taylor anuloi golin për shkak të një faulli në aksionin paraprak, duke lënë rezultatin 3-3 dhe shkaktuar zhgënjim të madh te vendasit që kundërshtuan vendimin pasi u ndjenë "të vjedhur".

Në "San Siro" Interi siguroi një fitore të rëndësishme duke mposhtur Kairat Almaty me rezultatin 2-1 në një ndeshje ku emocionet nuk munguan.

Skuadra e trajnerit Cristian Chivu e nisi ndeshjen në mënyrë dominuese dhe kaloi në epërsi në minutën e 45-të, kur Lautaro Martinez shënoi me një goditje të saktë pas një topi të kthyer nga mbrojtja, duke i dhënë Interit avantazhin 1-0 para pushimit. Në pjesën e dytë, Kairat u hodh në sulm dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 55-të me Ofri Arad. Reagimi i Interit ishte i menjëhershëm. Në minutën e 67-të, Carlos Augusto shënoi një supergol me një goditje nga jashtë zonës, duke dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë të portës dhe duke vulosur fitoren 2-1 për skuadrën italiane.

Manchester City vazhdoi marshimin duke mposhtur Borussia Dortmundin me rezultatin 4-1 në “Etihad Stadium”, në një ndeshje ku Phil Foden dhe Erling Haaland ishin protagonistët kryesorë me gola dhe asistime. Skuadra e City nisi furishëm takimin, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 23-të. Phil Foden mori një pasim të shkëlqyer nga Tijjani Reijnders dhe lëshoi një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, duke dërguar topin në rrjetë.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e 29-të, Jeremy Doku dërgoi një top në zonë, nga ku Erling Haaland nuk gaboi duke dyfishuar rezultatin në 2-0 ndaj ish-skuadrës së tij. Në pjesën e dytë, Manchester City vazhdoi dominimin në fushë dhe në minutën e 57-të Phil Foden realizoi sërish nga distanca. Dortmund arriti të shënojë golin e nderit në minutën e 72-të, kur Ualdemar Anton përfitoi nga një pasim i Julian Ryerson dhe shënoi për 3-1, por ishte tepër vonë për një rikthim. Për epilogun përfundimtar 4-1 u përkujdes Rayan Cherki i cili realizoi në minutën e 91-të.

Pas raundit të katërt në fazën e ligës, Champions League kryesohet nga Bayern Munich, Arsenal dhe Inter me 12 pikë të plota. Më pas ndjekin Man. City, PSG, Newcastle, Real Madrid dhe Liverpool.

Raundi i pestë në fazën e ligës do luhet mesjavën e 25 dhe 26 nëntorit.

Champions League, raundi 4-t:

E mërkurë, 05 nëntor 2025

18:45

Pafos 1-0 Villarreal

Qarabag 2-2 Chelsea

21:00

Ajax 0-3 Galatasaray

Benfica 0-1 Bayer Leverkusen

Club Brugge 3-3 Barcelona

Inter 2-1 Kairat Almaty

Manchester City 4-1 Borussia Dortmund

Marseille 0-1 Atalanta

Newcastle 2-0 Athletic Bilbao

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:47
Marco van Basten: Club Brugge u vodh, Barça s'e meritoi barazimin 3-3 (VIDEO)

Ish-futbollisti legjendar i Milanit dhe Holandës, Marco van Basten, kritikoi ashpër gjyqtarët për anulimin e golit të katërt të Club Brugge, i cili potencialisht do t'i kishte dhënë atyre tri pikë kundër Barcelonës në Champions League të mërkurën.

Ikona holandeze 'shpërtheu' i zemëruar pas ndeshjes, duke pretenduar se skuadra belge "u vodh" dhe duke këmbëngulur se sistemi VAR mori një vendim të gabuar.

“Club Brugge mund të themi se është vjedhur. Goli i 4-3 qëndronte. Askush nuk shkaktoi faull kundrejt Szczesnyt. Ai as që e preku. Vetë Szczesny bëri që ai kontakt të dukej si një faull, por në të vërtetë nuk kishte asgjë”, tha ish-sulmuesi holandez.

Në minutën 90+1', Romeo Vermant i Club Brugge rikuperoi një top dhe e dërgoi në rrjetë pasi portieri i Barçës, Szczesny, e tepëroi me mbajtjen e sferës në zonë, por për VAR ishte faull. Ndeshja përfundoi 3-3 duke bërë që Brugge mos merrte fitoren në një ndeshje spektakolare.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?