Champions League rikthehet këtë të martë për xhiron e tretë të fazës së grupeve, me disa ndeshje tejet emocionuese të skuadrave të madha. Milan, që është 7 herë fituesi i këtij kompeticioni, do të duhet të fitojë me patjetër kundër Portos në transfertë në rast se dëshiron të ketë ende shpresë për t’u kualifikuar.
Në Portugali do jetë jetë a vdekje, por Milani i Piolit ka një sërë mungesash. Kessie është me karton, ndërsa portieri Mike Maignan vijon të jetë i dëmtuar. Të njëjtin fat vuan edhe Florenzi me Ante Rebic, ndërsa Diaz dhe Theo Hernandes vijojnë të jenë me COVID. Përballja tjetër e këtij grupi mes Liverpool dhe Atletico Madrid në Angli është edhe supersfida e mbrëmjes.
Ndërkohë Milani nuk është skuadra e vetme e Milanos që kërkon të fitojë me patjetër. Inter gjithashtu e ka këtë detyrim, pasi në dy ndeshjet e para ka vetëm një pikë. Zikaltërit presin në San Siro skuadrën me të lehtë në letër të grupit, Sherif Tiraspol, por deri më tani kjo e fundit ka mposhtur Shakhtar dhe Real Madrid. Sakaq në Kiev ‘galaktikët’ do udhëtojnë për t’u përballur me Shakhtarin. As skuadra e Anchelotti-t nuk bën përjashtim nga fakti se 3 pikët janë tejet të rëndësishme, sidomos pas humbjes në shtëpi me Sherif.
Në grupin A Paris SG pasi mposhti Manchester City-n pret në Parc des Prince skuadrën e Leipzig. Pochetino ka me karton të kuq Di Marian, ndërsa Neymar është i dëmtuar. Pritet që Messi dhe Mbappe ta nisin nga minuta e parë. Ndeshja tjetër e grupit është Club Brugge dhe Manchester City-t. Një sfidë që nis në orën 18:45 dhe që duhet fituar nga skuadra e Guardiolës, për të lehtësuar punën e kalimit të grupit.
Në grupin C dy skuadrat favorite të grupit, Dortmund dhe Ajax, do të përballen sonte në Gjermani për të caktuar kokën. Si verhdezinjtë ashtu edhe holandezët janë me 6 pikë, ndërsa ndeshja tjetër e grupit është mes Besiktas dhe Sportingut që luhet në Turqi.