Mbrëmjen e të mërkurës u zhvilluan katër ndeshjet e fundit të kthimit të vlefshme për play-off-in e Champions League. Pas rezultateve në fushë, katër biletat e fundit për në fazën finale të turneut më të rëndësishëm për klube në Evropë i siguruan; AEK-u i Athinës, Slovan Bratislava, Fenerbahce dhe Viking. Kësisoj, është plotësuar panorama e plotë e 36 skuadrave që do të garojnë sezonin e ri në fazën e ligës së Champions League.
Në Athinë, AEK-u që kishte titullar Thomas Strakoshën dhe Stavro Pilon, fitoi 4-0 kundër bullgarëve të Levskit të Sofies. Jovic, dopieta e Varga dhe goli i Marin nga 11 metërshi bënë që grekët të jenë në elitën e futbollit evropian edhe me kontributin e dy futbollistëve të Kombëtares.
Ndeshje e luftuar në Francë, me vendasit e Lyon që u mposhtën 1-2 nga Fenerbahce. Me rezultatin e përgjithshëm 2-3 ekipi turk merr një biletë për më tej. Serinë e golave për miqtë e hapi Vedat Muriqi në minutën e 24-t, për të vijuar më pas me Brown. Goli i Fofana në pjesën e dytë për Lyon vetëm sa e bëri sfidën më të zjarrtë, por kualifikimi i buzëqeshi Fenerbahces që këtë sezon ka një ekip shumë të fortë me emra si: Ederson, Ake, Skriniar, Kante, Guendouzi, Talisca, Greenwood, Muriqi apo Lukaku. Pas 17 vitesh Fenerbahce sheh fazën finale të Champions.
Në Stavanger, norvegjezët e Viking fituan 3-1 kundër Dinamos së Zagrebit dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-3 shkruan historinë duke marrë një biletë për në fazën e ligës së Champions. Sulmuesi i Kombëtares, Arbër Hoxha shënoi për kroatët pas dhjetë minutash lojë, por vendasit përmbysën me penalltinë e Tripic dhe golat e Austbo e Sene Saliou Moi.
Historike për Slovan Bratislavën, ekipi sllovak me Yaya Toure në stol fitoi 1-2 pas 120 minutave lojë kundër Celjes në Slloveni dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-3 kalon më tej.
Sot në orën 18:00 në Monaco do të mbahet shorti për të mësuar përballjet në fazën e ligës, me secilën nga 36 ekipet që do të luajë 8 ndeshje kundër rivalëve të ndryshëm, 4 në shtëpi dhe 4 jashtë fushe. Ky do të jetë edicioni i tretë kur Champions League aplikon formulën e re me 36 skuadra dhe vetëm një renditje.
Tetë skuadrat e para në renditje do të kualifikohen direkt në 1/8-at, ndërsa ekipet nga vendi i 9 deri në të 24-tin do të luajnë në play-off për një vend në fazën me eliminim direkt. Skuadrat nga vendi i 25-të e deri në të 36-in eliminohen nga gara.
Më poshtë 36 skuadrat që do marrin pjesë këtë sezon në fazën e ligës së Champions dhe ndarja në vazo:

Champions League do ta fillojë fazën e ligës për edicionin e ri në shtator, ndërsa janë mësuar edhe 36 skuadrat që do të garojnë për më tej. Me merkaton që është ende e hapur, deri në këto momente janë shtatë futbollistë shqiptarë që do jenë pjesë e fazës finale.
Futbollistët e Kombëtares, Thomas Strakosha dhe Stavro Pilo ndihmuan AEK-un të kualifikohej dhe tanimë do kërkojnë të bëjnë mirë në Evropë. Amir Rrahmani me Napolin dhe Vedat Muriqi me Fenerbahcen gjithashtu do të jenë pjesë e fazës së ligës.
Arijon Ibrahimovic vijon të jetë pjesë e Bayern Munich dhe nëse nuk huazohet deri në fundin e gushtit, atëherë do të jetë pjesë e Champions League. Në Norvegji, me Vikingun, do të jetë Veton Berisha, vëllai i Valon Berishës, ndërsa te LASK-u i Linzit (Austri) luan mesfushori Art Smakaj.
Fenerbahce fitoi 1-2 në fushën e Lyon dhe mori të drejtën për të kaluar në fazën e ligës së Champions League. Ndeshja e të mërkurës nuk u mbyll qetë, pasi në fund pati një përleshje masive mes futbollistëve në fushë dhe në hyrje të dhomave të zhveshjes.
Protagonisti kryesor ishte Matteo Guendouzi i Fenerbahces. Gjatë dy golave të turqve ai është kapur me tifozët e Lyon, duke u treguar atyre edhe gjenitalet. Në fund të ndeshjes mesfushori vijoi me festën, çka u mor si provokim nga lojtarët dhe tifozët e Lyon.
Në momentin që Guendouzi po futej në dhomat e zhveshjes, një tifoz i shpëtoi sigurisë dhe u fut në fushë gati për të dhunuar futbollistin. Në sherrin masiv të ndodhur më pas u përfshinë të dyja skuadrat, ndërsa për shumë minuta gjithçka i ngjante një kaosi.
Guendouzi sqaroi pas ndeshjes se gjatë gjithë ndeshjes ai ishte ofenduar nga familja dhe as raportimi i tij te arbitri nuk solli një ndërprerje të ndeshjes, çka e kishte shtyrë për të bërë atë sjellje në fushë. UEFA pritet ta bëjë shembull mesfushorin francez të Fenerbahces.
Ndërkohë, gjatë përleshjes, shqiptari Vedat Muriqi u tregua 'i akullt' dhe ruajti qetësinë.
Këtë të enjte në Monaco duke nisur nga ora 18:00 do të mbahet shorti i fazës së ligës për sezonin 2026-27 në Champions League, kompeticionit më të vlefshëm për klube në Evropë.
Të mërkurën u ndanë katër biletat e fundit për këtë turne, ndërsa është mësuar panorama e plotë e 36 skuadrave të kualifikuara dhe ndarja e tyre në katër vazo. Në secilën vazo do të jenë nëntë skuadra, teksa ndarja është sipas koeficientëve të secilës skuadër dhe rezultatet e tyre në historinë e garave evropiane.
Për të tretin vit radhazi, Champions League do të garojë në fazën e ligës me formatin e ri, 36 skuadra dhe një renditje e përgjithshme. Secila nga 36 ekipet do të luajë 8 ndeshje kundër rivalëve të ndryshëm, 4 në shtëpi dhe 4 jashtë fushe. Ekipet nga i njëjti vend nuk mund të përballen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën në këtë fazë dhe çdo klub mund të përballet me një maksimum prej dy kundërshtarësh nga e njëjta shoqatë kombëtare.
Risia - Rregulloret e UEFA-s ndalojnë që e njëjta ndeshje të luhet për tre sezone radhazi. Prandaj, në fazën e ligës nuk do të ketë një ndeshje tjetër Inter - Arsenal në 'San Siro', megjithëse ndeshja mund të përsëritet në Londër; dhe as nuk do të ketë një ndeshje tjetër Liverpool - Real Madrid në 'Anfield'.
Tetë skuadrat e para në renditje do të kualifikohen direkt në 1/8-at, ndërsa ekipet nga vendi i 9 deri në të 24-tin do të luajnë në play-off për një vend në fazën me eliminim direkt. Skuadrat nga vendi i 25-të e deri në të 36-in eliminohen nga gara.
Shorti - Ndeshjet do të përcaktohen nga 'superkompjuteri' i cili merr të dhënat nga ndarja në vazo dhe përzgjedhja e goglave që do të bëhet manualisht gjatë shortit.
Ndeshjet e para të fazës së ligës për sezonin e ri 2026-27 do të zhvillohen nga 8 deri në 10 shtator 2026.
Më poshtë 36 skuadrat që do marrin pjesë këtë sezon në fazën e ligës së Champions dhe ndarja në vazo:
Vazoja 1: PSG, Bayern Munich, Real Madrid, Liverpool, Inter, Manchester City, Arsenal, Barcelona, Atletico Madrid
Vazoja 2: Borussia Dortmund, Roma, Sporting Lisbone, Aston Villa, Porto, Manchester United, Club Brugge, Real Betis, PSV
Vazoja 3: Feyenoord, Lille, Bodø/Glimt, Napoli, RB Leipzig, Villarreal, Fenerbahce, Shakhtar Donetsk, Galatasaray
Vazoja 4: Slavia e Pragës, Slovan Bratislava, Stuttgart, AEK Athinë, LASK Linz, Como, Lens, Viking, Sabah Baku








Komente
Komento