Champions League mbyll këtë të mërkurë ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale, ndërsa do mësohen dy sfidat gjysmëfinale. Duke nisur nga ora 21:00 luhen Bayern Munich - Real Madrid dhe Arsenal - Sporting Lisbone.
Në 'Allianz Arena' Bayern Munich pret rekordmenët e Real Madridit në një ndeshje që mund të konsiderohet edhe si finale e parakohshme. Gjermanët e fituan 1-2 ndeshjen e parë në 'Bernabeu' dhe kanë një avantazh të lehtë, por përballë është Real Madridi që në këtë kompeticion 'shndërrohet' në superfuqi.
Alvaro Arbeloa te spanjollët do kenë katër mungesa shumë të rëndësishme si portierin Thibaut Courtois, Rodrygo, Tchouameni dhe Asencio. Nga ana tjetër Vincent Kompany duhet të bëjë pa talentin Lennart Karl, Cardozo, Kiala, Mike dhe Ulreich. Fituesi i këtij çifti do përballet në gjysmëfinale me PSG-në.
Në 'Emirates' të Londrës Arsenali pret Sportingun e Lisbonës, teksa anglezët fituan minimalisht 0-1 në ndeshjen e parë në Portugali. Sportingut s'i zihet besë, ndërsa Mikel Arteta nuk dëshiron të rrezikojë paçka se një barazim do i jepte të drejtë të kalonte më tej. Fituesi i këtij çifti do përballet në gjysmëfinale me Atletico Madridin.
Champions League, çerekfinalet e kthimit
E mërkurë, 15 prill 2026 - 21:00
Arsenal - Sporting Lisbone (1-0)
Bayern Munich - Real Madrid (2-1)
E martë, 14 prill 2026 - 21:00
Atletico Madrid 1-2 Barcelona (2-0)
Liverpool 0-2 PSG (0-2)
*Shënim: Në kllapa () rezultatet e ndeshjeve të para
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka dalë në konferencë për shtyp në prag të përballjes së kthimit çerekfinale ndaj Sportingut të Lisbonës në Champions League, duke theksuar ambiciet e mëdha të skuadrës së tij.
Pas fitores minimale 0-1 në ndeshjen e parë në Portugali, londinezët janë pranë një kualifikimi të rëndësishëm, por Arteta kërkon përqendrim maksimal nga lojtarët e tij.
“Po përpiqemi të bëjmë diçka historike për klubin, të fitojmë si kampionatin ashtu edhe Champions League. Kjo tregon nivelin e vështirësisë, por edhe ambicien që kemi”, deklaroi tekniku spanjoll.
Arsenali mbetet gjithashtu në garë të fortë për Premier League, një trofe që klubi nuk e fiton prej më shumë se dy dekadash.
“Jemi në një pozicion shumë të mirë dhe e dimë sa e rëndësishme është kjo për klubin”, shtoi ai.
Sa i përket ndeshjes ndaj Sportingut, Arteta kërkon guxim dhe besim nga skuadra.
“Dua të shoh lojtarë pa frikë. Kjo është thelbësore në ndeshje të tilla”, vijoi ai.
Në analizën e kundërshtarit, ai paralajmëroi një sfidë të vështirë.
“Sportingu është një ekip shumë dominues. Ne jemi përgatitur për këtë dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për të fituar dhe për të kaluar më tej", tha mes të tjerash Arteta.
Sot në orën 21:00 në 'Emirates' luhet Arsenal - Sporting, me vendasit më të avantazhuar për shkak të fitores në ndeshjen e parë.
Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, është shprehur i bindur për fitoren përpara përballjes vendimtare kundër Real Madridit në çerekfinalet e kthimit të Champions League.
Pas fitores 1-2 në ndeshjen e parë në Madrid, bavarezët synojnë të mbyllin llogaritë në shtëpi, teksa Kompany theksoi se skuadra e tij hyn në fushë vetëm me një objektiv, fitoren.
“Të gjithë lojtarët janë në dispozicion dhe ka entuziazëm të madh. Duam të fitojmë dhe të tregojmë atë që tifozët presin nga ne. Respektojmë shumë Realin, por duhet të hyjmë në fushë me besimin e duhur për të fituar”, deklaroi tekniku belg.
Ai u ndal edhe te ndeshja e parë, duke pranuar se të dyja skuadrat kishin mundësi për më shumë gola.
“Mund të kishim shënuar më shumë, njësoj si ata. Real Madridi u përmirësua në pjesën e dytë dhe kjo mund t’u ketë dhënë besim, por ne bëmë një pjesë të parë shumë të mirë dhe mund të bëjmë edhe më mirë në ndeshjen e kthimit", vijoi ai.
Kompany theksoi se fitorja në 'Bernabeu' është një avantazh i rëndësishëm, por kërkoi përqendrim maksimal për sfidën në Gjermani.
Në fund, ai vlerësoi formën e Michael Olise, duke e cilësuar si një lojtar me potencial të madh.
“Ai po luan në një nivel shumë të lartë. Ka bërë progres të jashtëzakonshëm në 18 muajt e fundit dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga më të mirët", tha mes të tjerash trajneri i Bayern Munich.
Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka shfaqur besim të plotë për një përmbysje të madhe kundër Bayern Munich në çerekfinalet e Champions League.
Në prag të sfidës vendimtare në 'Allianz Arena', tekniku spanjoll theksoi ADN-në fituese të klubit madrilen si armën kryesore për të ndryshuar rezultatin e ndeshjes së parë.
“Para së gjithash, ne jemi Real Madridi. Nëse ka një ekip që mund të vijë në këtë stadium dhe të përmbysë gjithçka, jemi ne. Nuk dorëzohemi kurrë dhe jemi klubi me 15 trofe të Champions League”, u shpreh Arbeloa.
Megjithatë, ai pranoi se skuadra duhet të përmirësohet ndjeshëm për të arritur objektivin.
“Duhet të bëjmë shumë më mirë në disa aspekte të lojës. Është thelbësore të shfrytëzojmë rastet, sepse nuk do të kemi aq shumë sa në ndeshjen e parë. Gjithçka varet nga besimi dhe performanca në fushë”, shtoi ai.
Bayern Munich fitoi 1-2 në Madrid ndeshjen e parë ndaj sot në orën 21:00 dueli do jetë shumë i fortë.
Komente





