Chelsea i Mauricio Sarri-t ka dhuruar spektakël në javën e 10 të “Premier League” pasi ka mposhtur me rezultatin 0-4 Burnley në transfertë. Londinezët e nisën serinë e golave në minutën e 22-t me Alvaro Moratën që shfrytëzoi më së miri një asist të Barkley-t. Do të ishte pikërisht ky i fundit që në pjesën e dytë do të dyfishonte shifrat me një gol mjaft të bukur.
Në minutën e 62-t radha ishte e William, brazilianit që mposhti portierin Jo Hart nga jashtë zone. Shifrat përfundimtare të takimit i vulosi Loftus-Cheek, sulmuesi i ri që po kalon një super formë me londinezët. Me këtë fitore Chelsea momentalisht renditet e dyti në “Premier League” me 24-r pikë, 2 më pak se Liverpooli kryesues.
Ndryshe nga skuadra e Sarri-t, rivalët e qytetit Arsenal janë ndalur në një barazim 2-2 me Crystal Palace. Të parët në avantazh kaluan vendasit, me Milivojevic, i cili realizoi saktë një 11-metërsh në minutat e fundit të pjesës së parë. Në fraksionin e dytë të lojës Xhaka do të barazonte shifrat me një supergol nga goditja e dënimit. E majta e shqiptaro-zviceranit ishte e pakapshme për portierin. 5-s minuta më pas Aubameyang do të përmbyste shifrat, duke kaluar për herë të parë “topçinjtë” në avantazh.
Gjithsesi në fund skuadrat do të ndanin pikët, pasi Milivojevic sërish me penallti barazoi shifrat. Kjo ishte hera e parë pas 7 ndeshjesh që Arsenal nuk merr pikët e plota në një ndeshje të “Premier League”.