Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me ngjarjet që mund të ndiqni gjatë ditës

Përmes gjuhës së skulpturës e instalacioneve, artisti Ardian Pepa ka çelur në galerinë “Fab”, ekspozitën “Çdo histori ka dy anë”, të kuruar nga Ardian Isufi dhe Altin Lika, që do të qëndrojë e hapur deri në 28 shkurt.

Një situatë e komplikuar mes çifteve e shokëve të ngushtë e bën kurorëzimin e planifikuar “Një dasmë të hatashme”. Komedia e Robin Haëdon vijon sot dhe nesër në orën 19.00 në teatrin “Eksperimental”, me regji të Kiço Londos.

Në kuadër të “Ditëve të kujtesës” është çelur sot prej orës 10.00 përballë Muzeut Historik ekspozita “Fëmijët pas telave”, ku dokumentohen histori persekutimesh në diktaturë dhe publikohen shifrat e minorenëve të dënuar.

Prej orës 11.00, mbahet sot në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, diskutimi “Gjuha, përkthimi dhe globalizmi, me referime të Rexhep Hidës dhe Fjoralba Dado.

Qëndron e hapur deri në 28 shkurt në Muzeun Historik ekspozita "Bukuri e përjetshme" me   17 skulptura në mermer të Antonio Canovas, një prej artistëve më të mëdhenj të neoklasicizmit evropian, që vijnë në 51 shkrepje në bardhë e zi të fotografit të njohur Mimmo Jodice.

Nga mjeshtrit Alinari tek fotografët më të mirë bashkëkohorë, vijon e hapur deri në 28 shkurt në Galerinë e Arteve Shkodër ekspozita “Italiae”. E konsideruar si një nga koleksionet më të mëdha fotografike në botë, në të ekspozohen 110 nga imazhet më të spikatura në një shekull.