TIRANË -  Tashmë Saranda nuk është vetëm një destinacion turistik. Ajo është përzgjedhur edhe për të lidhur në martesë të rinj të huaj.
Kështu ka ndodhur edhe me Beate dhe Roe, një çift norvegjez, që zgjodhën qytetin e Sarandës për të kurorëzuar me martesë njeri- tjetrin.
Eventin më kryesor të jetës së tyre, lidhjen në martesë, të rinjtë Beate dhe Roe si rrallë herë e realizuan në Sarandë.
Çifti norvegjez shoqërohej nga një numër i konsiderueshëm norvegjezësh të tjerë, të cilët ishin të përzgjedhurit e nuses dhe dhëndrit për t'u bërë pjesë e gëzimit të tyre.
Pikat më të bukura të qytetit i zgjodhi vetë çifti norvegjez për dasmën e tyre. Në pikën më të lartë të qytetit të Sarandës, në Lëkurës, Beate e Roe zhvilluan gjithë ritet që ka dasma norvegjeze.
Pjesë e gëzimit të çiftin norvegjez u bë edhe kryetarja e bashkisë së qytetit, ku ata jetojnë.
Eirik Heen, gazetar i të përditshmes norvegjeze, Romsdals Budstihhe, tha se jam shokuar në mënyrë pozitive, pasi këtu atmosfera është shumë e kënaqshme por edhe standardet e restoranteve.
"Njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm dhe shumë të mirë. Ne që kemi ardhur këtu nga Greqia, shohim se çmimet janë minimale dhe shumë më lirë se në vendin tonë. Përshtypja ime e parë përsa i përket Sarandës është se këtu është vërtet një vend turistik. Prandaj më pëlqen më shumë Saranda sesa Korfuzi, Saranda është favoritja ime. Dasma këtu është diçka spektakolare. Përveç Sarandës mirë është të vizitojmë edhe vende të tjera nga Shqipëria që vjen nga një vend komunist".
Për Anni Skogman, kryetare e bashkisë, Shqipëria nuk është një surprizë, pasi ajo ishte njohur me vendin tonë nga çifti që u martua.
"Prandaj erdha këtu për ta vërtetuar këtë. Eshtë hera e parë që vij.në Shqipëri. Çdo gjë këtu më pëlqen. Njerëzit janë shumë të mirë.Na pëlqen që shumë njerëz e flasin anglishten, por edhe me ata që nuk e flasin jemi marrë vesh me shenja. Kam shumë për t'ju thënë bashkëqytetarëve të mi atje në Norvegji. Saranda është shumë e mirë, atje ka njerëz fantastikë. Do t'u sugjeroj atyre që të vijnë në Shqipëri, të vijnë në Sarandë se vërtet është një vend fantastik".
Prej Lëkurësit, çifti norvegjez Beate dhe Roe të shoqëruar edhe nga miqtë e ardhur nga Norvegjia enkas për të qenë në lidhjen e kurorës, shkuan për të drekuar në restorant. Festimet e dasmës kanë vijuar deri vonë dhe në fund janë shoqëruar edhe me fishekzjarre./ATSH/