Festa për fitoren me Rumaninë, ia ka lënë vendin ankthit dhe tensionit të pritjes. Kombinimet e mundshme për kualifikimin e Shqipërisë në 1/8-at janë tema e përditshme e diskutimeve në radhët e kuqezinjve. Kjo pranohet edhe nga sulmuesi Sokol Cikalleshi.

“Pritja duhet parë në dy këndvështrime. Në anën pozitive, sepse po presim diçka madhore si kalimi i grupit. Është një arritje e madhe dhe shpresojmë të kemi një fund të lumtur. Por, kjo ka edhe anën negative, pasi jemi në tension, çdo natë flasim me lojtarët e tjerë si mund të kualifikoheshim.”

Kalimi i grupit është dëshira e të gjithëve dhe kjo i zbeh të gjitha diskutimet rreth faktit se cilët lojtarë luajnë në formacion. “Personalisht jam gati, por në fund është trajneri ai që vendos cili do të luante. Fillimisht do të isha i lumtur të kalonim grupin dhe të kishim një ndeshje tjetër.”
 
Kapiten në dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në grupet e Euro 2016. Ansi Agolli nuk ka zhgënjyer me rolin dhe paraqitjet e tij në fushë, megjithatë mbrojtësi i majtë sqaron se Kombëtarja e ka kapitenin e saj. “Kapiteni është Loriku.

Ai është një lider. Dua ta falënderoj sepse, pavarësisht se nuk luajti na ka dhënë shumë mbështetje morale. Nuk i fsheh emocionet e dy ndeshjeve që kam qenë kapiten, pasi ka qenë përgjegjësi mjaft e madhe. Por, kemi një skuadër me djem mjaft të mirë që ia kanë bërë punën të lehtë trajnerit dhe mua kur mbaja shiritin.

Por, falë eksperiencës ndërkombëtare jam munduar ta përballoj me sukses dhe shpresoj t’ia kem dalë”, deklaroi mbrojtësi kuqezi. Agolli foli edhe për pritjen e Shqipërisë, me skuadrën që shpreson ta ndihmojë fati për tu kualifikuar nga grupi.



Redaksia Shqiptarja.com