Në prag të ndërrimit të viteve, Skënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare, konfirmon qarkullimin paralel të 4 deri në 5 viuseve respiratore në vend, që shoqërohen me simptoma të ndryshme, por kanë një të përbashkët: temperaturën e lartë.
Sipas Bratajt, aktualisht në Shqipëri qarkullojnë paralelisht gripi i tipit A dhe B, SARS-CoV-2, H1N1 dhe RSV. Ai shpjegon se në këtë moment, gripi i tipit A, nënvarianti H3N2, është shkaktari kryesor i temperaturës që arrin deri në 39 gradë dhe që zgjat për disa ditë.
Brataj thekson se kjo formë gripi po prek më së shumti fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç, ndaj u bën thirrje prindërve të tregojnë kujdes dhe të mos nxitojnë drejt spitaleve që në ditën e parë të temperaturës.
Sipas tij, nëse fëmija ka temperaturë të lartë por gjendje të përgjithshme të qëndrueshme, trajtimi fillestar duhet të bëhet në shtëpi, me medikamente që ulin temperaturën. Drejtori i Urgjencës Kombëtare paralajmëron se shkuarja e menjëhershme në spital, pa qenë e nevojshme, rrit rrezikun që fëmija të infektohet edhe me viruse të tjera që janë në qarkullim, si RSV apo COVID-19, duke e komplikuar gjendjen shëndetësore.
“Është vënë re që gripi H3N2 ka prekur fashat nga 5 në 14 vjec. Nëse janë të infektuar dhe temperatura është e lartë, prindërit nuk duhet të vrapojnë që ditën e parë në spital, sepse nëse është i infektuar me grip, në spital do të marrë edhe virusin RSV apo COVID apo të tjera. Këshillohet medikamente që ulin temperaturën: paracetamoli në formë shurupi apo suposti, prindërit duhet ti kenë të dyja. Doza që përdorim është 10-15 mg për kilogram peshë të fëmijës Pra nëse fëmija peshon 10 kg, do të marrë 150 miligram shurup. Nëse temperatura persiston, përdorni paracetamol çdo 6 orë, deri në 4 herë në ditë. Nëse vazhdon mund të jepet Ibuprofen, por me kushtin që të merret 4 orë pas dhënies së paracetamolit, deri në 10 miligram për kilogram peshë, deri në 3 herë në çdo 24 orë. Nëse temperaturanuk mbahet nën kontroll,atëherë i drejtoheni mjekut ose spitalit", tha ai në një intervistë për Report TV.
Brataj thekson se ka raste kur ndërhyrja mjekësore është e domosdoshme dhe nuk duhet shtyrë. Sipas tij, prindërit duhet t’i drejtohen menjëherë mjekut ose spitalit nëse fëmija shfaq kriza konvulsive, përgjumje të theksuar, të vjella të vazhdueshme, vështirësi në frymëmarrje apo shenja dehidratimi. Këto, sipas tij, janë gjendje që kërkojnë trajtim spitalor dhe nuk duhet neglizhuar.
Brataj këshillon gjithashtu që familjet me fëmijë të vegjël të jenë të përgatitura, duke pasur në shtëpi medikamentet bazë për uljen e temperaturës, si dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje të shpejtë në rast krizash konvulsive, deri në mbërritjen e ndihmës mjekësore.
Lajmi kryesor:
‘Fishekzjarret dhe kapsollat të rrezikshme’: Brataj: Kujdes me alkolin, Urgjencat do të jenë të hapura!











