Cili duhet të jetë presidenti i ri dhe ‘historia’ e munguar e një gruaje në Shqipëri

Cili duhet të jetë presidenti i ri dhe ‘historia’ e munguar e një gruaje në Shqipëri

Edi Rama, Majlinda Brengu

Në të gjithë historinë e saj Shqipëria nuk ka njohur kurrë një grua, si kryetare qeverie apo në krye të shtetit. Nën drejtimin e burrave, në Shqipërinë e epokës moderne, punët shpesh kanë shkuar si mos më keq. Ndoshta erdhi  koha që edhe vendi ynë të thyejë ‘akullin’ dhe këtë vendim historik vështirë se mund ta humbë kryeministri Edi Rama, i njohur tashmë ndërkombëtarisht, si një avokat i grave nën qeverisjen e tij. Sesi mund të shkojnë punët e shtetit e shqiptar nën drejtimin e grave, kjo mbetet për t’u parë.

Majlinda Bregu shihet si kandidatura e duhur dhe më gjithëpërfshirëse e momentit, të paktën kjo nga vlerësimi i qeverisë, me të cilën kryeministri Rama kërkon t’i kujtojë opozitës së përçarë që nuk qëlloi dot mbi emrin e mundshëm, dhe se kishte po aq të drejtë që e përsërit shpesh, pavarësisht kritikave që e shoqërojnë shprehjen e tij të famshme, “punë ka, por nuk ka profesionistë”.

Ndërsa shumica e shteteve në botë janë qeverisur historikisht nga burrat, gjithnjë e më shumë vende po preferojnë gjatë 50 viteve të fundit gra në poste të larta politike, duke përfshirë kryeministre ose presidente. Duhet të ketë ndonjë arsye tjetër, sepse nuk ka asnjë dëshmi shkencore që të provojë se gjenetikisht gratë që kanë lindur në Shqipëri, nuk janë më të afta krahasuar me ato që kanë lindur në një vend tjetër.

Rastësi! Prandaj, a ka ardhur momenti i duhur që Shqipëria t’i besojë një gruaje postin e lartë të kryetarit të shtetit?

Nuk duhet shkuar larg për të gjetur plot shembuj, nga vende të tjera, që u kanë besuar qeverisjen grave. Kosova dhe Greqia kanë zgjedhur secila një grua në krye të shtetit, ndërsa një e tillë drejton aktualisht qeverinë edhe në Serbi.

Estonia është vendi i vetëm në botë që udhëhiqet vetëm nga femrat. Tre vendet e tjera me një grua kryetare shteti dhe kryetare qeverie janë Zelanda e Re, Danimarka dhe Barbados, të gjitha me një mbretëreshë dhe një kryeministre femër. Koalicioni qeveritar estonez udhëhiqet nga kryetarja e Partisë Reformatore, Kaja Kallas, një ish-deputete e Parlamentit Evropian. Kersti Kaljulaid është bërë presidentja e parë femër e Estonisë, që nga viti 2016. Presidentja Kaljulaid konsiderohet një kampione e ekonomisë liberale të tregut, si dhe një avokate e madhe e globalizimit ekonomik.

Vetëm vitin që shkoi bota njohu një numër në rritje të kryetareve femra. Tetë vende zgjodhën kryetaren e tyre të parë të qeverisë ose kreun e shtetit, një moment historik i shënuar nga OKB. Fiamē Naomi Mata’afa u zgjedh si kryeministre e Samoas në maj, Robinah Nabbanjha si kryeministre e Ugandës në qershor dhe Najla Bouden Ramadhane si gruaja e parë që drejton një vend në rajonin arab, kur u bë kryeministre e Tunizisë.

Në zgjedhjet e para presidenciale edhe Barbados zgjodhi në tetor një presidente, Sandra Mason. Vende të tjera përfshijnë Suedinë me Magdalena Andersson, si dhe në Honduras me Xiomara Castra. Magdalena Andersson, Kryeministrja e Suedisë e përshkroi vitin 2021 “në përgjithësi, si një vit i mirë për gratë në politikë”. Ajo vuri në dukje se Shqipëria arriti të ketë një kabinet masiv prej 70 për qind të femrave, por edhe Kosova dhe Iraku e tejkalojnë kuotën gjinore të parlamentit, kurse Gjermania pavarësisht largimit të Merkel po shkon drejt një kabineti qeveritar me barazi gjinore.

Shumë prej grave po fitojnë lëvdata për udhëheqjen e tyre novatore dhe efektive, për ofrimin e perspektivave të reja mbi sfidat me të cilat përballen vendet e tyre. Një model i kryetareve femra është

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e cila vlerësohet gjerësisht për miratimin e politikave që minimizuan përhapjen e pandemisë së koronavirusit, në vendin e saj.

Qasja e saj në mbylljen e shpejtë të vendit dhe izolimin e rasteve të virusit, i mundësoi Zelandës së Re të bëhej vendi i parë në botë, që rihapet në mënyrë të sigurt. Vendi i vogël ishullor i Islandës ka gjithashtu një kryeministre femër, Katrin Jakobsdottir. Islanda ka një histori të zgjedhjes së kryetareve femra që kur u bë vendi i parë që e realizoi një gjë të tillë në vitin 1980. Jakobsdottir ka ndihmuar Islandën me politikat e saj, duke ringritur ekonominë e vendit pas kolapsit ekonomik të vitit 2008 .

Saara Kuugongelëa, kryeministre e Namibisë, u largua në mërgim kur ishte vetëm 13 vjeçe. Ajo aktualisht vazhdon një doktoraturë në ekonomi. Lufta kundër korrupsionit, së bashku me këmbënguljen e saj për politika të shëndosha fiskale, ka çuar në suficitin e parë buxhetor të vendit në historinë e tij. Presidentja e Nepalit, Bidhya Devi Bhandari, ka shtruar nevojën për barazi gjinore, veçanërisht pas tërmetit që shkatërroi vendin në 2015. Në Bangladesh, kryeministrja Sheikh Hasina Ëajed, një ish e burgosur politike, hapi dyert e vendit të saj për refugjatët që iknin nga gjenocidi në Myanmar.

Ndërsa SHBA-ja ende nuk i ka besuar një gruaje në Shtëpinë e Bardhë, por aktualisht ka një grua Sekretare Shteti.  Finlanda dhe Zelanda e Re kanë udhëhequr rrugën në zgjedhjen e grave që kur nisi ‘revolucioni i grave në pushtet’, me nga tre gra udhëheqëse secila. Megjithatë, mbi një e treta e 71 grave lidere që morën pushtetin që nga viti 1960 ishin duke vepruar në një cilësi të përkohshme, ose ato zëvendësuan liderët e zgjedhur por nuk u rizgjodhën kurrë, në të drejtën e tyre.

Vende si Kina, Italia, Japonia, Meksika, Rusia apo edhe Arabia Saudite nuk kanë pasur kurrë një udhëheqëse femër, në kohët moderne. Kanadaja dhe Franca kanë njohur secila nga një grua që të marrë pushteti, por e ka dorëzuar atë brenda një viti.

Ivy Matsepe-Casaburri ishte për një kohë të shkurtër ushtruese të detyrës së presidentit në Afrikën e Jugut. Australia, Brazili, Indonezia, Koreja e Jugut dhe Turqia kanë pasur secila nga një udhëheqëse femër, e cila ka shërbyer në krye të shtetit nga 3 deri në 5 vjet. Britania e Madhe është udhëhequr nga gratë dy herë, duke përfshirë 11 vitet historike, nën drejtimin e Margaret Thatcher.

Argjentina ka pasur dy presidente femra, të dyja pasuan burrat e tyre. Kryeministrja e vetme femër e Indisë, Indira Gandhi, shërbeu dy herë për një total prej 16 vitesh. Mandati 16-vjeçar i Angela Merkel e bëri atë udhëheqësen grua më jetëgjatë të çdo demokracie liberale.

Angela Merkel e Gjermanisë është e vetmja grua që udhëhoqi për 16 vite një vend të G20, ndërsa Ursula von der Leyen përfaqëson aktualisht BE-në si presidente e Komisionit Evropian. Nën udhëheqjen e gjatë të Gjermanisë, Merkel u kthye në një model frymëzimi për gratë e mbarë botës.

Jetojmë në një epokë moderne dhe Shqipëria nuk ka pse bën përjashtim, për më tepër, me një grua në Presidencë, nuk rrezikon shumë, nëse mund të supozojmë se ajo nuk do të ketë aftësitë e duhura, por thjesht fati po e çon në krye të shtetit. Kujtojmë se në tërë historinë e shtetit shqiptar, ata që e kanë qeverisur deri tani vendin nuk kanë njohur as rivalitetin e grave për t’i mundur në fushë-betejë, si një sfidë të mundshme, apo si një realitet i ri botëror. 

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mane: 03/06/2022 00:33

    Shoqja Luljeta Bozdo do qe fiks per Presidente.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka