TIRANE – Për kreun e Policisë së Tiranës Ardian Çipa, fakti që dy autorët që ekzekutuan dy ditë më parë bankierin Artan Santo arritën të dilnin nga Tirana me motorin e krimit , nuk është aspak për mungesë të gadishmërisë së policisë, por se krimi ishte i mirëorganizuar.

Në një konferencë të posaçme për vrasjen e biznesmenit dhe botuesit të njohur  Santo, drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa tha se bankieri Artan Santo, drejtues prej vitesh i bankës Credins, nuk ka pasur probleme dhe s’ka pasur asnjë njoftim se mund të rrezikohej jeta e tij, por shtoi se po hetohet gjithë aktiviteti i Santos dhe çdo e dhënë që mund të çojë në identifikimin e autorëve.

Cipa tha se polici i cili ndodhej në kryqëzimin pranë bankës Credins në zonën e ish-bllokut ku dhe u qëllua për vdekje Santo, i ndoqi autorët pas krimit, por i humbi ata pranë Komunës së Parisit. Kjo sipas Çipës, ndodhi jo për shkak të angazhimit të policisë, por se ngarja ishte e mirëpërgatitur nga autorët .

Cipa shpjegoi zyrtarisht itinerarin që ndoqën autorët menjëherë pasi u larguan nga vendi i krimit.

Autorët udhëtonin me motor të zi pa targa të veshur me të zeza, dhe ndërsa kanë ndjekur makinën e Santos nga banesa e tij pranë Liceut Artistik duke kaluar nga ambasada italiane, përballë Radio Televizionit Shqiptar, më tej tek kryeministria, kryesia e Kuvendit dhe së fundi në bankën Credins tek ish-blloku, ku Santo shkonte si çdo ditë në zyrën e tij. Autorët janë pikasur nga kamerat e sigurisë tek kryqëzimi pranë kryeministrisë ku duken fill pas automjetit të bankierit Artan Santo. Ata e kanë pritur të zbriste nga makina për t’iu drejtuar bankës, e kanë qëlluar me armë që dyshohet të ketë qenë me mulli, pasi nuk është gjetur asnjë gëzhojë, dhe nga ky moment janë larguar me motor, ku janë pikasur sërish nga kamerat e sigurisë tek kryqëzimi i Librit Universitar.

Cipa tha se polici rrugor i cili ndodhej pranë vendit të krimit, i ndoqi dy autorët por i humbi ata pranë Komunës së Parisit, për shkak të devijimeve nëpër pallate dhe shpejtësisë së motorit. Më tej nga Yzberishti përmes nënkalimit të Kasharit, autorët janë pikasur nga nëj tjetër grup kontrolli pranë Rinasit. Polici i ka ndjekur dhe i ka humbur ata tek Ura Gjolës, në drejtim të Fushë-Krujës.

Ndërsa sa i përket motorëve të sekuestruar,  drejtori i Policisë së Tiranës tha se po verifikohen të gjitha mejtet e dyshuara për kryerjen e krimit. Për këdo që jep informacion mbi vrasjen e bankierit dhe botuesit të njohur Artan Santo, policia ka vënë në dispozicion 100 mijë euro shpërblim, duke ruajtur anonimatin.


Deklarata e plote per shtyp e drejtorit te Policise se Tiranes, Ardian Cipa
Sic është bërë tashmë publike, në datë 26 Qershor 2014, rreth orës 09.18, në rrugën “Ibrahim Rugova” Tiranë, ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Artan Santo, 58 vjec, me detyrë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Credins.

Pas marjes se njoftimit nga strukturat e policisë u organizuan dhe nisi koordinimi i shërbimeve të Policisë, në ndjekje të autorëve. Sipas informacionit paraprak, autorët udhëtonin me një motorr të zi, pa targa, me kokore dhe të armatosur, të veshur me të zeza, trupa mesatare.

Pas ngjarjes ata përshkuan rrugën “Ibrahim Rugova” drejt Gardës së Republikës, ndërsa në ndjekje të tyre u vu mënjeherë një efektiv i policisë rrugore, me motor, i cili në momentin e krimit, ishte afër vendit të ngjarjes.

Disa shërbime u ngritën në drejtimin nga po udhëtonin autorët e vrasjes si dhe u ngritën pika të përforcuara kontrolli në të gjitha daljet e Tiranës. Autorët u ndoqën deri në afërsi të Liqenit të thatë, duke përshkuar rrugë-kalimet përmes pallateve në Lagjen Komuna e Parisit Tiranë.

Aty mjeti në ndjekje i humbi kontrollit të efektivit të policisë, për shkak të devijimit të rrugës dhe shpejtësisë së lartë të mjetit. Autorët e dyshuar kanë dalë nga Tirana përmes zonës së Yzberishtit, duke përdorur rrugë dytësore, nëpërmjet nënkalimin të Kasharit e më pas nëpërmjet rrugës nacionale të aeroportit të Rinasit, duke u drejtuar drejt zonës së Fushë - krujës. 

Policia e Fushë - Krujës mori masa për ngritjen e pikës së kontrollit në hyrje të qytetit dhe rrugën nacionale. Në këtë zonë mjeti motorr me 2 autorët e dyshuar, është konstatuar nga një tjetër patrullë e qarkullimit, e cila është vënë në ndjekje të tyre, deri në Urën e Gjoles, vend ku kanë devijuar sërisht dhe kanë hyrë në fshatrat e zonës, pa hyrë në Fushë Krujë. 

Eshtë ngritur menjëherë grupi hetimor në përbërje të të cilit ishin ekspertë kriminalist për krimet e rënda, të cilët kryen veprimet e para hetimore duke fiksuar dhe administruar provat në vendin e ngjarjes.

Nga ana tjetër, duke analizuar informacionet e marra në terren me mbështetjen dhe të shërbimeve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcës së Posacme te DPQ jane kryer kontrolle të imtësishme ne zonen e Krujes, Lacit, Lezhes, kontrolle që vijojnë edhe në këto momente.

Gjithashtu duke bashkëpunuar ngushtësisht me strukturat e Policisë së qarqeve Durrës dhe Lezhë, janë kontrolluar të gjitha objektet të cilat kishin kamera të vendosura nga Ura e Gjolës deri tek nënkalimi i Mamurrasit ku janë marrë si prova materiale pamjet filmike para dhe pas ndodhjes së ngjarjes, që dokumentonin itinerarian e lëvizjes së motorit të dyshuar.

Grupi  hetimor i kryesuar nga Prokuroria e Rrethit Tiranë po heton me intesitet për të dokumentuar shkaqet e vrajses, si dhe identifikimin e autorëve të saj.

Policia e Shtetit ka vënë 100 mijë euro shpërblim, për cdo informacion të vlefshëm që do të cojë në identifikimin e autorëve, duke siguruar anonimat të plotë.  Gjithashtu, i bëjmë edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve të ndihmojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje, duke dhënë cdo informacion të nevojshëm. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)