Kur në gjithë këto vite, ngjarje pas ngjarje, kritikojmë veprimet absurde, jo logjike e të padrejta të opozitës shqiptare drejtuar nga Lulzim Basha, ai dhe të tjerë në krah të tij, marrin çdo kritikë për sulme personale dhe inatosen keq. E me pas hakmerren.
Që me denoncimin dhe demaskimin e sajimeve të lajmeve, sulmeve, asnjëherë nuk e kanë kuptar që për njerëzit që duan ligjin dhe qytetarinë, demokracinë, një opozitë e ndershme, e fortë, idealiste, e pastër, ka po aq rëndësi, madje edhe më shumë, se një qeverisje e drejtë dhe transparente.
Pa një opozitë të mirë, korrekte, një vend humb harmoninë, demokracinë, barazinë, bukurinë. Por në gjithë këto vite, opozitarët e zgjedhur nga populli as nuk e kanë kuptuar e as kanë ndërmend ta kuptojnë rëndësinë e një vlere të tillë.
Si inatçorë mendjeshkurtër nxihen e inatosen pas çdo kritike, pas çdo zbulimi mashtrimi ordiner në sy të të gjithëve. Pa reflektuar. Pas zbulimit të çdo lajmi e sajmi të bërë prej tyre, hakmerren egër duke shpifur, duke bojkotuar gazetarët që i kritikuan apo zbuluan duke i linçuar.
Nuk kanë ditur e nuk dinë të dëgjojnë jo vetëm zërin e kritikuesve, por as zërin e fakteve. Një prej partive opozitare ende dhe sot hakmarret ndaj medias, vetëm e vetëm se sondazhi i pavarur i publikuar në 2017, nuk përputhej me egon e sëmurë të tyre. Nuk donin të kuptonin, nuk duan ta kuptojnë, se shqiptarët po i braktisnin dita-ditës të friksuar. Të friksuar nga dhuna verbale e fizike, nga shpifjet e sulmet e egra, nga kërcënimet, por mbi të gjitha mendoj, nga mungesa e qytetarisë dhe e mirëkuptimit njerëzor.
Nuk donin të dëgjonin as telefonatat e qytetarëve mëngjeseve të leximit të gazetave. Apo komentet në rrjetet sociale. Veç disa aparatçikëve të verbuar (lehtesisht te dallueshem e me njeri-tjetrin te ngjashem) që me emrin e tyre të vërtetë, por edhe me dhjetëra emra false, ofendojnë e shpifin poshtë e lartë rrjeteve sociale, qytetarët e vërtetë ose heshtin (nga frika e linçimit ndaj çdo opinion të kundërt me “opozitarët” e frustruar) ose, nëse kanë një mendim politik, duhet ta shprehin ndrojtuar fare.
Opozitarët e sotëm nuk kanë kuptuar asgjë nga kritikat e bëra dhe përplasin kokën pas muri e thërrasin për mashtrime ndaj çdo braktisjeje që u bën elektorati dhe shqiptarët.
Opozitarët e sotëm, me Bashën në krye, për arsye ende të mistershme, nuk arrijnë të kuptojnë e të perceptojnë realitetin. Duke u përplasur përditë me të, mendojnë se realiteti është i manipuluar dhe jo egoja e përkedhelur e tyre qe mes qindra privilegjesh të papritura, nga njerëz të thjeshtë, modestë, i izoloi në kështjella të pasura në mes të kryeqytetit apo i bëri në bregdete me vila të çmuara.
Opozita e sotme nuk po e kupton se me mungesën e respektit për ligjin, për të drejtën, për qytetarinë e edukatën, po tremb veç kundërshtarëve edhe mbështetësit. Ky është dëmi që ata nuk do të duhej kurrë ta kishin shkaktuar. Kjo është ajo vlerë që ata, kurrë nuk do të duhej ta kishin prekur.