Edhe pse 3 ditë na ndajnë nga nata e ndërrimit të viteve, shumë qytetarë nuk i kanë përgatitur ende dhuratat për të dashurit.

"Keni bërë dhurata për këtë vit?

Jo

Keni marrë ndonjë gjë të veçantë?”

"Po"

"Po presim"

"Kam çunin dhe veç atij i bëj, i kam marrë një dron", thanë disa nga qytetarët.

Ndonëse me të ardhura të pakëta, blerësit më fanatikë duket se janë pensionistët. Bonusin e fundvitit, ata e kanë shpenzuar për nipër e mbesa.

"Jemi munduar, si pensionistë që jemi kemi bërë dhurata. 10 nipër e mbesa të gjithëve do jua japim nga një dhuratë. Po është bërë pak e vështirë tani, ka rënë leku", tha një pensionistë.

Një pjesë e dyqaneve janë bosh, ndërsa shitësit përballen me kërkesat për ulje çmimi.

"Blejnë më shumë për të tjerët. Ka nga të gjithë, ka edhe që i marrin siç janë por ka edhe nga ata që kërkojnë ulje çmimi, bëjnë pazare. Çmimet u duken pak të kripura por i marrin", tha një shitëse.

2021 është drejt ikjes ndërsa edhe ky fundvit do t’i gjejë shumicën e shqiptarëve në vatrat familjare. Pavarësisht heqjes së orës policore për qytetarët, të vetmet ambiente që do të qëndrojnë hapur, janë shtëpizat e ngritura në sheshin Skënderbej për festat e fundvitit.