FIFA është tërhequr pjesërisht, vetëm pak, nga formula e saj për shitjen e biletave të Botërorit 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Për herë të parë FIFA ka vendosur çmime jo fikse të biletave, duke ia lënë në dorë t’i përcaktojë tregu. Mirëpo procedurat e tejzgjatura të aplikimeve online, por edhe çmimet e larta kanë shkaktuar kaos dhe ndjenja aspak pozitive për Botërorin që për herë të parë do të zhvillohet me 48 skuadra.
Sipas ‘Mundo Deportivo-s’ FIFA ka bërë një hap të vogël pas, por që nuk e justifikon aspak thënien se futbolli është për njerëzit. Tani duket se është vetëm për biznesmenët. FIFA së fundmi ka menduar që tu japë federatave pjesëmarrëse një numër të limituar biletash për tifozët besnikë. Këto bileta do të kenë vlerën e 60 dollarëve, por numri i pakët nuk e zhbën irritimin e tifozëve të shumtë që duan të jenë në stadiume.
Deri më tani janë mbyllur dy procese shitjesh, teksa janë shpërndarë 2 milionë bileta. FIFA ka hapur një tjetër proces pas shortit të botërorit ku fituesit do të shpallen në shkurt, ndërsa ka pasur rreth 5 milionë aplikues. Deri më tani çmimet për një ndeshje të fazës së grupeve variojnë nga 120-265 dollarë, por për shkak se ato do të rishiten në marketin e FIFA-s, duke qenë se fituesit janë të rastësishëm dhe jo për ndeshjen që ato dëshirojnë, shkojnë deri në 700 dollarë. Kjo është bileta më e lirë në fazën e grupeve për një ndeshje të Gjermanisë.
Sipas ‘New York Times’, pas shortit të Botërorit, një biletë e finales në sistem shitet me çmimin më të lirë prej 8.680 dollarësh, ndërsa në treg të zi shifra ka shkuar deri në 33 mijë dollarë.
Më të irrituarit janë në Meksikë, pasi ndeshja hapëse do të luhet në stadiumin Azteca kundër Afrikës së Jugut. Tifozë të kësaj kombëtareje, sipas ‘The Guardian’, thonë se nuk ka krahasim me Botërorin e 1986 kur ishte e lehtë të blije bileta. Sipas tyre nuk duket sikur në qershor do të luhet botërori. Madje disa prej tyre tregojnë peripecitë për të blerë bileta, që nisin nga 1290 deri në 1825 dollarë. Nga 4-6 herë më shumë se paga mesatare e një profesionisti në Meksikë.
Komente





