Çmimet e mallrave të importit që kulmuan pas pandemisë janë në trend rënës, duke sinjalizuar një ndikim pozitiv në inflacionin e brendshëm.
Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Importit (IÇI), në tremujorin e tretë të vitit 2025, arriti 107,4 kundrejt vitit 2021 si periudhë bazë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, indeksi i çmimeve të importit shënoi një ulje me 0,5%, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte -1,3%.
Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025, indeksi i çmimeve të importit shënoi një ulje prej 0,2%.
Krahasuar me tremujorin e tretë 2024, çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan ulje me 4,6%, pasuar nga seksionet “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,7%, “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 94,0%, me 0,3%.
Nga ana tjetër seksioni “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 0,4%. Brenda seksionit “Industria përpunuese” ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktiviteteve “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,7% pasuar nga “Prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku, përveç mobiljeve; prodhimin e artikujve prej kashte dhe xunkthi” me 1,2%, “Konfeksionimi i veshjeve’’ me 0,8% , “Prodhimi i pijeve’’ me 0,6% dhe “Prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 0,5%.
Nga ana tjetër, çmimet në aktivitetin “Industri të tjera p.k.t” shënuan rritje me 1,3 %, pasuar nga “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 1,1% dhe “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 0,8%, etj.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2025, çmimet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” shënuan ulje me 1,1%, pasuar nga “Industria përpunuese” me 0,1%.
Nga ana tjetër “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” shënoi një rritje me 0,9%.
Brenda seksionit “Industria përpunuese”, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,3%, pasuar nga “Prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 0,9% dhe “Përpunimi i tekstileve” me 0,6%.
Nga ana tjetër, çmimet e aktivitetit “Prodhimi i produkteve metalikë të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve” shënuan rritje me 0,8%, pasuar nga “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 0,7%, etj./Monitor
Komente












