Çmimet e larta frenojnë konsumin, importet bien 6% në sasi për 9-mujorin, por paguam 1.2 mld euro më shumë

Çmimet e larta frenojnë konsumin, importet bien 6% në sasi për 9-mujorin, por paguam 1.2 mld euro më shumë

Çmimet e larta rezultojnë se po frenojnë konsumin për shumë produkte. Sipas INSTAT, në periudhën janar – shtator, importet në sasi ranë me gati 6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndonëse në sasi kanë rënë, importet në vlerë u rritën me 25%, ose rreth 139.5 (1.2 miliardë euro) më shumë.

Tendenca tkurrëse në sasi është ndikuar kryesisht nga reduktimi i importeve të grupit “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”, që ranë me 16% për 9 mujorin me bazë vjetore. Rritja e çmimeve të karburanteve rezulton se po e frenon konsumin në vend.

Nafta tregtohet aktualisht me 240 lekë, nga 185 lekë që ishte në fund të shkurtit, përpara se të fillonin sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës që çuan në një valë shtrenjtimesh të shumë produkteve. Nafta është sot 30% më e shtrenjtë se në fillim të vitit.

Në rënie vijojnë të jenë dhe plehëruesit, me tkurrje 47% për 9 mujorin, një tregues i vështirësive që po kalon sektori bujqësor.  Burimet nga tregu bënë të ditur se heqja e subvencioneve dhe vënia e TVSH mbi inputet, të kombinuara me çmimet e larta të plehëruesve në tregjet ndërkombëtare i bënë të papërballueshme blerjet nga fermerët shqiptarë.

Për shkak të kostove të larta, fermerët këtë sezon kanë kryer më pak mbjellje si në sera dhe në fushë. Në kontrast, importet e zarzavateve për 9 mujorin janë rritur ndjeshëm në sasi me 44%.

Fermerët në zonat prodhuese të vendit Lushnjë dhe Berat thonë se importet e prodhimeve bujqësore do të rriten me shpejtësi në të ardhmen pasi sipërfaqet e mbjella në vend kanë rënë këtë vit dhe prodhimet që realizohen kanë kontrata me eksportin. Hendeku që mbetet në tregun vendas po mbulohet me import.

Importet e drithërave u tkurrën me 22% për janar-shtator, duke reflektuar një tkurrje të konsumit, që sipas operatorëve po ndikohet edhe nga emigracioni. Ky i fundit po bëhet një faktor i ndjeshëm në konsum, sipas raportimeve nga shumë sektorë, që po ndiejnë rënien e fuqisë blerëse për shkak të mungesës së njerëzve, sidomos të rinjve.

Në rënie vijon dhe kafeja, me importet e këtij produkti që ranë rreth 10%.

Rikthehet ndërtimi

Ndërsa konsumi po vjen në rënie për shkak të çmimeve të larta dhe emigracionit, ndërtimi i është rikthyer vrullit. Pas rënies së importeve të materialeve të ndërtimit në pjesën e parë të vitit, si rrjedhojë e çmimeve të larta, sidomos hekurit, muajt e fundit po importohet më shumë. Sipas INSTAT, importet e gizës dhe çelikut u rritën me 5% për janar-shtator.

Duhen më shumë para për të blerë më pak produkte

Në shtator inflacioni, sipas INSTAT, arriti në 8.1%, niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi po vuante pasojat e krizës së piramidave. Rritja e lartë e çmimeve ka bërë që për të blerë të njëjtën sasi produktesh, apo më pak, të të duhet të shpenzosh më shumë.

Ndonëse në sasi, importet ranë me 6%, në vlerë ato u rritën me 25%, duke arritur në 695 miliardë lekë (5.8 miliardë euro).  Si rrjedhojë, për të blerë 6% më pak mallra janë paguar  139.5 miliardë lekë më shumë  (1.2 miliardë euro), për 9 mujorin 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja