Çmimet e larta po vazhdojnë të rëndojnë buxhetet familjare në Maqedoninë e Veriut dhe kryeministri Hristijan Mickoski po u kërkon marketeve të ndërhyjnë menjëherë. Ai paralajmëroi se nëse nuk ka ulje të produkteve bazë ushqimore në ditët në vijim, qeveria do të publikojë emrat e marketeve që nuk reagojnë.

“Mjaft me justifikime”, ishte mesazhi që Mickoski u dërgoi marketeve, distributorëve dhe prodhuesve, duke kërkuar ulje të menjëhershme të çmimeve.

“Kriza po përfundon, qytetarët treguan durim dhe tolerancë, tani është radha e tyre t’ua kthejnë këtë. Pres që menjëherë të fillojnë me uljen e çmimeve, veçanërisht të produkteve bazë. Qeveria ka mekanizma dhe, nëse kjo nuk ndodh, do të reagojmë në një mënyrë tjetër dhe në afat më të gjatë. Nëse është e nevojshme, që nga nesër do t’i publikojmë publikisht marketet me emër dhe mbiemë”, deklaroi Mickoski.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur kostoja e jetesës vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për familjet në vend.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, një familjeje me katër anëtarë i janë nevojitur gjatë muajit qershor të paktën 68.654 denarë, ose rreth 1.114 euro, për të mbuluar shpenzimet bazë mujore.

Nëse familja jeton me qira në një apartament prej 60 metrash katrorë, kostoja mujore rritet në 84.024 denarë, ose rreth 1.364 euro.

Megjithatë, krahasuar me muajin maj, kur shporta minimale sindikale ishte 68.742 denarë, në qershor është regjistruar vetëm një ulje simbolike prej 88 denarësh.

Pikërisht për këtë arsye, Mickoski kërkon që edhe sektori i tregtisë të kontribuojë në uljen e kostos së jetesës, duke paralajmëruar se qeveria është gati të ndërmarrë masa nëse nuk ka reflektim nga marketet dhe distributorët.