Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzoi qeverinë se po rëndon edhe më shumë barrën fiskale mbi qytetarët, ndërsa, sipas tij, vendet fqinje po marrin masa për të ulur koston e jetesës. Blushi tha se në Shqipëri nafta kushton rreth 41% më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, ndërsa TVSH-ja për ushqimet bazë vijon të mbetet 20%, ndryshe nga politikat lehtësuese që, sipas tij, po ndjekin Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Blushi përsëriti propozimet e Partisë së Lirisë për pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, uljen e TVSH-së për shportën bazë nga 20% në 5%, si dhe rritjen e pensioneve dhe pagave. Sipas tij, qeveria ka refuzuar këto masa dhe ka zgjedhur të mbajë të pandryshuar barrën fiskale mbi qytetarët.

Deklarata e Tedi Blushit 

" Ndërsa Greqia po investon rreth 3.5 miliardë euro për të rritur të ardhurat dhe për të ulur barrën mbi familjet, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po marrin masa konkrete për të frenuar çmimin e karburanteve dhe për të mbrojtur qytetarët nga kriza e kostos së jetesës, në Shqipëri Edi Rama bën të kundërtën: nuk heq asnjë barrë që rëndon mbi qytetarët, nuk ul asnjë taksë që rëndon mbi familjet, por vazhdon t’u marrë shqiptarëve gjithnjë e më shumë para nga xhepi, duke e kthyer shtetin në një makineri grabitqare taksash, që nuk di të ngopet me zhvatjen e parave të shqiptarëve, popullit më të varfër dhe më të vjedhur të kontinentit, që me taksat e tij ushqen një shtet hajdut, që u ka bërë jetesën gjithnjë e më të shtrenjtë, një administratë gjithnjë e më të fryrë me patronazhistë dhe një sistem hajdutërie me tendera, koncesione e PPP-sh që gllabërojnë miliarda euro.

Në Greqi do të jepen 400 euro shtesë në vit për pensionistët, paga minimale synon të arrijë 1 mijë euro në vitin 2028, ndërsa nga fundi i vitit 2027 parashikohet edhe bonus vjetor prej 600 eurosh për nëpunësit civilë; ndërkohë, mbi 1600 produkte janë përfshirë në nismën për uljen e çmimeve, me një ulje mesatare prej rreth 9.5%. Ndërsa në Shqipëri, vetëm në muajin korrik, çmimet e ushqimeve u rritën me 3.2%, kundrejt vetëm 0.6% në Bashkimin Europian. Pra, ushqimet në Shqipëri po shtrenjtohen më shumë se pesë herë më shpejt se në Europë, ndërkohë që shqiptarët kanë paga dhe pensione shumë më të ulëta se qytetarët europianë.

Ky nuk është thjesht një ndryshim statistikor, por është diferenca mes qeverive që kanë prioritet absolut mbrojtjen e interesit publik dhe një qeverie grabitqare dhe një kryeministri kleptoman, që e sheh qytetarin vetëm si xhep që duhet zbrazur dhe duhet vjedhur papushim. Edhe çmimi i naftës e tregon këtë kontrast në mënyrën më brutale. Në Maqedoninë e Veriut nafta është rreth 1.59 euro për litër, ndërsa në Shqipëri rreth 2.4 euro për litër, pra shqiptarët paguajnë rreth 41% më shumë për të njëjtin produkt. Dhe kjo ndodh në një vend ku transporti, bujqësia, prodhimi dhe çdo aktivitet ekonomik varen drejtpërdrejt nga çmimi i karburantit.

Në Malin e Zi qeveria ka zgjedhur të ulë akcizën, madje duke pranuar edhe më pak të ardhura për arkën e shtetit, sepse ka kuptuar atë që Edi Rama refuzon me dashje dhe pashpirtësi ta aplikojë, që shteti nuk ekziston për të mbledhur sa më shumë para nga qytetarët, por për t’i mbrojtur qytetarët kur ata goditen nga rritja e kostos së papërballueshme të jetesës.

Fqinjët po heqin dorë nga një pjesë e të ardhurave të shtetit për t’i lënë më shumë para familjeve dhe ekonomisë; Edi Rama nuk heq dorë nga asnjë qindarkë e barrës që u ka vendosur shqiptarëve, sepse për të taksa do të thotë më shumë para në arkën e qeverisë, ndërsa arka e qeverisë është kthyer në burim për tendera, koncesione, PPP dhe klientelë.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria vazhdon të mbajë 20% TVSH për ushqimet bazë, për bukën, miellin, vajin, qumështin dhe vezën, ndërsa qeveria gjen gjithmonë mënyra për t’u krijuar lehtësi atyre që kanë më shumë fuqi ekonomike dhe politike.
Është një padrejtësi kriminale sociale dhe ekonomike, e papranueshme, që pensionisti që numëron lekët për bukën dhe ilaçet tatohet, familja që mezi përballon shportën tatohet, fermeri që paguan naftën për të prodhuar tatohet, biznesi që transporton mallra tatohet, ndërsa qeveria vazhdon të sillet sikur paratë e shqiptarëve janë pronë e saj.

Prandaj ulja drastike e çmimeve nuk është luks, nuk është premtim elektoral dhe nuk është çështje për t’u shtyrë nga një buxhet në tjetrin; është një domosdoshmëri ekonomike dhe sociale që duhej të kishte ndodhur dje dhe jo nesër.

Dhe zgjidhjet janë mbi tavolinë. Partia e Lirisë ka propozuar pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, pikërisht për të ulur menjëherë çmimin e naftës dhe për t’i dhënë frymëmarrje familjeve, fermerëve, transportuesve dhe gjithë ekonomisë shqiptare.

Partia e Lirisë ka propozuar gjithashtu uljen e TVSH-së për shportën e konsumatorit nga 20% në 5%, sepse në një kohë kur familjet shqiptare po përballen me çmime gjithnjë e më të larta, shteti nuk mund të vazhdojë t’u marrë 20% taksë edhe produkteve më elementare të jetesës.

Edi Rama i ka refuzuar këto propozime. Pra, le ta themi qartë: nuk mungojnë zgjidhjet; mungon vullneti politik.

Nuk është tregu që e pengon Edi Ramën të ulë taksat. Nuk është kapitalizmi që e detyron të mbajë TVSH-në 20%. Nuk është Europa që e ndalon të ulë çmimin e naftës. Nuk është kriza që e detyron të mos rrisë pensionet dhe pagat.
Është zgjedhja e tij politike.

Është zgjedhja e një qeverie që ka vendosur ta mbushë arkën e shtetit duke zbrazur xhepat e qytetarëve; është zgjedhja e një qeverie që e sheh ekonominë shqiptare si një burim të pafund taksash dhe buxhetin publik si një mundësi të pafund për tendera, koncesione dhe PPP; është zgjedhja e një qeverie që kërkon gjithmonë më shumë nga shqiptari i zakonshëm, ndërsa për klientët dhe oligarkët e saj gjen gjithmonë një përjashtim, një kontratë, një bonus apo një privilegj.
Ky nuk është shtet social. Ky është shtet zhvatës.

Prandaj Partia e Lirisë kërkon sot që qeveria të mos fshihet më pas justifikimeve dhe propagandës, por të votojë dhe zbatojë menjëherë masat konkrete të propozuara nga PL, pezulloni Taksën e Qarkullimit, pezulloni Taksën e Karbonit, ulni çmimin e naftës, ulni TVSH-në për ushqimet bazë, rrisni pensionet dhe pagat dhe ktheni paratë tek qytetarët.

Sepse paratë e shqiptarëve nuk janë pronë e Edi Ramës, nuk janë fond për klientët e qeverisë dhe nuk janë ushqim për një makineri shtetërore që vetëm zgjerohet. Paratë duhet të kthehen tek shqiptarët që i kanë fituar me punën e tyre, jo të vazhdojnë të derdhen në një sistem qeverisës që i varfëron qytetarët dhe pasuron pushtetin. Dhe Edi Rama duhet ta dijë mirë: sa më shumë ta shtrëngojë lakun mbi qafën e shqiptarëve, aq më fort do të rritet revolta e tyre për ta shporrur këtë kryeministër dhe qeveri hajdute"