Brenda 3 javësh nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës me pakicë në Shqipëri është rritur me gati 5 herë, nga 173-175 lekë litri para luftës, ka arritur në 214 lekë mesatarisht, dhe në disa pika edhe 217 lekë. Pra një rritje me rreth 22% e çmimit të naftës për konsumatorët shqiptarë.

Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli thotë në emisionin ‘Portofol’ në Report TV se kjo situatë ishte e paparashikueshme.

“Kush do ta parashikonte që Irani do sulmonte tubacionet e gazit natyror? Ishte e fundit fare”, thotë Çoçoli.

Për shkak të shtrenjtimit të shpejtë të çmimit të naftës qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës që do të caktojë çmimet dhe fitimet e kompanive të hidrokarbureve. Fitimi për shumicën do të jetë 3 lekë për litër, ndërsa për pakicën 12 lekë për litër, ndërsa çmimet do të caktohen sipas luhatjeve në bursë.

“Bordet janë të domosdoshme. Në të kujtohet është e vërtetë që the që nuk pritej por qeveria tha diçka që askujt nuk i shkoi. Uroj të mos na zgjasë aq shumë se në 2022 na shkoi me muaj. Na dëmtoi shumë por edhe na ruajti shumë”, thotë Çoçoli.

Situata në Lindjen e Mesme sipas ekspertëve është edhe më problematike se ajo me luftën në Ukrainë.

“Me këtë ritëm nafta bruto mund të shkojë edhe 200 dollarë. Ky bord është i domosdoshëm për të mos patur asnjë lloj abuzimi në treg”, thotë Çoçoli.

Tashmë jemi në kushtet kur pritet të nisë zinxhiri i shtrenjtimit edhe për produktet e tjera, ku më e prekur është shporta ushqimore, që transportin e ka kosto të dytë.

“Nafta është e keqe e jashtëzakonshme. Po mbase është e keqja më e vogël. Po të preken ushqimet ku do vesh pastaj. Kemi me miliarda euro që importon ushqime. Po të të shtrenjtohen ato ku do vesh. Në këtë kuptim është rreziku para nesh. Cunamin e kemi përpara”, thotë Çoçoli.

Çmimi i naftës bruto në bursë është rritur me 20% nga data 4 mars deri më 17 mars, pasi ishte 81 dollarë ka arritur në 103 dollarë fuçia. Ndërsa këtë të premte luhatet në rreth 103 dollarë për fuçia.

Nga ana tjetër shifrat zyrtare tregojnë se kompanitë e kanë zhdoganuar karburantin me gati 1182 dollarë një tonë, me rritje 236 dollarë toni në krahasim me 4 marsin.

Po ashtu qeveria vendosi të ulë edhe akcizën me 20%, ose me rreth 7.7 lekë.

“Në qoftë se do ulet akciza me 1/5, atëherë unë dua si qytetar që 1/5 e uljes së akcizës ta shoh tek çmimi karburanti, të ulet menjëherë”, tha Çoçoli.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:30
Vala e shtrenjtimit të karburantit, rrezikon edhe ushqimet, eksperti: Duhet bord edhe për këto produkte

 

Deri më tani qeveria nuk ka hyrë në veprim për produktet ushqimor, por vetëm po monitoron tregjet. Por ekspertët gjykojnë se situata kërkon ndërhyrje të shpejta për të parandaluar abuzimet me çmimet. Madje sipas tyre edhe për produktet e shportës duhet të ngrihet bordi i transparencës i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në 2023-shin.

“Shqetësimi kryesor janë ushqimet sepse mund të rri qytetari pa e blerë një apartament. Ndërtimi mundet që të presë për çmime pak më konkurruese, por ama qytetari nuk mund të rri pa ngrënë. Tregun e ushqimeve është më delikati, do kemi abuzime të futet edhe këtu bordi”, thotë Çoçoli.

Eksperti thotë se bordet jo gjithmonë janë zgjidhje, por kur situatat janë emergjente duhen ndërhyrë.

“Futja e duarve të qeverisë në treg nuk shihet asnjëherë me sy të mirë sepse tregu i bën vetë rregullat por këtu ne flasim për situata e emergjence ndërkombëtare, pra flasim për luftë, kështu që Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta ndalojë qeverinë kur bëhet fjalë që të zgjasë efektin e ndërhyrjes, por për të përballuar një situatë të jashtëzakonshme qeveria është e detyruar”, tha Shtjefni.

Ora 18:28
Shtrenjtimi i naftës rrit kostot e industrisë së ndërtimit, eksperti: Do reflektohet në çmimin e apartamenteve

 

Kriza e çmimeve të naftës ka prekur industritë në vend. Sipërmarrësi në sektorin e ndërtimit Zef Shtjefni thotë në ‘Portofol’ se kostot e lëndëve djegëse që përdorin për të ndezur fabrikat janë rritur me deri 25%.

“Pasojat po ndjehen menjëherë. Kemi 25% të rritjes së kostos në industrinë tonë, nga materialet tek lëndët djegëse. Tek ne zëri i kostove që zë nafta është vendi i gjashtë pas koksit pas fuqisë punëtore që janë rritur dhe këto tani,  kështu që menjëherë do të reflektohet te çmimet. Rritja e çmimeve të gjithë produktet, automatikisht do rrisin çmimet”, thotë Shtjefni.

Shtjefni thekson se qeveria duhet të futet në treg kur ka shenja abuzimi, pasi sipas tij edhe bizneset janë të detyruar të rrisin çmimet për të përballuar kostot.

“Qeveria duhet të ndërhyjë vetëm kur sheh spekulimet nuk kemi asnjë lloj tendence për të spekuluar me produktet tona, por nuk rrimë dot në këmbë në qoftë se s' lëvizim pak në përputhje me ato që na u rritën këto kohë. Kështu që jemi të detyruar që të lëvizim ose të fikim fabrikat, realisht jemi në servis. Kështu që unë nuk i shikoj prodhuesit e brendshëm që kanë të bëjnë me naftën ose me energjinë që spekulojnë.