Shumë pika të furnizimit me karburant në Gjirokastër kanë mbyllur sot aktivitetin e tyre. Kjo, sipas pronarëve të këtyre pikave të karburantit, ka ndodhur për shkak se naftën që kanë aktualisht stok e kanë blerë shumë më shtrenjtë se çmimi që tregohet aktualisht në treg me 203 lekë/litri, çmim i vendosur nga bordi i transparencës.
Kjo thonë pronarët shkakton humbje të tyre dhe për këtë arsye kanë vendosur mbylljen e pikave të karburantit. Ata njoftojnë se nuk do të ofrojnë shërbim deri në rritjen e çmimit të shitjes së naftës mbi vlerën e blerjes së stokut që kanë. Aktualisht në Gjirokastër ofrojnë shërbimin e tyre vetëm pikat e karburantit Kastrati dhe Bolv Oil.
Kujtojmë se para 5 ditësh Bordi vendosi ulje të çmimi të naftës nga 211 lekë/litër në 203 lekë/litër. Ndërsa sot pritet të vendoset një çmim i ri në Shqipëri, pasi në tregjet ndërkombëtare vihet re një rritje e çmimit të naftës në bursë. Çmimi i naftës Brent sot ka shkuar në 111-112 dollarë për fuçi ndërkohë që sipas analizave pritet një rritje e mëtejshme edhe gjatë ditës.