Viti 2025 shënoi rekord në çmimin e qirave të apartamenteve. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave vetëm në muajin dhjetor qiratë u shtrenjtuan me 8.5% në raport me vitin 2024, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Ekspertët e tregut të pasurive të patundshme vlerësojnë se në treg po ndodh një efekt zinxhir. Blerja e apartamenteve për t’i dhënë më pas me qira po e shtrenjton e tregun e qiradhënies.

“Në momentin që një apartament blihet shtrenjtë dhe për rrjedhojë, ai do të jepet shtrenjtë me qira. Po një nga arsyet më kryesore është fakti që mbas 2021-shit ne patëm një volum shumë të madh ndërtimesh dhe ato apartamente dhe ato objekte kanë përfunduar dhe tashmë janë futur në tregun imobilar, gjë e cila ka shfryrë pak dhe atë kërkesën shumë të madhe”, thotë konsulenti imobiliar Orgest Beti.

Turizmi dhe rritja e kërkesës për apartamente me qira në platformat Booking apo AirBnB, po ndikon gjithashtu në shtrenjtimin e qirave.

“Unë e them gjithmonë që Airbnb i shpalli sfidë hotelerisë dhe për rrjedhojë një pjesë e madhe apartamenteve të cilët do duhet të ishin në tregun imobilar për shitje ose dhe për qira, sigurisht janë marrë nga klientë të ndryshëm dhe i përdorin në platformat Booking dhe Airbnb, çka e bën më të vështirë gjetjen e një apartamenti në lokacione të mira dhe të përshtatshme si për studentët apo për çiftet apo për familjet e reja”, shprehet Beti.

Por a do të ketë në tregun e qirave rënie çmimesh apo një ndalesë të shtrenjtimit?

“Nuk besoj që edhe në të ardhmen ne do të kemi çmime më të lira për qira, sepse dhe standardi është rritur. Në fillim kemi mobilimin cilësor, kemi arredimin luksoz, por nga ana tjetër kemi dhe pallate të viteve të fundit të cilët kanë po themi një standard dhe kualitet shumë më të lartë”, thotë Beti.

Qiratë në zonat periferike të Tiranës për apartamente 1+1 nisin nga 250 euro, për hapësira më të mëdha çmimi është shumë më i lartë.

“Po le të themi fillon minimalisht është nga 250€ në zonat që ne i konsiderojmë pak larg si Fresku, Paskuqani që mund të gjejmë diçka më lirë apo dhe në autostradë në Tiranë, në Durrës që janë çmime diçka më të lira. Pastaj në qendër dhe sa më afër të afrohesh qendrës sigurisht që janë më të shtrenjta”, tha Beti.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit, çmimet e rritura të qirave ishin edhe një prej faktorëve kryesorë që rritën inflacionin. Sipas INSTAT mesatarisht shtrenjtimi i qirave vjet ishte me 4.5% krahasuar me vitin 2024. Me ritëm edhe më të shpejtë u rritën çmimet e apartamenteve vjet me gati 41% vetëm në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës.