Ç'nuk na tha Konica...

Ç'nuk na tha Konica...

Faik Konica

Sa herë do të hapim e rihapim një libër të Fishtës, Konicës, Nolit, vëllezërve Frashëri, do të na përplasen në sy fakte që njerëzit tanë më të mirë, më të vërtetë e të rrallë na i thanë në sy. Na i thanë ashtu, herë me të mirë e herë me të keq, herë ëmbël e herë hidhur, por na i thanë. Na folën për trimërinë, por edhe për dembelizmin, folën për besën, por edhe për tradhëtinë, për atdhedashurinë e për injorancën, për lindjen e perëndimin, për natyrën, artin e bukurinë. Të gjithë, pa përjashtim, shkruan e folën pa u lodhur për shqiptarët e përmirësimin e Shqipërisë.

Nëse në kakofoninë e mendimeve dhe të hileve të sotme, nuk arrijmë të marrim vesh të vërtetën, një kandar i mirë për të peshuar fjalët, është ai i atyre djemve e vajzave më të ndricuar  që jetuan në Shqipërinë e fundit të viteve '800 deri në mes të '900. Tek ata mund të verifikojmë e të peshojmë shqiptarët e sotëm, te Fishta, Noli, Konica, Frashërllinjtë etj. mund të gjejmë strehën sqaruese të kontradiktave tona; te veprat e tyre mund "të përkthejmë" sot Shqipërinë.

Eshtë paradoksale, por defektet tona të sotme janë të njëjta si ato të para 100 viteve. Nëse edhe sot, shumë shqiptarë ndjekin e dashurojnë qorrazi një individ, pa peshuar punën dhe fjalën e tij, e njëjta gjë ndodhte me shqiptarët e vjetër, pa shumë ndryshim. Ja c'shkruante Konica në 1898 e nuk e lexuam apo dëgjuam, se po ta bënim, ndoshta Enver Hoxhën, më vonë, do ta shihnim më me dyshim, apo edhe të tjerë individë vrasës të fjalës e të vërtetës edhe në dekomraci: "Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat, se kapej pas individëve dhe jo pas ideve. Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me gjithë forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë, jo t'i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari", shkruante Konica.

Edhe për punën, nuk kanë ngurruar asnjëherë, të gjithë të ndricuarit tanë, të na nxisin, në një formë a një tjetër, në një moment a një tjetër, ata kërkuan që shqiptari t'i linte kafenetë e vetëpëlqimet, por të punonte. Ja përsëri Konica, që edhe atëherë po ta lexonim a ta dëgjonim, sot, e përgjithshmja, do të kishte ndryshim:

"Bëhuni Burra. Rrëmbeni kazmat. Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni. Jo fjalë, por kazëm. Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s'qaj dot".

Janë dy "pilula" të ndryshme koniciane, kaq të domosdoshme edhe sot. Për kë vërtetë dëshiron.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë