Historiku i Sigurimit për sekretarin e Faik Konicës: Pas burgut, banoi në një xhami në Tiranë e më pas në Tepelenë! Vdiq në spitalin e Gjirokastrës, ku Komunalja hapi një gropë…

Historiku i Sigurimit për sekretarin e Faik Konicës: Pas burgut, banoi në një xhami në Tiranë e më pas në Tepelenë! Vdiq në spitalin e Gjirokastrës, ku Komunalja hapi një gropë…

Memorie.al/ publikon një studim të kryer nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të titulluar; “ZHDUKUR – SIGURIMI NË FJALËT E VETA”, 19 DEGË SIGURIMI, 3299 JETË, 1 HISTORI’, në të cilin është shfrytëzuar ‘Historiku i Sigurimit të Shtetit’, që i përket një periudhë kohore nga viti 1943, deri në 1991-in, ku janë përfshirë 19 degë të Sigurimit të Shtetit, të rretheve: Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë.

“Ata që mendojnë se regjimet komuniste janë vepër vetëm e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur…”!

Milan Kundera, “Lehtësia e padurueshme e qenies”                       

SKRAPARI

Drita e bodrumit

Një qen dhe një bodrum. Matanë një fshatar që fsheh dhe raporton. Ditë më vonë, një tjetër fshatar që ruan dhe raporton. Në fund, komunizëm që nuk njeh fund dhe dy vëllezër viktima.

Në janar të 1945-s, Sigurimi mëson përmes një bashkëpunëtori, se në zonën e Tomorricës, në katundin Vidhan, ishte parë i arratisuri R.B., i cili për banim, kishte rregulluar një bodrum në tokë, e si masë sigurimi, përdorte një qen, të cilin, kur rrinte në bodrum, e lëshonte dhe kur largohej, e lidhte. “I besuari i informativit, thirri një fshatar nga Vidhanji dhe e ngarkoi me detyrën, që kur i arratisuri të ishte në bodrum, ta njoftonte. Mbas disa ditësh ai e informon, u organizua një rrethim nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit, u kap dhe u ekzekutua, bashkë me të vëllanë e tij”.

Vetëvrasja e Dervish Kapllanit

“Më mirë i vdekur, se në duart e Sigurimit”! Në janar të ’45-ës, një fshatar nga Zaloshnja, informon organin e Mbrojtjes së Popullit, se në shtëpinë e S. M., strehohej Dervish Kapllani, i arratisur në male. Sigurimi organizoi operacionin për kapjen e tij, por dështoi, për shkak se ai u largua. Gjatë kësaj kohe u arrestua një nga të afërmit e strehuesit, i cili deklaroi se Dervish Kapllani, kishte qenë në shtëpinë e tij dhe më pas ishte larguar në katundin Gradec, te S. Gj.

I thirrur nga Sigurimi, S. Gj., deklaroi se Dervish Kapllani, ishte larguar për në katundin Faqekuq, por nga informatat e marra nga populli, Sigurimi mësonte që Kapllani ishte në Krastë te B. Gj., i cili informoi menjëherë në postën e policisë në Potom. “Nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit, u organizua rrethimi dhe krimineli u kap dhe, duke e shoqëruar për në Çorovodë, rrugës ai çau barkun me një brisk që kishte me vete dhe vdes”.

Parashutat që i ndali buka

Në librin “Operacioni i CIA dhe MI16 në Shqipëri, 1949-1953”, Sefer Muço, një prej të arratisurve që kthehej në Shqipëri fshehurazi për të nxitur kryengritjen, rrëfen se një prej herëve, kur ai hyri në vend me Sami Bardhën, Bardha shkoi të takonte të ëmën, ajo foli me disa njerëz, Sigurimi e mori vesh dhe e vranë. “Desh më kapën dhe mua”, shton Muço. Shpjegimet e tij për situatën në Shqipëri, përkojnë me Historikun e Sigurimit të Skraparit, sa i takon të vrarëve, por jo varfërisë së tejskajshme.

“Ishte më e rrezikshme se më 1949, më e rrezikshme se më 1950. Nuk kishte mjaftueshëm bukë, çdo gjë ishte me racion dhe njerëzit ishin të trembur”. Nga historikët e Sigurimit, dalin disa herë informacionet për ardhjen e Ali Turbohovës me të tjerë. “Në shtator 1949, Zbulimi anglez, nëpërmjet Italisë, dërgoi bandën e kryesuar nga Ali Turbohova, e përbërë prej pesë vetash, e cila qarkulloi për pak kohë në Lushnjë dhe Berat. U diktuan në katundin Brezenckë, ku njëri prej pjesëtarëve, M. H., kishte njerëzit e tij të familjes. Kësaj bande iu organizua prita, por për organizim jo të mirë dhe që të dy pjesëtarët e njiheshin mirë zonën, arritën të largoheshin.

Më vonë u morën informata që M. H., kishte mundur të shkonte në shtëpinë e tij të takonte babain dhe vëllain e tij”.

Turbohova kishte qenë kapter milicie, më pas partizan. Akuzohej se më 22 qershor 1943, kishte vrarë komisarin e çetës Ramis Aranitasin, figurë kyçe e Sigurimit gjatë Luftës. Më pas do të kalonte me Ballin, për t’u rikthyer disa herë me misione, në bashkëpunim me anglo-amerikanët.

Vrasja e vëllait

Siç del në librin e botuar nga Nikolas Betel, “Operacioni i CIA dhe MI16 në Shqipëri, 1949-1953”, në gusht 1951, një grup luftëtarësh që donin të shihnin Shqipërinë e lirë, u dërguan në vend. “Tefik Kokla, ishte drejtuesi dhe në grup ishin edhe Ali Turbuhova, Muharrem Hito, Baki Ermenji dhe Muço Çeprati. Ata shkuan me varkë. Takuan forcat komuniste, Kokla u vra, ndërsa Çeprati u kap”.

Sigurimi e rrëfen ngjarjen në prizmin e tij: “Vrasja e kryetarit të bandës, Tefik Kokla, nga forcat e Gramshit, si dhe diktimi i dy pjesëtarëve të saj në zonën e Potomit, tregoi se ajo ishte e përfshirë në drejtime të ndryshme. Në kohë kur në Turbohovë pritej të kapej Aliu, B.p., “Dafina”, që punonte si mullixhi në zonën e Çepanit, raportoi se në Blezenckë, është diktuar i arratisuri Muharrem Hito”. Për kapjen e tij u zunë të gjitha pritat e mundshme dhe në mbrëmje, mbi fshat, kur vëllai i tij Zaim Hito i çon ushqimin dhe po kthehej në familje, vritet nga këto prita “se u mendua se ishte Muharrem Hito. Muharremi përfitoi nga rasti dhe arriti të largohej”!

LIBRAZHDI

“Arma e Sigurimit të Shtetit, është dora e çelniktë e popullit që ndërton socializmin. Ta bëni atë të pathyeshme dhe të ngrini lart e më lart lavdinë e saj”. Enver Hoxha

Likuidime lufte

Rrjeti informativ i organizuar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, zhvilloi edhe luftën brenda llojit, krahas asaj çlirimtare dhe asaj me ‘Ballin’. Në këtë kuadër, duke e cilësuar si luftë për “ruajtjen e pastërtisë së radhëve të partizanëve nga depërtimi i elementëve armiq e spiunë, që ishin vënë në shërbim të okupatorit”, ata ndjekin D. Z. nga fshati Farret, pjesë e Batalionit partizan të Bërzeshtës.

Për Sigurimin, shumë shpejt ai bëhet armik, pasi gjatë Operacionit të Qershorit të vitit 1944, në zbatim të udhëzimeve që kishte marrë, filloi të propagandonte për pamundësinë e fitores së Luftës Nacionalçlirimtare dhe nxiste partizanët, që të dezertonin nga radhët e batalionit partizan, duke thënë se gjermanët janë të pathyeshëm dhe se do të dilnin fitimtarë. “Si rezultat i këtyre, u morën masa nga Sigurimi, për forcimin e rrjetit informativ, ku u arrit të zbulohej veprimtaria armiqësore e spiunit dhe me vendim të gjyqit, partizani u dënua me pushkatim”.

“Kërdia dhe rënia e ‘Kasapit”

Azem Çela mbeti i vrarë dhe Jakup Çezma u plagos, kur njësia e Mbrojtjes së Popullit, bëri rrethimin e vendit ku ndodheshin. “Njësia po kërkonte me ngulm spastrimin nga armiqtë edhe në zonës e Qarrishtes, ku kishin informacion se kishte lëvizje. Në krye të forcave që po drejtoheshin për nga mali i Mirakut, u vendos informatori “Kasapi”, i cili ishte edhe i armatosur. Mbasi bënë krasitjen e pyllit, gjetën të gdhendur në një trung fjalët; “Rrofshin Biçakçinjtë!” dhe pak më tej “filloi përpjekja”, term që Sigurimi përdor për përplasjet me armë, mes kundërshtarëve të regjimit dhe Forcave të Ndjekjes së Sigurimit. “Nga luftimet mbeti i vrarë Halil Alla, ndërsa Isak Alla dhe Hazis Biçaku, u plagosën dhe arritën të largohen. Nga Forcat e Ndjekjes, mbeti i vrarë drejtuesi i tyre”.

Kur nisi përndjekja e poetëve

Bardho (Feim) dhe Nergjize Leka, u bënë me djalë në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, në vitin 1941. Nëntë vjet më vonë, më 1950, Bardho Leka arratiset dhe vendoset në Prizren.

Sipas rrëfimeve të Bedri Blloshmit, Genci u rrit, herë me bukë e, herë pa bukë dhe vazhdimisht zbathur. Bashkë me dy motrat e tij, e degdisën në shkretëtirën e Tepelenës. Ai mundi të mbarojë Pedagogjiken në Elbasan, si i jashtëm, duke e strehuar një mik i vjetër i familjes.

“Në vitin 1959, Gencit i hapën kartelën dhe e ndiqnin këmba – këmbës. Dosja e ndjekjes ka vazhduar deri më datën 31 gusht 1976, kur Genc Lekës i hodhën prangat, për të mos ia hequr më kurrë”, thotë Blloshmi.

Në Historikun e Librazhdit, emri i Bardho Lekës, del herë pas here. Më 1951, Sigurimi ka informacion se ai ka rihyrë në Shqipëri dhe është parë në Stravaj. Babai i mikut të tij R. Z., në hetuesi pranonte se, e kish takuar të birin e arratisur. Më 1952, informatori “Spiuni i kuq”, raportonte më 5 prill 1952, se Bardho Leka, së bashku me shokët e tij, D. B. e R. Z., kanë qenë në shtëpinë e D. V. e Sh. Z. Sigurimi hartoi një plan masash, duke u bërë edhe studimi “i elementeve që implikoheshin në veprimtarinë armiqësore, prej të cilëve më aktivë ishin, H. B, K. B., I. B., së bashku me N. L. Si kandidat më i përshtatshëm, u gjend I. B., i cili, mbi bazën e materialit shtrëngues, u tërhoq në bashkëpunim sekret nga organet tona me pseudonimin ”I dyshimti”.

Sigurimi pranoi se I. B., nuk dha asgjë, ndonëse “pranoi”. Më 17 korrik 1977, në Librazhd, u pushkatuan dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Historia e tyre niste me luftën. “Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë, Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur”, Vilson Blloshmi

TEPELENA

Pinjolli i pavarësisë, vdes në dhomën e izolimit

Nën titullin; “Zbulimi dhe kapja e veprimtarisë armiqësore të elementëve anti parti”, Historiku i Sigurimit të Shtetit në Tepelenë, mes të arrestuarve në fusha të ndryshme, përmend “Ahmet Jegenin, si lidhje e komplotistëve në fushën e ekonomisë, i cili vdiq në dhomat e izolimit”. Por një fjali e vetme nuk mund të fshehë një histori të tërë. Ahmet Jegeni rridhte nga një familje e pasur e Dibrës. Gjyshi i tij, Shaqir Beg Jegeni, kishte qenë delegat në Vlorë, për shpalljen e Pavarësisë më 1912.

Ahmeti i ri studioi Financë në Modena dhe më 1939, nuk pranoi betimin fashist dhe bashkë me Abdyl Këllezin, u internua në Ventottene dhe Gaeta. Më 1942, kthehet në Shqipëri dhe është krah Dali Ndreut, në çetën e Dibrës së Madhe. Pas lufte mban poste të ndryshme në administratë. Nga 1949-a, deri më 1971-in, punon në Durrës ku, për një kohë, ishte drejtor i Portit Detar. Më 1971, transferohet në Tiranë, si Drejtor i Drejtorisë së Jashtme të Tregtisë dhe në vitin 1975, transferohet në Tepelenë. Është atje, kur në Tiranë goditet “grupi sabotator në ekonomi”, në krye të të cilit, janë dy zëvendëskryeministrat, Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, si edhe Kiço Ngjela e Vasil Kati.

“Nevzat Hasnedari me një grup nga Tirana, e prisnin te hoteli i qytetit. I vunë hekurat dhe për gjithë natën e prunë në birucat e burgut në Tiranë. Aty nisi kalvari i torturave mbi të, që të pranonte akuzat, por Ahmeti i nuk pranoi. Ai dhe Andrea Manço, vdiqën në tortura gjatë hetuesisë”, thotë dëshmia e të afërmve të tij, Tefik e Ardian Jegeni.

Në burg ishte shprehur se; “një gabim bana në rininë time, që u bana komunist”. Pas daljes nga burgu, Kiço Ngjela shkoi të takonte gruan e Ahmet Jegenit, Dhuratën, duke i thënë të ishte krenare për burrin besnik dhe qëndrimin që ai kishte mbajtur në hetuesi.

Hito Sadiku, gropa e cekët buzë Vjose

Një portret i papërfunduar i Hito Sadikut, rrëfen një burrë që kish mbetur jetim në moshë të njomë, kish humbur motra e vëllezër e, mandej kish ikur në Amerikë për të prekur ëndrrën amerikane! Matanë oqeanit është pjesë e “Vatrës”, e shumë shpejt njihet si “poeti”. Mik i ngushtë i Faik Konicës, prej tij merr nervin për polemika, siç edhe shpërfaq figurën e vet poliedrike. Nga sekretar i konsullatës shqiptare në Uashington, për 12 vjet, deri në 1940, kur lufta kish nisur, më 1941 ai gjendet në Itali, jo vetëm si gazetar. Dy vite më vonë, lidhet me misionet anglo-amerikane dhe është përkthyes i misionit. Njohja me Harry Fultz-in, e sjell në Shqipëri më 1944. Dhe toka amë bëhet toka e dhembjes. Arrestohet më 15 maj 1947, në një ditë me Petro Markon, si mik i tij dhe mik i Konicës.

Bashkëshortja e Petro Markos, Safoja, e kujtonte me dhembje. “U arrestua në të njëjtën kohë me Petron dhe unë iu shpija të dyve ushqim në burg. Ndërsa ishte i izoluar, më erdhi një letër nga gruaja, me të cilën bashkëjetonte në Romë…! Ermioni Violet….. “Lutem më sqaroni, ku është Hitua…?! I shkruaj dhe nuk më përgjigjet….?! Unë s’iu përgjigja asaj…! S’na linin…! Ankthi dhe terrori, bënin roje…”! Një natë, toga e pushkatimit e vë para, derisa nga radha e vdekjes, e nxjerr një bashkëfshatar.

Kur del nga burgu, është i pastrehë. Banon në një xhami në Tiranë. Në zgrip të mbijetesës, kthehet në Bënçë të Tepelenës, ku kish lindur dhe jeton i vetëm. Është plakur shumë shpejt, ndonëse është vetëm 53 vjeç. Trupi i ka humbur fuqitë. Ose i rrahur në rrethana të paqarta, ose për shkak të gjendjes në të cilën jetonte, një natë e çojnë në spitalin e Gjirokastrës, me tëmth të plasur. Nuk ia del. Komunalja hap një gropë për të, buzë bregut të lumit Vjosë, e mendohet se shirat e vjeshtës, marrin me vete trupin e tij.

Në të gjallë kishte shpresa, se Amerika do të ndërhynte, edhe pse do të ishte vonë, pasi Sekretari Amerikan i Shtetit që sapo kishte marrë detyrën, Xhon Foster, kishte qenë shok i Faik Konicës. “Ai është për ndalimin e përparimit të fuqisë komuniste…! Këto që do të bëjë ai kundër komunizmit, do t’i shohësh ti. Unë jo. Ky plan do vite të realizohet…”! i thoshte Sherif Delvinës. Hito Sadiku, e dinte dhe kishte shkruar në “New York Times”, se “fati i kombeve të vogla, është zakonisht i vendosur nga ndikimet e huaja. Në këtë drejtim, historia e Shqipërisë, s’paraqet asnjë përjashtim”.

“Atdheu është lakuriq” e poeti pa varr

“Po të më jepni një top, do të qëlloj mbi regjimin tuaj”. Salla e gjyqit mpihet, ndërsa poeti Trifon Xhagjika, e di se fundi është afër dhe nuk kishte asgjë për të humbur. E kish deklaruar atdheun lakuriq, përmes poezive të tij. Ushtarak e gazetar, punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes dhe redaksisë së “Luftëtarit”, udhëtimi i tij kishte nisur në Peshtan të Tepelenës, drejt ‘Normales’ së Elbasanit, derisa Tirana u bë stacioni dhe më pas varri i tij.

Si gazetar do të kishte miq edhe Vangjel Lezhon dhe Fadil Kokomanin. Ndaj kur Vangjeli akuzohet për arratisje, shumë shpejt, akuza ndërton një grup armiqësor, ku përfshihen edhe Kokomani, Thoma e Stavri Rafaeli, Franko Sara, Robert Vullkani dhe Trifon Xhagjika, të gjithë me tendencë arratisjeje. Sapo kishte botuar librin me poezi, “Gjurmët” dhe penën e tij e vlerësonin Dritëro Agolli e Drago Siliqi. Një ditë, mungesa e tij, nisi të binte në sy. Familjarët e morën vesh vetëm pas disa ditësh se ishte arrestuar.

“Trifoni, me sa duket, e kishte para ndjerë arrestimin. Atë ditë, si asnjëherë tjetër, nuk e lejoi Santën, ta përcillte deri te porta e shtëpisë, me justifikimin se e priste jashtë një “Xhip”-s i punës”. Ju kishte thënë se do të shkonte për një shërbim në Vlorë. “Trifonin e kishin prangosur për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. E kishin arrestuar për letërsinë dekadente që krijonte…” thoshte e motra, Sotira, pak vite më parë.

Ishte gusht 1963, kur u arrestua dhe u dënua me pushkatim, bashkë me Thoma Rafaelin. Vendimi u ekzekutua dhjetorin e vitit 1963. Ende nuk dihet ku janë eshtrat e tij.

Vëllezër, po e kërkuat Atdheun,

e kam unë.

Ndihmomëni të qesh,

Ndihmomëni të gëzoj,

Atdheu është lakuriq”

Trifon Xhagjika

Shtypja e një kryengritjeje

Historia e njeh si grupin e kryengritjes së Zhapokikës, Sigurimi si; “banda e Xhemal Ibrahimit dhe Bajram Kamberit”. Kryengritja e Zhapokikës, ishte një revoltë e armatosur, organizuar në jug të vendit, në muajt shtator-tetor 1948, nga një grup antikomunistësh të zonës së Tepelenës që, të pakënaqur me qeverisjen dhe shtypjen, rreken të sforcuar të sulmojnë regjimin diktatorial. Mes tyre, kishte ish- partizanë, ish-nacionalistë, nëpunës të administratës lokale të zonës. Kryengritja ishte ndër të parat lëvizje të forta antikomuniste, në jug. Në krye të saj, ishte Xhemal Brahim Asllani, ish-partizan.

Sigurimi, në Historikun e vet e përcjell ngjarjen telegrafikisht: “Mbas 48 orë luftimesh, kjo çetë reaksionare u shpartallua krejtësisht. Nga 37 veta që kishte kjo çetë reaksionare, u vranë 5 veta, u kapën 32 dhe mundi të shpëtojë e të arratisej jashtë shtetit, vetëm një pjesëtar i kësaj bande, Xhemal Brahimi. Nga personat e kapur u dënuan nga Gjykata Popullore, me vendimin e datës 6.7.1949 – me pushkatim 2 veta, me burgim, 25 deri në 2 vjet, sipas shkallës së fajita, 20 veta dhe 10 të tjerë, u lanë të lirë. Seksioni i Sigurimit, tërhoqi në shërbim 2 prej tyre, me qëllim që të kontrollonte në të ardhmen veprimtarinë e tyre”.

I mbetur në arrati, por brenda Shqipërisë, ishte krahu i djathtë i Brahimit, Bajram Kamberi. Për kapjen e tij, Sigurimi pranon se bëri një kombinacion (term që nënkupton kurth me bashkëpunëtorë). U tërhoq në shërbim një mik i tij, bari nga Përmeti, që kishte një stan. Komandant Bajram Kamberi, u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua më 21 korrik 1949, në Gjirokastër. Ndërsa familja e Brahimit, njohu internimin dhe burgjet.

Grupi armiqësor i priftit të Leklit

Kleriku orthodoks, Gjergj Suli, kishte lindur në Lekël dhe, pas studimeve në Zoisimea, shkoi në SHBA-ës, ku u shugurua meshtar. I njohur i Nolit dhe grupit të “Vatrës”, në vitet 1930, ai kthehet në Shqipëri dhe shërben në disa fshatra. Kundërshtar i pushtimit fashist dhe skeptik për qasjen bolshevike që nuhaste në vend, ra shpejt në sy. Dokumentet e Sigurimit, ngarkojnë me barrë një banor të fshatit, që e ka denoncuar Gjergj Sulin, si “kriminel”.

“Në vitin 1946, hidhet në arrati nga fshati Dhemblan, Kaso Ismaili dhe krijon bandë me Ramadan Çaushin e Shefqet Hanën, të cilët u lidhën me grupin e kryesuar nga Gjergj Suli. Kjo bandë, vihet menjëherë në ndjekje nga organet e Sigurimit dhe në bashkëpunim me popullin, u arrit të asgjësohet brenda vitit 1946”. Prifti dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet në janar 1948.

“Si rezultat i luftës që bënë organet e Sigurimit të Shtetit, kundër kriminelëve të luftës dhe bandave të armatosura, u arrit që brenda vitit 1948, të zbulonin dhe të kapnin 27 veta, nga 42 që ishin. Nga këto, 21 u ekzekutuan dhe 6 u dënuan me afate të ndryshme, 12 veta mundën të arratisen jashtë vendit, kurse 3 veta, nuk dihet se ç’u bë me to”.

7 diversantë asgjësohen, kurse 7 të tjerë, me Izet Vrazhdon, kthehen në Greqi. Mit’hat Maze, i plagosur dhe i ndarë nga grupi, shkon në katundin Salari dhe kërkon strehim te V. B., i cili ishte i armatosur nga organet e Brendshme. V. qëllon mbi Mit’hatin dhe e plagos sërish atë. Ai i plagosur bie në kontakt me një lidhje të vet, i cili e strehon dhe e ndihmon, por i plagosur, ai nuk mund të qëndronte gjatë në shpellë dhe lidhja e tij kërkoi ndihmë tek B.p., ‘Armata’, i cili njofton seksionin e Sigurimit, për vendin ku strehohej Mit’hati dhe për kapjen e tij, u organizua një kombinacion me anën e B.p. ‘Armata’.

Synimi i veprimtarisë armiqësore ka qenë: t’u kundërviheshin direktivave të Partisë dhe qeverisë, të mundohenin të përçanin unitetin e popullit dhe të mblidhnin pakënaqësi e pasiguri në ekzistencën e pushtetit popullor, me shpresën për ndryshimin e situatës me anë të ndërhyrjes nga jashtë, sidomos pas okupimit të Çekosllovakisë.

Veprimtarinë armiqësore, elementë armiq janë munduar ta shtrijnë edhe në moshat e reja, duke nxitur shthurjen në shkollë, familje dhe akte vagabondazhi deri në tradhti ndaj atdheut. Në radhët e rinisë shkollore, janë futur materiale me përmbajtje armiqësore, liberale e pesimiste, këngë të huaj, etj, me qëllim degjenerimi.

Deri në 1971, rezultatet në zbulimin, goditjen e parandalimin e veprimtarisë armiqësore dhe keqbërëse, kanë qenë të ulta, kështu kanë qenë të evidentuar vetëm 12, e këta në përpunim agjentural 2/A, goditjet me arrestim kanë qenë të pakta. 1 në vitin 1967, në vitin 1968, nuk ka pasur asnjë goditje, 2 në vitin 1969 dhe 2 të tjera gjatë viteve 1970-1971.

Janë demaskuar 9 persona dhe janë këshilluar 21 të tjerë. Në vitin 1972 dhe më vonë është bërë një punë e organizuar e me rendiment si në zbulim, ashtu edhe në goditjen e parandalimin e veprimtarisë armiqësore, ku ka pasur 19 përpunime me 2/A, 3 P.P, (Përpunim paraprak) 82 në kontroll operativ 2/B dhe 229 veta në kontigjent. Në vitin 1973, kanë qenë 18 në përpunim agjentural 2/A, 11. P.P. 86 në 2/B dhe 236 në kontingjent./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës