Çollaku: Të deklasifikohen të gjitha dosjet e Sigurimit në periudhën 1944-1991

Çollaku: Të deklasifikohen të gjitha dosjet e Sigurimit në periudhën 1944-1991

Deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çolllaku në një deklaratë për mediat thotë se janë të vendosur për transparencë të plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Pas PS-së, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot në Kuvend një projektligj për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1991.

‘Ashtu sic është bërë me dije, një grup deputetësh dhe ekspertësh të Partisë Demokratike kanë punuar me përkushtim gjatë kësaj kohe për përgatitjen e një pakete ligjore që synon dekomunistizimin e plotë të vendit dhe ndarjen një herë e mirë nga e kaluara komuniste. Në këtë kuadër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një nismë ligjore për shpalljen muze kombëtar të Kampit të Punës së Detyruar të të Burgosurve në Spac dhe Kampin e Internimit Tela me Gjemba Tepelenë. Ndërsa, sot kemi depozituar një projektligj që sanksionon deklasifikimin e plotë dhe hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 1944–1991.

31 vite pas rënies së regjimit komunist, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e asaj që ishte diktatura më e egër dhe më cnjerëzore, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe të Evropës e më gjërë. Zbardhja e plotë e së vërtetës lidhur me atë që ishte dhe përfaqësonte regjimi komunist nuk mund të kuptohet pa zbardhur atë pjesë të historisë që ishte ana më e errët e saj, pikërisht Sigurimi i Shtetit. Kjo strukturë përfaqësonte frikësimin, dhunën dhe terrorin që shteti diktatorial kërkonte të depërtonte në mendjen e cdo qytetari shqiptar, për të parandaluar cdo lloj përpjekje kundërshtie apo revolte.

Jo vetëm kaq, por në ato dokumente gjenden të dhëna dhe foto për fatin e mijëra shqiptarëve të pushkaktuar, të gjymtuar, të torturuar, të dënuar dhe internuar në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Zbardhja e atyre dokumenteve do t’iu shërbejë këtyre personave, por edhe familjeve të tyre për të mësuar të vërtetën e dhimbshme të asaj që ishte jeta e tyre për 45 vite. Në këtë kuptim, ky projektligj realizon një të drejtë thelbësore për këta individë, që është e drejta për të mësuar të vërtetën e jetës dhe familjes së tyre deri në fund. Por, mbi të gjitha ky projektligj realizon edhe një qëllim tjetër parësor për të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë në të drejtën e tyre legjitime për të njohur e kuptuar historinë e afërt të paraardhësve, familjeve, të afërmve, miqve dhe vendit të tyre.

Një popull që harron historinë e tij, është i dënuar ta përsërisë atë, thotë filozofi spanjoll George Santayna. Zbardhja e këtyre dokumenteve do t’i shërbejë edhe kujtesës historike të popullit shqiptar, në mënyrë që struktura dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më në të ardhmen. Historia 31-vjecare postkomuniste ka provuar se shqiptarët nuk janë hakmarrës, nuk kërkojnë shpagim, nuk urrejnë, por kërkojnë me ngulm të dinë të vërtetën tërësore të asaj që kaluan në Shqipërinë burg të viteve 1944 – 1991. Është detyrimi ynë si ligjvënës të Shqipërisë postkomuniste, që të ndërtojmë mekanizmat ligjorë të nevojshëm, për të realizuar këtë të drejtë kaq bazike, gjithëaq thelbësore, për ata që ne përfaqësojmë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet këtij projektligji, duke i hapur rrugë deklasifikimit të plotë të të gjitha dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991.  

Prandaj, ne, një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, forcës politike që lindi më 8 dhjetor 1990, pikërisht si nevojë jetike për t’i dhënë fund regjimit komunist, kanë paraqitur këtë nismë ligjore, me qëllim që cdo qytetari t’i jepet e drejta dhe mundësia për të njohur historinë e regjimit komunist, deri në skutat më të errëta të saj, që mishëron më së miri nga ish-Sigurimi i Shtetit. Ky projektligj është në harmoni të plotë me ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”, dhe synon një zgjerim thelbësor të tij, në mënyrë që e drejta për t’u informuar të mos kufizohet vetëm tek të prekurit, por edhe cdo qytetar tjetër i interesuar. Po ashtu, ky projektligj është në harmoni me ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, i ndryshuar, vecanërisht nenin 13, paragrafi i kartërt, i cili përcakton se “Në raste të vecanta, informacioni i klasifikuar, mund të deklasifikohet kur publikimi i tij diktohet nga interesa shtetërorë më të rëndësishme se nevoja për ta mbajtur atë të klasifikuar.”

Për Partinë Demokratike, kjo nuk ka qenë dhe nuk është një cështje emrash, por parimesh dhe standardesh. Ne jemi të vendosur për transparencë të plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, dhe krahas dy nismave të depozituara, Partia Demokratike ka gati projektligjin për dekomunistizimin e simbolikave të diktaturës komuniste, ndërsa rrethanat diktojnë domosdoshmërinë e një nismë gjithëpërfshirë për pastrimin e plotë të administratës shtetërore dhe funksioneve të larta publike nga cdo person i lidhur me Sigurimin e Shtetit dhe nomenklaturën komuniste. Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare është një vlerë themelore e Partisë Demokratike, e sanksionuar në nenin 2 të Statutit të saj. Prandaj, është detyrimi dhe vokacioni ynë – por, edhe nevojë urgjente e shoqërisë shqiptare – të bëjmë gjithcka mundemi për realizimin e këtij misioni.’- tha Çollaku.

(Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote)


Lajmi kryesor:

Meta bashkëpunëtor i Sigurimit? PS dhe PD kërkojnë ndryshime ligjore! Bushka: Në 'filtër' edhe ata që janë verifikuar më parë! Çollaku: Të hapen të gjitha dosjet


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës