Seanca paraprake në GJKKO për dosjen e Erion Veliajt është shtyrë për në datën 10 tetor në orën 09:00. Shkak u bënë njoftimet që nuk ishin bërë për disa nga të pandehurit. Për këtë dosje përveç Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, të pandehur janë edhe 28 persona dhe shoqëri.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në gjykatë, por u përfaqësua nga avokati Artur Selmani. E pranishme ishte ish-deputetja Klodilda Bushka, gjithashtu e marrë e pandehur për veprime që fshehin të vërtetën. Ndërsa SPAK u përfaqësua nga dy prokurorët, Altin Dumani dhe Ols Dado.
Veliaj do të përballet në gjykatë me pesë akuza të rënda: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli. Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, në marrëdhënie me disa kompani që, në këmbim të përfitimeve të parregullta në para dhe pasuri të paluajtshme, kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, gjithashtu në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ajo akuzohet po ashtu për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave. Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Një tjetër i pandehur është Fatjon Baci, gardiani i burgut të Durrësit, i cili akuzohet se i dha telefonin celular Veliajt gjatë transferimit nga qelia në gjykatë, në dy raste të veçanta.
Veliaj ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar lirimin nga qelia. Seanca për shqyrtimin e kërkesës është caktuar për 2 tetor, ndërsa relatore e çështjes do jetë gjyqtarja Albana Boksi.
Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Por, sot Veliaj depozitoi ankimin në Kushtetuese, kërkesë e cila pezullon shkarkimin e tij dhe bllokon zgjedhjet e parakohshme në Tiranë deri kur të shprehet gjykata më e lartë në vend.
Komente










