Napoli fitoi mbrëmjen e të hënës 1-0 kundër Milanit në 'Maradona' duke qenë skuadra anti-Inter në garën për titullin kampion të Serie A. Megjithatë pas ndeshjes trajneri i Napolit, Antonio Conte, nuk mund të mos pyetej për një rikthim në krye të stolit të kombëtares së Italisë, dhjetë vite pas aventurës së tij të parë. Conte ka edhe një vit kontratë me Napolin.
"Kjo fitore sjell shumë entuziazëm dhe besim. Nuk duhet të harrojmë se, nëse jemi në vend të dytë, duhet t’u jemi mirënjohës atyre që kanë mbuluar mungesat, duke na bërë kaq konstantë. Mungonin Hojlund, Di Lorenzo, Rrahmani, Neres, që janë titullarë.
Gjërat e jashtëzakonshme i kemi bërë në periudha emergjence, ku skuadra të tjera do të ishin ‘mbytur’. Po rikuperojmë lojtarë dhe kemi mundësi për më shumë zgjedhje. Kemi bërë një hap të rëndësishëm për Championsin. Nëse është një objektiv i Juventusit apo Milanit, nuk ka arsye pse të mos jetë edhe yni. Interi po bën një rrugëtim të rëndësishëm dhe e meriton të jetë i pari”, tha Conte.
Sa i takon çështjes së kombëtares italiane, ai u shpreh se është e drejtë që emri i tij të jetë në listën e kandidatëve.
“U fol edhe vitin e kaluar, tre muajt e fundit, se do të ikja nga Napoli për te Juventusi. Shtypi shkruan, normale që emri im është në atë listë. Nëse do të isha president i Federatës, do ta merrja në konsideratë, bashkë me të tjerët. Për shumë arsye Conten do ta vendosja në listë.
Kam qenë trajner i Italisë, e njoh ambientin. Më pëlqen, sepse është bukur të përfaqësosh vendin tënd. E dini mirë që kam edhe një vit kontratë me Napolin dhe në fund të vitit do të flas me presidentin.
Më vjen keq, sepse nëse do të kualifikoheshim për në Botëror, edhe me penallti, do të flitej për një arritje të madhe të futbollit italian. Pas tre Botërorësh të humbur, duhet bërë diçka. Është shkatërruar gjithçka, por edhe në shkatërrim mund të shpëtohet diçka", tha Conte mes të tjerash.
Ndërkohë, nga Los Angeles (SHBA) ku po merr pjesë në një turne promovues për titullin e katërt kampion të Napolit, kreu i klubit Aurelio De Laurentiis tha se Conte e ka 'dritën jeshile' për t'u larguar, por sipas tij trajneri nuk do pranonte tani.
"A do ta lejoja të ikte nëse ai do të më kërkonte të kthehej si trajner i Italisë? Mendoj se do të thoja po, por ai është inteligjent dhe pa një drejtues serioz do ta kishte të vështirë të drejtonte një strukturë të çorganizuar."
Lidhur me qeverisjen e Federatës (FIGC), De Laurentiis veçon një figurë specifike.
"Giovanni Malago është perfekt për të qenë komisioner dhe më pas president i një federate të re", tha kreu i Napolit.
“Azzurrët” u eliminuan nga Bosnje Hercegovina në fazën “play-off”, duke humbur mundësinë për të marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi.
Italia mungon në një Botëror që prej vitit 2014, një fakt që shton presionin mbi strukturat dhe filozofinë e futbollit në vend, teksa kreu i Federatës, Gravina, shefi i delegacionit Buffon dhe trajneri Gattuso dhanë dorëheqjen pas dështimit.
Komente









