Silvio Garattini, dekani i farmakologëve italianë dhe themeluesi i Institutit Mario Negri për Kërkime Farmakologjike ka deklaruar se "Një dozë vaksine nesër mund të kushtojë deri në një mijë euro, një shifër e papërballueshme për shumë vende” dhe se "Europa tani duhet të udhëheq rrugën për qasje të barabartë në vaksinën antiCovid”.
Garattini tha se "Kur të jetë gati vaksina, kostot mund të jenë shumë të larta dhe se shumë nga kompanitë që po zhvillojnë vaksina kanë marrë subvencione publike dhe nga fondacione private".
Qeveritë europiane - tha dekani i farmakologëve italianë - duhet të punojnë me vendet ku po zhvillohen vaksina. Sipas Garattini-t, "vaksina duhet të jetë një e mirë e të gjithëve".
"Europa ka mundësinë të bëjë diçka unike nëse dëshiron që të gjitha shtetet e saj të kenë vaksinën. Aleancat duhet të krijohen për të aktivizuar një mekanizëm solidariteti në mënyrë që të gjitha vendet të kenë qasje për të patur nesër vaksinën”.
Mbretëria e Bashkuar ka lëvizur shpejt. Londra ka prenotuar 30 milionë doza të vaksinës që po testohet nga Universiteti i Oksfordit dhe Instituti Pomezia (provinca e Romës) në Itali. Kështu Britania do të jetë vendi i parë që do të ketë qasje te kjo vaksinë.
Boris Johnson shpreson në këtë mënyrë të rigjallërojë fatin e vendit të tij që deri tani numëron mbi 35 mijë viktima.
Ministrja franceze, Agnès Pannier-Runacher ka thënë se për Francën do të ishte e papranueshme që gjiganti francez i ilaçeve, Sanofi t’i japë prioritet tregut të Shteteve të Bashkuara nëse zhvillon vaksinën kundër sëmundjes Covid-19
Ajo i ka bërë këto komente pasi shefi i kompanisë Sanofi, Paul Hudson, ka thënë se “Qeveria amerikane ka të drejtë për të bërë porosinë më të madhe, sepse ka investuar në marrjen e rrezikut”.
Mesazhi erdhi pasi, në një intervistë me ”Bloomberg”, Hudson theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin përparësi, sepse ishin të parat në financimin e kompanisë.
“Qeveria amerikane ka të drejtën e porosisë më të madhe, pasi rrezikoi duke investuar”, deklaroi Hudson për ”Bloomberg”.