Covid, në Itali regjistrohen 161 viktima në 24 orë! Numri i rasteve të infeksionit në botë në pragun e 5 milionë

Covid, në Itali regjistrohen 161 viktima në 24 orë! Numri i rasteve të infeksionit në botë në pragun e 5 milionë

Pothuajse 4.9 milion njerëz në të gjithë botën janë infektuar me koronavirus.
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur jetën nga Covid është 323 226.

Në Europë, vendi më i prekur përsa i përket rasteve me koronavirus është Rusia, me 299.941 raste të konfirmuara, ndërsa përsa i përket numrit të vdekjeve, në epërsi është Britania e Madhe me 35.422 viktima për shkak të Covid-19.

Regjistrohen 1.574 viktima të tjera në SHBA në 24 orë

Janë raportuar 1.574 vdekje shkaktuar nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara në 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, numri total i viktimave që nga fillimi i pandemisë është 91 921 kurse numri i përgjithshëm i rasteve Covid është rritur në 1.528.568.

Vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan 20260 raste të reja.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se fakti që Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve në botë me koronavirus, përbën “simbol nderi”.

“Unë e shikoj këtë, në një aspekt të caktuar, si gjë të mirë, sepse i bie se testimi ynë është shumë i mirë”, ka thënë ai në Shtëpinë e Bardhë.

“Kështu që unë e shoh këtë si simbol nderi. Vërtet, është simbol nderi”, ka deklaruar Trump.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:01
Covid, në Itali regjistrohen 2881 të shëruar dhe 161 vdekje në 24 orët e fundit

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 161 viktima nga koronavirusi për një total prej 32.330

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 2,881 teksa numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 132,282

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 665 raste të reja pozitiv për një total prej 227.364

Në kujdesin intensiv janë 676 pacientë, 40 më pak se dje. 9624 persona janë akoma të shtruar në spital me simptoma, 367 më pak se dje.

Në izolimin në shtëpi ndodhen 52452 persona (-1970 krahasuar me dje).

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 65 viktima duke e rritur totalin e vdekjeve në 15.662 që nga fillimi i pandemisë, si dhe 849 të shëruar për një total prej 43 442.

Po sot në Rajon u regjistruan edhe 294 raste të reja pozitive nga infeksioni i koronavirusit për një total prej 85,775

Ora 17:27
Covid ka qarkulluar në Milano disa javë para shpërthimit të epidemisë më 21 shkurt

Koronavirusi ka qarkulluar në Milano disa javë para se të fillonte epidemia në Itali në 21 shkurt 2020.

Ajo që deri tani kishin dyshuar ekspertët është demonstruar me një studim kryer mbi dhuruesit e gjakut, i kryer nga ‘Policlinico di Milano’ dhe i botuar në medRxiv.

Sipas rezultateve, në fillim të epidemisë 4.6% e donatorëve të gjakut kishin antitrupa ndaj koronavirusit, një përqindje që u rrit në 7.1% në fillim të prillit.

Distancimi social i vendosur për të përmirësuar përhapjen e Covid nuk duhej të rriste numrin e personave që kishin fituar antitrupa ndaj koronavirusit, por në të kundërt përqindja është rritur.

Studiuesit përzgjodhën një mostër të rastit prej rreth 800 dhuruesve të shëndetshëm të gjakut, të cilët rregullisht marrin pjesë në ‘Policlinico di Milano’, ku Qendra kryesore e Transfuzionit është aktive me më shumë se 40 mijë dhurues çdo vit nga Milano dhe krahina e Lombardisë.

Ora 16:53
Covid, 'kokë a pilë' në Amerikë, përzgjidhen pacientët që duhet të jetojnë

Kokë apo Pilë... Në disa spitale amerikanë, po vendosin se kujt pacienti të sëmurë rëndë do ti vendosin respirator duke hedhur monedhën, Kokë apo Pilë... dhe e gjitha kjo për shkak të mungesës së pajisjeve që ndihmojnë frymëmarrjen. Pas hedhjes së monedhës, dikush zgjidhet se duhet të vdesë

Kështu shkruan Revista ‘Annals of Medicine’ e cila kreu hetime në 67 spitale në të gjithë vendin. Midis tyre, në 37 spitale nuk kishte udhëzime që parashikonin se si do veprohej në repartet e terapisë intensive, teksa kishte më shumë pacientë sesa shtretër.

‘Annals of Medicine’ shkruan se “ Askush nuk e dinte se si përzgjidheshin pacientët që do shtroheshin në terapi intensive”, kurse te 25 spitale të tjera mjekët fillimisht vlerësonin se cili pacientë nuk do të kishte përfitim nga vendosja e respiratorit, me një fjalë, ata zgjidhnin të intubonin vetëm ata që kishin më shumë mundësi për të jetuar, krahasuar me të tjerët.

Po sipas revistës, “Në këtë situatë, 6 spitale (23%) intubuan ata që kishin shkuar në dhomën e urgjencës më parë se të tjerët dhe 9 spitale (36%) iu drejtuan shortit.

Në 17 spitale, zgjedhja përfshinte karakteristika të tilla si burimet ekonomike të pacientit, sigurimin shëndetësorë, përkatësinë etnike, shtetësinë ose orientimin seksual.

Ora 16:15
Covid-Itali, foshnja 7-javëshe pozitive me koronavirus

Në Parma të Italisë u identifikua rasti i parë i infeksionit nga koronavirusi te një foshnje 7 javëshe.

Diagnostifikimi i infeksionit Sars-CoV-2 u bë i mundur falë përdorimit të teknologjive molekulare të përparuara, të kombinuara me metodat konvencionale të kultivimit.

Foshnja kishte simptoma të tilla si ethe dhe dhimbje të fytit dhe fillimisht u diagnostikua një infeksion i thjeshtë respirator.

Nuk ishte menduar absolutisht nga mjekët se mund të ishte Covid-19.

Pas rreth dhjetë ditësh u pa zhvillim i koronavirusit në kulturë.

Mjekët thonë se "Ajo që është mësuar është shumë e rëndësishme si nga pikëpamja epidemiologjike ashtu edhe nga këndvështrimi diagnostikues. Nga pikëpamja epidemiologjike, u konstatua se virusi tashmë ishte në qarkullim para se të ‘shkonte’ te pacienti. Nga këndvështrimi diagnostik, rezultati “konfirmon që ekzaminimi i kulturës është metoda referuese për diagnozën virologjike; kjo riafirmon nevojën për të kryer kontrolle të sakta nga specialistë dhe për të aplikuar metoda të besueshme diagnostikuese".

Ora 14:13
Koronavirus, qeveria holandeze thotë se një burrë është infektuar nga një vizon

Qeveria holandeze thotë se ka prova se një burrë është infektuar me koronavirus nga një vizon.

Në një deklaratë sot, Ministrja holandeze e Bujqësisë, Carola Schouten njoftoi se një punëtor nga një fermë kishte kontraktuar me Covid-19 përmes një vizoni.

Gjetja se Covid-19 mund të transmetohet edhe nga një vizon nuk është e re.

Vizonët janë gjitarë gjysmë ujorë dhe mishngrënës. Raste të tjera të infektimit prej tyre janë konstatuar edhe në dy ferma të tjera në Hollandë në muajin prill.

Fillimisht autoritetet supozuan se ishin njerëzit që infektuan kafshët; megjithatë, e kundërta besohet të ketë ndodhur në të paktën një rast.

Qeveria holandeze ka urdhëruar punonjësit e fermave të veshin pajisje mbrojtëse.

Ka disa raste të tjera që kafshët janë infektuar nga koronavirusi. Një tigër në një kopsht zoologjik në New York u testua pozitiv para disa ditësh.

Qendra e Sh.B.A për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se  është në dijeni të një numri të vogël të kafshëve shtëpiake, përfshirë qen dhe mace, që janë raportuar të jenë të infektuar me virusin Covid-19, kryesisht pas kontaktit të ngushtë me njerëz pozitivë.

Ora 13:09
Covid, Franca mbyll plazhet për mos respektim të distancimit fizik

Autoritetet franceze kanë mbyllur tre plazhe të Bretagna, në veri-perëndim të Francës, për shkak të mosrespektimit të rregullave të distancimit shoqëror të dekretuar nga qeveria franceze për të luftuar koronavirusin.

Më 12 maj shumë plazhe u hapën në La Baule në Sables-d’Olonne, në perëndim të Francës. Atë kohë autoritetet njoftuan se “Plazhet e autorizuara do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 21:00. Pushimi dhe peshkimi do të vazhdojnë të jenë vetëm me autorizim.

Deri tani në Francë janë regjistruar më shumë se 180 mijë raste infeksioni dhe 28 mijë viktima.

Që nga 13 maji Franca ka hyrë në fazën 2 pas më shumë se 50 ditësh bllokim të ngurtë, duke e vigjilencën të lartë.

"Është ende herët për të kënduar fitoren ", por "rruga e ndjekur është e drejtë" - tha Presidenti Francez, Emmanuel Macron në ditën e tretë të rihapjes në Francë pas masave të bllokimit dhe izolimit.

Presidenti Macron tha në Këshillin e Ministrave se hipoteza e një mbylljeje të re, edhe nëse "e pasigurt", mbetet në tryezë në rast se "situata përkeqësohet".

Ora 11:34
Covid/Spanjë, maska e detyrueshme edhe për fëmijët

Nga nesër në Spanjë përdorimi i maskave do të jetë i detyrueshëm edhe për fëmijët, duke filluar nga mosha gjashtë vjeç.

Mbajtja e maskës për fëmijët do të jetë e detyrueshme në rrugë dhe vendet publike, aty ku nuk mund të garantohet distanca fizike prej dy metrash.

Vendimi që fëmijët të mbajnë maska u shpall përmes një dekreti të nxjerrë nga qeveria spanjolle.

Personat që vuajnë nga vështirësi në frymëmarrje ose ata që mund të justifikojnë shkaqe të tjera të "domosdoshmërisë ose forcës madhore" do të lirohen nga detyrimi i përdorimit të maskës.

Teksti i dekretit nuk specifikon ndonjë gjobë që do të zbatohej për mosrespektimin e dekretit.

Në vend, përdorimi i maskave në transportin publik tashmë ka qenë në fuqi që prej 4 majit.

Ora 11:02
Autoritetet shëndetësore Gjermani: Jo pushime verore, do ndizen vatra të reja Covid

Në Gjermani autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar qeverinë teksa janë shprehur se hapja e kufijve dhe udhëtimet do të shtojnë rrezikun për një valë të dytë infektimi, më të keqe se ajo e para pasi njerëzit nuk do të tregohen të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm gjatë pushimeve.

Ata kanë thënë se qeveria duhet të mbajë ende mbyllur kufijtë dhe për arsye shëndetësore njerëzit duhet të qëndrojnë atje ku jetojnë.

Ata theksojnë se qeveria po vepron e drejtuar nga arsyet ekonomike duke nënvlerësuar rreziqet për shëndetin.

Qeveria gjermane ka në program të lejojë udhëtimet për turistët gjermanë duke filluar nga vendet e Bashkimit Europian. Kufizime do të ketë për vende jashtë BE-së.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mas, u takua në fillim të javës për herë të parë me homologët e dhjetë vendeve evropiane, në përpjekje për të shpëtuar sezonin turistik sidomos për ata që duan të shkojnë në plazh. Një takim ky i përqendruar në rregullat që duhen aplikuar në pritje të takimit të radhës javën e ardhshme.

Ora 10:44
Covid, Bullgaria lehtëson kufizimet e udhëtimit me Serbinë dhe Greqinë​

Bullgaria ka thënë se është pajtuar me Greqinë dhe Serbinë që të lehtësojnë disa masa të kufizimit, të zbatuara me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

“Ne jemi pajtuar me Greqinë që nga 1 qershori të lejojmë udhëtimin pa karantinë për njerëzit që udhëtojnë për biznes, çështje familjare dhe arsye humanitare”, ka thënë kryeministri, Boyko Borisov

Duke folur pas një bisede telefonike me liderë grekë, rumunë dhe serbë, Borisov ka thënë se Sofja dhe Beogradi janë dakordësuar për lehtësimet në kufi dhe se edhe Rumania do ti bashkohet kësaj nisme.

Bullgaria ka mbyllur kufijtë për shumicën e udhëtarëve në mes të muajit mars, në kuadër të masave izoluese.

Kthimi i diplomatëve, punëtorëve sezonalë dhe shtetasve bullgarë është mundësuar me kusht të zbatimit të karantinës dyjavore.

Bullgaria ka liruar këtë javë masat e izolimit, teksa është raportuar për rënie të numrit të të infektuarve.

Shteti anëtar i Bashkimit Evropian ka raportuar 24 raste të reja më 19 maj, duke e rritur numrin total të të prekurve me koronavirus në 2,259.

Ora 09:54
Covid-Brazili regjistron numër rekord viktimash nga koronavirusi

Brazili ka regjistruar një rekord të numrit të përditshëm të viktimave si pasojë e koronavirusit, 1,179.

Deri më tani, ky virus është lidhur me pothuajse 18,000 fatalitete në këtë shtet.

Sa i përket infektimit, Brazili aktualisht gjendet në vendin e tretë më të prekur në botë nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.

Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 17,408 raste pozitive, derisa vëzhguesit kanë thënë se piku i virusit në këtë shtet mund të pritet në muajin qershor.

Brazili është i ndarë thellësisht për mënyrën sesi duhet luftuar pandeminë.

Presidenti Jair Bolsonaro vazhdimisht ka ulur rrezikun e virusit dhe beson se masat e izolimit, të zbatuara nga guvernatorët rajonalë, do t’i bëjnë më shumë dëm ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe njerëzve, sesa vetë virusi

Ora 09:03
OBSH: Covid-19 do të jetë kërcënim i vazhdueshëm për botën

Autoriteti i Organizatës Botërore të Shëndetit për COVID-19 deklaron se koronavirusi do të jetë “një kërcënim i vazhdueshëm” derisa të gjendet një vaksinë ose një trajtim i besueshëm.

Në një intervistë me transmetuesin britanik Sky News, Dr. David Nabarro tha se kjo do të thotë se botës do t’i duhet të mësojë se si të jetojë me të.

Nabarro tha se ndërsa bota është e përqendruar në një vaksinë, dhe ka shenja premtuese, OBSH beson se një vaksinë do të jetë e disponueshme pas “një viti e gjysmë, deri në dy vite e gjysëm“. Ai tha gjithashtu se rregulloret e distancimit fizik dhe masat mbrojtëse do të duhet të ndiqen për një kohë shumë të gjatë.

Ora 08:57
Covid-Trump mbron ilaçin hidroksiklorina: Është e sigurt

Presidenti amerikan Trump pasi dje deklaroi se kishte marrë për 10 ditë hidroksiklorinë sot ka dalë në mbrojtje të saj.

Ai tha se studime nga Italia, Franca dhe Spanja, por shumë mjekë kanë thënë se hidroksiklorina është e sigurt.

Por shumë studiues mes tyre edhe krye virologu i Shtëpisë së Bardhë, Fauci është shprehur se ilaçi antimalarje nuk ka siguri për efektivitetin e tij.

Gjatë një konference për shtyp Trump tha se "Do të dëshiroja të rihapja lidhjet me Bashkimin Evropian por vetëm nëse do ketë siguri", duke nënvizuar përparimin që po bën SHBA në luftën kundër pandemisë nga koronavirusi, "me numrat që po bien në të gjitha SH.B.A ".

Trump nuk e përjashtoi ndalimin e udhëtimeve për në dhe nga Brazili dhe konfirmoi mbylljen e kufijve të SHBA me Kanadanë deri më 21 qershor.

Ora 08:52
Covid-Dokumenti sekret i Pentagonit për vaksinën...Parashikimet për numrin e viktimave

Pentagoni po përgatitet për mundësinë që epidemia e koronavirusit të zgjasë deri në verën e vitit 2021.

Kjo del nga një dokument i Mbrojtjes së SH.B.A. i titulluar "Detyrë dhe Qëllimi".

Sipas dokumentit një vaksinë anti-Covid nuk ka gjasa të jetë gati para verës së vitit të ardhshëm.

Më shumë se 113,000 vdekje të lidhura me koronavirusin do të ndodhin deri në mes të qershorit, sipas parashikimeve nga qendra e parashikimit e Universitetit të Masaçusets.

Në Shtetet e Bashkuara, parashikimet e bazuara në 9 modele të hartuara nga institucione të ndryshme tregojnë të paktën 22 mijë viktima të tjera do të regjistrohen në 25 ditët e ardhshme.

Dy javë më parë, Presidenti Donald Trump tha se do të ketë midis 75,000 deri 100,000 vdekje në vend.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tri lopë me një gropë: 20/05/2020 09:50

    Pirdh se lirohesh, ky virus nuk ka asgjë më shumë se virusët e tjerë influencal dhe po e tregon. Që OBSH po përhap panik edhe kjo nuk diskutohet, ju pëlqeu situata e krijuar por boll tani, mjafton, s'ban mo uj pilafi, dmth nuk ju pjerdh mo asnji e mos ma gërricni fort hallatet se po boheni qesharakë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Nju Jork, mbyllet dita e tretë e dëshmive në gjyqin penal ndaj zotit Trump

Nju Jork, mbyllet dita e tretë e dëshmive në gjyqin penal ndaj zotit Trump