Ministria e Shëndetësisë në Kosovë njofton sot, 20 nëntor 2020, do të jenë në fuqi masat e reja për komunat e vendit, sipas kategorizimit të ri lidhur me numrin e të infektuarve në 100 000 banorë, duke u ndarë në zona të kuqe me rrezikshmëri të lartë infektimi ku ndodhen dhe rastet më të larta pozitive, zona të verdha me rrezikshmëri mesatare dhe zona të gjelbra me rrezikshmëri të ulët të rasteve të të infektuarve.
Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë apo komunat me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica. Në komunat me rrezikshmëri të lartë aktiviteti ekonomik do të mbyllet nga ora 19:00 e mbrëmjes deri në orën 5:00 të mëngjesit dhe në këtë orar do të ndalohet edhe lëvizja e lirë me orë policore. Ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 7 deri në orën 5 në mëngjes. Për thyerjen e masave do të ketë ndëshkime me gjobë.
Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, apo komunat prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zona janë 14 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malishevë, Suhareka, Novobërda, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Kllokoti, Rahoveci dhe Skenderaj. Në komunat me rrezik të mesëm, operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga ora 5:00 të mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes me staf të reduktuar, ndërsa pas këtij orari gastronomisë i lejohet funksionimi vetëm me Delivery (shërbimi në shtëpi) ndërsa qytetarëve nuk u ndalohet lëvizja e lirë.
Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë bëjnë pjesë 6 komuna: Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit. Në komunat me rrezikshmëri të ulët, operatorët ekonomik do të lejohen të punojnë nga ora 5:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes ndërsa pas këtij orari gastronomia mund të punojë me metodën Delivery (shërbimi në shtëpi), ndërsa qytetarëve nuk u ndalohet lëvizja e lirë.