Qeveria ka vijuar të blejë materiale mbrojtëse për personelin mjekësor që po përballen me vijën e parë të frontit të luftës me COVID-19. Gjatë ditës së sotme kanë mbërritur në doganë 8 ton mjete të mbrojtjes personale për stafet mjekësore. Kjo sasi e re vjen pas dy furnizimeve të para të porositura nga qeveria shqiptare, prej 15 ton, të cilat kanë mbërritur më herët në vendin tonë.

Mbërritja e materialeve mbrojtëse është inspektuar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila tha se përparësi e qeverisë është mbrojtja e bluzave të bardha.

“Vijojmë me furnizimin në vazhdim me materialet mbrojtëse personale për mjekët, infermierët, epidemiologët, strukturën e Urgjencës Kombëtare kudo në vend. Ka qenë dhe do të mbetet përparësi mbrojtja e mjekëve, infermierëve, atyre që janë në vijën e parë të zjarrit, në luftën dhe betejën kundër COVID-19. Janë 8 ton materiale të mbrojtjes personale, duke filluar nga veshjet, nga syzet, maskat dhe helmetat mbrojtëse, të cilat do të vijojnë të furnizojnë spitalet tona, do të vijojnë të furnizojnë qendrën e urgjencës kombëtare, Institutin e Shëndetit Publik, gjithashtu të gjithë njësitë e kujdesit shëndetësor vendor dhe të gjitha ato struktura, ku personeli përballet në betejën dhe në frontin e parë të luftës kundër COVID-19”, tha Manastirliu.

Duke folur për masat e reja, Manastirliu tha se nuk duhet të ulet vigjilenca e qytetarëve pasi lufta nuk ka mbaruar dhe duhet vazhduar me respektimin e masave të vendosura nga qeveria.

Tashmë është një fazë e dytë e luftës kundër këtij virusi. Është shumë e rëndësishme që në këto momente që do të fillojë edhe një çlirim me pikatore i masave, të tregohemi akoma edhe më shumë vigjilentë, që nga stafet dhe ekipet tona në terren deri tek qytetarët, duke filluar nga distancimi social i cili në asnjë moment nuk do të duhet të neglizhohet, tek higjiena personale, tek dezinfektimi i ambienteve, tek të gjithë elementët e tjerë të cilët synojnë të mbrojnë qytetarët për t’i bërë ballë këtij virusi të rrezikshëm, i cili humbet fuqinë e tij nëse nuk lejohet transmetimi”, apeloi Manastirliu.