TIRANË- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtyrë për së dyti afatin që kishte lënë në dispozicion për investitorët e interesuar për të dorëzuar një ofertë lidhur me koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Për shkak të situatës së krijuar jo vetëm në vend por globalisht nga virusi Covid-19 duket se është parë e arsyeshme që të lihet më shumë kohë në dispozicion duke lënë si afat të ri datën 21 prill 2020 ora 13:00. Fillimisht data origjinale për dorëzimin e ofertave ishte 12 marsi i këtij viti por që më vonë me një vendim të ministrisë u bë 30 mars.
Aktualisht insitucionet kanë përqendruar të gjithë vëmendjen tek situata e krijuar nga koronavrius dhe tashmë është shpallur edhe gjendja e fatkeqësisë natyrore ndërsa insitucionet janë përshtatur duke punuar me staf të reduktuar apo punë nga shtëpia kur është e mundur.
Shtyrja e afatit të dorëzimit të ofertave pritet të sjellë një shtyrje të të gjithë proceseve nga vlerësimi i tyre e deri tek data e parashikuar për fillimin e punës që në një aktivitet të dedikuar në fund të 2019-ës me rastin e çeljes së tenderit ndërkombëtar u deklarua se do të ishte fundi i muajit maj.
Aeroporti i Vlorës parashikohet që të ketë një periudhë koncesioni prej 35 vitesh ndërkohë që gara është hapur me një vlerë 86.6 milionë euro. Nëse ndërtimi nis në vitin 2020 siç është deklaruar vetëm në vitin 2024 do të mund të nisin fluturimet. Në dokumente saktësohet se do të duhen të paktën tre vite për të përfunduar punimet dhe një vit për të kryer kolaudimin e tij dhe për të marrë certifikatat e nevojshme.
Qeveria ka marrë përsipër që të garantojë riskun për fitimin e munguar të koncesionarit. E teksa është parë e arsyeshme që operatorit privat ti garantohen 138 milionë euro të ardhura për 10 vitet e para të operimit operimit nga trafiku i pasagjerëve, nuk është parë e arsyeshme që të ndahet njëlloj edhe fitimi. Shteti do të marrë 50 për qind të të ardhurave vetëm nëse tejkalohet skenari optimist.
Për të përcaktuar qëndrueshmërinë financiare të projektit në analizë janë marrë një sërë elementësh ku në thelb qëndron trafiku. Projeksionet në dokumentet zyrtare tregojnë tre skenarë trafiku bazë, optimist dhe pesimist nga viti 2022 deri në vitin 2048. Në vitin e parë parashikimi për trafikun në skenarin bazë është 369,581 pasagjerë, në atë optimist 425,682 dhe në atë pesimist 343,708 pasagjerë.
Deri në vitin 2028 parashikimi sipas dokumenteve është në skenarin bazë për 586,479 pasagjerë, në skenarin optimist 840,221 dhe në atë pesimist 487,556. Studimi sqaron se analiza e shifrave i referohet vitit 2018 kur edhe u shfaq për herë të parë në horizont mundësia e një aeroporti në Vlorë. Në vitin 2048 që është i fundit që jepen projeksionet për trafikun në tre skenarë shihet se në atë bazë numri i pasagjerëve parashikohet 1,952,075 në atë optimist 2,796,645 dhe në atë pesimist 1,092,994 pasagjerë./Monitor