Cristian Shpendi është kthyer në një lidër të vërtetë në sulmin e skuadrës së Cesenas, teksa deri në këtë pikë të sezonit të tij debutues në Serie B ka arritur të shënojë plot 8 gola në 12 ndeshje, duke u kthyer në objektivin e merkatos të shumë prej emrave të njohur në Serinë A.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, Napoli, Atalanta, Torino dhe Fiorentina që tani kanë shfaqur interes konkret për futbollistin, por jo vetëm këto ekipe; pasi përveç “gjigantëve” të Serie A shërbimet e tij i kërkojnë edhe Cagliari, Como e Leçe, ku Shpendi mund të ketë një vend të sigurt titullari në formacionin bazë.
Shpendi ka marrë një vendim bashkërisht me klubin e Cesenas. Ai nuk do të lëvizë në merkaton e janarit, pavarësisht ofertave për të, në mënyrë që të çojë deri në fund këtë sezon me Cesenan, ku klubi deri tani e sheh veten në zonën e skuadrave që synojnë ngjitjen në elitën e futbollit italian.