Cristiano Ronaldo nuk dorëzohet. Madje, sipas mënyrës së tij, ai rishkruan edhe hierarkinë e trofeve të futbollit. Portugezi 41-vjeçar u eliminua në fazën e 1/8-ave të Botërorit të tij të gjashtë. Në fushë nuk la një paraqitje të shkëlqyer, por ai është mësuar t’i shohë gjërat nga këndvështrimi i tij dhe duket se askush nuk arrin t’ia bëjë të qartë "perandorit" se tashmë ka mbetur pa rrobat e tij, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë të deklaratave.

Pas humbjes ndaj Spanjës, CR7 foli dhe si gjithmonë, fjalët e tij nuk kaluan pa jehonë.

"Spanja pati pak fat dhe shënoi në fund, futbolli është kështu. Është e dhimbshme të eliminohesh në këtë mënyrë nga Botërori, por, siç thashë dje, unë dhashë gjithçka, dhashë maksimumin tim dhe largohem me ndërgjegje të qetë. Ky është futbolli, ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet, duhet të shohësh përpara.

Është e vërtetë që ky ishte Botërori im i fundit, po. Për pjesën tjetër do të kem kohë të mendoj, të flas me familjen time. Nuk ka nevojë të marr vendime në momentin e nxehtë, jeta vazhdon.

Nesër do të zgjohem ashtu siç u zgjova sot, me ndërgjegje të pastër. Dhurova më të mirën time. Kam fituar tre trofe me Portugalinë dhe para Cristianos, Portugalia nuk kishte fituar asnjë. Jam i lumtur.

Trofeu më i rëndësishëm që kam fituar me kombëtaren ishte ai i vitit 2016 (Kampionati Evropian). Për mua, sinqerisht, ai ka të njëjtën peshë si një Kupë Bote. Prandaj e përsëris edhe një herë se largohem i qetë. Dhashë gjithçka dhe kaq. Nesër është një ditë tjetër dhe jeta vazhdon", tha Ronaldo.

Kështu, sipas CR7, Kampionati Evropian bëhet po aq i madh sa edhe Botërori.

Kritikat

Ky është mendimi i tij, mënyra e tij e të parit të gjërave, por në Portugali jo të gjithë ndajnë të njëjtin qëndrim ndaj këtij idhulli të madh, tashmë të lodhur dhe disi mendjemadh.

"Statistika e Botërorëve që duhet ta turpërojë Cristiano Ronaldon" ishte titulli domethënës që qëndroi për orë të tëra në faqen kryesore të gazetës sportive portugeze A Bola.

"Ndeshja kundër Spanjës ishte e nënta për Cristianon pa shënuar në fazat me eliminim direkt të një Botërori. Në gjashtë turnetë ku ka marrë pjesë, ai ka shënuar vetëm në një ndeshje me eliminim direkt, atë të 1/16-ave pak ditë më parë kundër Kroacisë, me penallti. Në 9 ndeshje dhe 659 minuta lojë, ai ka regjistruar zero gola dhe zero asistime. Është lojtari i dytë me më shumë paraqitje në historinë e këtij kompeticioni, por nuk bën pjesë as në dhjetëshen e golashënuesve më të mirë."

Dhe kritikat vazhdojnë në të njëjtin ton. Me Lionel Messin me 8 gola, Kylian Mbappe dhe Erling Haalandin që kanë shënuar nga 7 gola secili, Botërori i CR7 u konsiderua dukshëm nën pritshmëri.

Në pritje të Jorge Jesus

Ronaldo i ka dhënë lamtumirën Botërorit, por jo kombëtares.

"Për mua, kombëtarja është diçka e veçantë. Kam luajtur për të prej 23 vitesh dhe këto vite kanë qenë plot emocione e kënaqësi. Të veshësh këtë fanellë është gjithmonë një përvojë e jashtëzakonshme."

Pra, dera mbetet e hapur. Sidomos sepse cikli i Roberto Martinez ka përfunduar dhe emri që po përmendet më shumë si pasues i trajnerit spanjoll është ai i Jorge Jesus, trajneri që sapo e udhëhoqi Cristiano Ronaldon drejt trofeut të tij të parë të madh në Arabinë Saudite, pas tre vjetësh e gjysmë.

"Nuk është momenti të flasim për Jorge Jesus. Nuk jam unë ai që vendos, këtë do ta bëjë presidenti", tha CR7.

Tani Ronaldo do të shkojë me pushime, për t'u rikthyer më pas në Riad, ku do të vazhdojë ndjekjen e objektivit të tij të madh; të arrijë në 1000 gola në karrierë. Aktualisht ai ka 976 gola, ndërsa Messi, dy vjet më i ri, ka 918. Çdo ndeshje mund ta afrojë drejt shifrës historike me katër shifra, përfshirë edhe ato me fanellën e Portugalisë.