Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se nuk e ka marrë ende vendimin për t’u tërhequr nga futbolli dhe se vijon të ketë objektiva të mëdha në karrierën e tij.
Në prag të ndeshjes së Portugalisë me Uellsin në Nations League, 41-vjeçari deklaroi se synon të arrijë shifrën e 1000 golave në karrierë, ndërsa objektivi i dytë është fitimi i Nations League me kombëtaren portugeze. Ronaldo aktualisht ka 979 gola në karrierën e tij, 21 më pak nga shifra historike.
“Besoj se nuk kam folur kurrë me kaq shumë njerëz. Objektivi im është i dyfishtë: goli i 1000-të dhe fitimi i Ligës së Kombeve. Është një epokë e re dhe duhet të përgëzojmë punën e bërë nga trajneri i kombëtares spanjolle, pavarësisht të gjitha kritikave që ka marrë”, u shpreh Ronaldo.
Cristiano Ronaldo foli edhe për ardhjen e Jorge Jesus në stolin e Portugalisë, duke e cilësuar një zgjedhje të duhur.
“Për mua ishte zgjedhja perfekte. Ai sjell një atmosferë ndryshe, ide të ndryshme dhe një gjuhë tjetër. Siç tha edhe trajneri, shumë lojtarë kanë punuar më parë me të, gjë që i bën gjërat më të lehta. Nesër kemi një ndeshje të vështirë”, deklaroi kapiteni portugez.
Ai iu përgjigj edhe kritikëve që kërkojnë largimin e tij nga kombëtarja.
“Nuk mund të jem plotësisht i sinqertë, duhet të jem politikisht korrekt. Ajo që them zakonisht është se gjithmonë jam pritur shumë mirë, por ky ishte një nga vitet kur ndjeva më shumë dashuri. E kuptoj që disa media përpiqen të më godasin, por vetëm me një pushkë. Edhe kështu, unë i shmang plumbat”, tha Ronaldo.
Ai theksoi se pas moshës 30-vjeçare ka mësuar të jetojë më shumë të tashmen. Sulmuesi përsëriti se është e mundur që ky të jetë sezoni i tij i fundit, por shtoi se vendimin do ta bëjë të ditur kur të vijë momenti i duhur.
“Është shumë e mundur që ky të jetë viti im i fundit, por do ta them kur të vijë koha”, u shpreh ai.
Ronaldo theksoi se menaxhimi i ngarkesës fizike është i rëndësishëm në këtë fazë të karrierës dhe garantoi se nuk do të luajë të gjitha ndeshjet e plota.
Sfida ndaj Uellsit do të ketë një kuptim të veçantë për Ronaldon, pasi do të rikthehet në stadiumin “Alvalade”, aty ku nisi rrugëtimin e tij në futbollin profesionist.
“Është speciale sepse aty fillova të luaj futboll. Të rikthehem në vendin ku nisa është shumë bukur. Pas kaq shumë vitesh duke hyrë në fushë, ende ndihem sikur është hera e parë”, tha ai.







Komente
Komento