Marjus Isufaj, një ish-drejtor i LSI që për gjashtë vite me rradhë ka drejtuar, Qëndrën e Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike Patos, e cila varet nga shoqëria tregtare “Albpetrol”, është dëmshpërblyer nga gjykata e Fierit, me një shifër rekord prej 493 milion lekë. Kanë mjaftuar vetëm 4 seanca gjyqësore, që vendimi të mmeret në 19 tetor 2020, nga gjyqtari Ergys Selmani, i cili urdhëron shoqërinë “Albpetrol” të dëmshpërblejë financiarisht, Isufaj dhe 8 familjarët e tij, pasi sipas gjyqtarit shkarkimi nga puna i Isufaj, ka ardhur për shkak se ish-drejtori është diskriminuar nga administrata shtetërore, vetëm për faktin se ka bindje politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sipas gjykatës kjo mënyrë trajtimi ishte ndeshur edhe me anëtarë të tjerë të LSI, të cilit ishin pushuar nga puna, por për të njëjtat shkaqe dhe kishin marrë dëmshpërblimin përkatës. “Shqiptarja.com”, mëson se kjo faturë prej 493 milion lekë të vjetra që ka ardhur si pasojë e diskriminimit politik,shtohet akoma dhe më tepër në buxhetin financiar të shtetit, pasi me një vendim të 8 shtatorit 2020, gjykata e Apelit Vlorë, ka dëmshpërblyer me 16 paga, ish-drejtorin Marjus Isufaj, për shkak se ky person ishte shkarkuar në mënyrë të padrejtë. Marjus Isufaj, sipas burimeve të gazetës është djali i xhaxhait të Arben Isufaj ose “Ben Qimes” në Fier.

Arben Isufaj, i njohur si 'Ben Qimja'

I mbrojtur nga avokatia e Fatmir Kajollit, Rozeta Plaku, Marjus Isufaj, në datën 5 mars 2020, i është drejtuar gjykatës së Fierit duke kërkuar dëmshpërblim financiar për shkak se ishte diskriminuar,pasi ka bindje politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në këtë padi civile, Marjus Isufaj, i është bashkuar gruaja e tij, Anila, dy prindërit Ymer dhe Shqiponjë Isufaj, si dhe 5 fëmijët e tij. Të gjithë në padinë e tyre kanë pretenduar se ishin ndjerë të diskriminuar, pasi babai i tyre ishte larguar nga puna pa të drejtë dhe për pasojë kishin pasur depresion gjatë kësaj periudhe. Marjus Isufaj dhe familjaret e tij kanë pretenduar se janë diskriminuar nga vendimet e padrejta dhe te ndikuara politikisht nga zyrtarët e shoqërisë tregtare “Albpetrol”.

Sipas gjykatës së Fierit, rezulton se konflikti më i mprehtë mes zyrtarëve të Albpetrol dhe Marjus Isufaj,  ka ardhur për shkak të qënies së tij, kundërshtarë politikë pas zgjedhjeve parlamentare të datës 25 Qershor 2017. Pas këtij momenti zyrtarë të “Albpetrol” duke e parë dhe trajtuar Marjus Isufaj,  si një kundërshtar politik, kanë përgatitur terrenin për pushimin e tij nga puna. Sipas gjykatës, “Albpetrol”,  kishte shkelur trajtimin e barabarate të puntorëve në lidhje me perzgjedhjen dhe mbajtjen në detyrë të tyre, si dhe mënyrën e trajtimit të Isufaj, gjatë ekzistencës se marrëdhënies së punes. Për më tepër “Albpetrol”, e ka trajtuar Isufaj në mënyrë të disfavorshme dhe me pasoja negative, me keqdashje, si dhe nuk kishte parë me objektivitet përvojen e Isufaj, në pune si dhe mbi të gjitha edhe gjëndjen e tij shëndetësore.

Ndërkohë pas zgjidhjes së marëdhënies së punës, gjënda shëndetësore, thotë gjykata, e Marjus Isufaj, ka filluar te shqetësohet dhe eshte detyruar ti drejtohet për diagnostikim Spitalit Amerikan. Në datën 24 janar 2020, Marjus Isufaj, rezulton të jetë trajtuar me sëmundjen e “çregullimeve mendore”, ku ka rezultuar se Isufaj shfaqte gjëndje frike dhe ankthi, mungesë dëshire për të komunikuar me njerëzit, mbyllje ne vetvete dhe ku i është rekomanduar fillimi i terapisë me medikamente.

Nisur nga kjo situatë në 19 tetor 2020,pas 4 seanca gjyqësore, gjyqtari i Fierit Ergys Selmani, vendosi të dëmshpërblejë finaciarisht Marjus Isufaj në shifrën prej 493 milion lekë të vjetra, shifër kjo që nëse do lihet në fuqi dhe në Apelin e Vlorës, duhet të paguhet nga buxheti i kompanisë shtetërore “Albpetrol”. Në vendimin e dispozitivit gjyqtari Selmani shkruar:”...detyrimin e “Albpetrol”, sh.a,Patos, të dëmshperblejë paditësit:Marjus Isufaj, Anila Isufaj, Ymer Isufaj, Shqiponjë Isufaj, Juela Isufaj, Julian Isufaj, Ajla Isufaj, Flavio Isufaj, Amaris Isufaj për dëmin pasuror dhe jopasuror në masën totale prej 49,355,734 lekë të reja...”