Çudia në Kukës, gjykata mbyll në hotel serbin e dënuar në Kroaci

Një shtetas kosovaro-serb, i lindur në Prizren dhe banues në Beograd, ka bërë “lëmsh” drejtësinë Shqiptare, e cila megjithëse ka konstatuar se Sebastian Villjamov, është dënuar në Kroaci nga dy vendime penale me nga 3 vite burg secilin, ai është lënë në “arrest shtëpie”.

Kjo masë sigurimi është miratuar nga gjykata e Kukësit në datën 11 nëntor 2018, pasi vetë prokuroria e Kukësit, ka ndryshuar qëndrimin e saj juridik për këtë shtetas, pasi në fillim ka kërkuar lënien në burg të Villjamov me qëllim ekstradimin në Kroaci, ndërsa në seancë gjyqësore prokurorja e çështjes çuditërisht ka kërkuar “arrest në shtëpi”.

Por çudia që ka ndodhur në këtë qëndrim të prokurorisë dhe gjykatës së Kukësit është se për 65-vjeçarin Villjamov, është caktuar masa e “arrestit shtëpiak” duke e mbyllur në një hotel privat në Kukës, që guhet Hotel “Gjallica”. Ky vendim që ka mbyllur kosovaro-serbin në “arrest shtëpie” në ambjentet e një hoteli privat në Kukës mësohet të jetë marë në 12 nëntor 2018 dhe është lënë në fuqi në 13 dhjetor 2018 nga gjykata e Apelit Shkodër.

Shqiptarja.com” gjatë një verifikimi të imtësishëm ka mësuar të gjithë kronologjinë e këtij rasti, ku shtetasi i huaj Sebastian Villjamov, që kërkohet nga Interpol Zagrebi (Kroaci) për dy dënime me nga tre vite burgim secilin, është lënë nga gjyqësori shqiptar me masës sigurimi “arrest në shtëpi” duke e detyruar të qëndrojë i mbyllur në hotelin privat “Gjallica” në Kukës.

Po kush është i huaji Villjamov i arrestuar në Kukës në 9 nëntor 2018, teksa së bashku me familjen e tij ishte duke hyrë në teritorin Shqiptar, nga pika e kalimit kufitar Morinë. Sipas të dhënave që disponon “Shqiptarja.com”, arrestimi i 65-vjeçarit është realizuar në orën 00:30 të mesnatës, pasi gjatë kryerjes së procedurave në kufi ka rezultuar se Sebastian Villjamov,ishte person në kërkim nga autoritet e drejtësisë së Zagrebit në Kroaci.

Menjëherë është bërë ndalimi i tij me qëllim ekstradimin drejt Kroacisë. Ndërkohë nëpërmjet një shkrese urgjente të datës 9 nëntor 2018 autoritet e drejtësisë Kroate,kanë bërë njoftimin e autoriteteve Shqiptare se Sebastian Villjamov, është dënuar me vendimin e datës 22 mars 2018 nga gjykata e Rijekës me 3 vjet burg për akuzën e “Kanosjes me jetë dhe plagosjes së rëndë të kryer kundër një zyrtari në lidhje me detyrën e tij”. Gjithashtu në një vendim tjetër të gjykatës së Rijekës që mban datën 24 qershor 2018 Villjamov rezulton të jetë dënuar me 3 vite burgim për akuzën e “Shpërdorimit të autoritetit në transaksione e biznese”, “Evazion i tatimeve dhe detyrimeve të tjera” dhe “Fallsifikim të dokumentave zyrtare”.

Brenda afatit ligjor prokuroria e Kukësit ka çuar materialin hetimor për këtë shtetas në gjykatën e Kukësit me qëllim vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së “arrestit në burg” për Villjamov. Por çuditërisht përfaqësuesja e prokurorisë tërhiqet nga ky qëndrim gjatë seancës gjyqësore dhe kërkon caktimin e masës së “arrestit në shtëpi” duke urdhëruar që 65-vjeçari Sebastian Villjamov, të qëndrojë i izoluar në ambjentet e hotelit privat “Gjallica” në Kukës.

Me këtë kërkesë të prokurorisë ishte dakord dhe i arrestuari Villjamov, i cili nëpërmjet avokatëve të tij kishte paraqitur një marëveshje qëndrimi në hotel të lidhur me administratorin e hotelit. Kjo kërkesë e prokurorisë është miratuar dhe nga gjykata, e cila ka urdhëruar policinë e Kukësit që ta shoqërojë Villjamov nga ambjentet e komisariatit në ambjentet ne hotel “Gjallica” në Kukës. Por pavarëisht këtij vendimi, tek “Gjallica” shqiptaro-Serbi mësohet të mos ketë qëndruar shumë ditë pasi ai është larguar nga ambjentet e hotelit dhe ka vijuar të qëndrojë në një apartament në lagjen nr.4 në Kukës, i cili rezulton të jetë në emër të Bedri Gjanës. Prania e tij në këtë apartament është konstatuar nëpërmjet një raporti dhe nga policia e Kukësit.

E cila edhe pse ka konstatuar se Sebastian Villjamov kishte thyer vendimin e gjykatës që urdhëronte qëndrimin e tij në ambjentet e hotel “Gjallica” dhe ishte zhvendosur pa lejë të prokurorisë, gjykatës dhe policisë në një apartament në Kukës, policia nuk ka marë asnjë masë për ta arrestuar këtë person dhe proceduar për thyerjen e vendimit të gjykatës. “Shqiptarja.com” mëson se pasi është akomoduar në hotel, 65-vjeçari Sebastian Villjamov nëpërmjet mbrojtësve të tij, i është drejtuar gjykatës së Kukësit me një kërkesë duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie” nga ambjentet e hotelit privat “Gjallica” në ambjentet e apartamentit ku qëndron aktualisht. Villjamov ka argumentuar në kërkesë se qëndrimi në apartament i nevojit pasi nuk është në gjëndje të paguajë faturat e kripura financiare të hotelit,dhe për shkak të problemeve shëndetësore me zemrën, duhet të marë shërbim mjekësor.

Por në datën 26 nëntor 2018 gjykata e Kukësit ka rrëzuar kërkesën e shtetasit Serb, duke vendosur ta mbyllë brenda ambjenteve të hotel “Gjallica”. Ky vendim u la në fuqi dhe nga gjykata e Apelit Shkodër, e cila në 13 dhjetor miratoi qëndrimin brenda në hotel të Sebastian Villjamov. Tashmë ky i fundit është në pritje të mbëritjes së këkrkesës për ekstradim nga Kroacia, shtet në të cilin është dënuar dy herë me nga 3 vite burgim.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare