Juristi Kreshnik Spahiu e ka cilësuar të paarsyeshme leximin e kërkesave të protestuesve nga Dritan Goxhaj (i cili pretendon se ka qenë luftëtar i UÇK-së), për të cilin qeveria pretendon se është i lidhur me interesa iranane në Shqipëri.
Në një lidhje për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu tha se mes 5 kërkesave që u publikuan nga Dritan Goxhaj në protestë, mungonte ajo për ‘Zvërnecin’.
Më tej Spahiu tha se ‘revolucioni’ i Gjeneratës Z nuk mund të ketë liderë të ‘Gjeneratës ZH’.
“Ka disa çështje themelore për të diskutuar. E para, Zvërnecin e harruan? Domethënë nuk e kanë kërkesë këtë? E dyta, ky revolucioni i Gjeneratës Z, ka vendosur të zgjedhë liderë të nivelit Zh? Unë i kam dëgjuar akuzat e të dy palëve. Edhe akuzat e qeverisë, që orientohen që Dritan Goxhaj mund të ketë prirje ose bashkëpunim me Iranin. Por edhe mbrojtjen që thotë se mund të jetë luftëtar i UÇK-së”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu tha se një protestë që organizohej kryesisht nga studentë dhe të rinj, nuk mund të vendosë në krye një person, i cili sipas tij, flet nga mëngjesi në darkë kundër SHBA-së.
Kjo sipas Spahiut, bën që protesta të lëvizë nga qëllimi për të cilin ka filluar dhe të cilësohet si një protestë kundër Presidentit amerikan Donald Trump.
“Unë nuk dua të vë në diskutim absolutisht personalitetin e Dritan Goxhajt. Por kjo lëvizje ka pasur vlerë, për shkak të imazhit të saj rinor, studentor, të një gjenerate që nuk ka qenë e përfshirë në politikë. Ajo pjesa gri, e një gjenerate që ka studiuar në perëndim, ka qenë jashtë politikës e papërfshirë, pushtoi bulevardin Dëshmorët e Kombit. Unë prisja që edhe përfaqësimi të ishte i Gjeneratës Z. Nuk mundet që gjenerata Z të zgjedhë liderë 60-vjeçarë, me bindje në lindje apo të pashkolluar. Kjo ishte një arsye më shumë për t’i dhënë argument mediave perëndimore, që kanë pasur vetëm një titull, që në Shqipëri po zhvillohen protesta anti-Trump. Nëse ti zgjedh liderë që nga mëngjesi në darkë janë kundër SHBA-së, nuk bën gjë tjetër veçse forcon të gjitha këto argumenta, për një protestë që për një tjetër kauzë filloi dhe për një tjetër po shuhet”, vijoi Spahiu.
Komente








