TIRANE- Trajneri i njohur shqiptar Armando Cungu u ka dhënë fund zërave që e lidhin të ardhmen e tij me ekipin e Tiranës. Në një intervistë për gazetën ‘Shqiptarja.com’, Cungu shpjegon arsyet se përse i ka thënë ‘JO’ ekipit 24 herë kampion të Shqipërisë në këtë moment të vështirë që po kalon, pasi renditet në vendin e fundit të renditjes.

“Jam kontaktuar nga Ndriçim Babasi para pak ditësh, i cili më ka ofruar postin e trajnerit të ekipit të Tiranës. Mora kohë në dispozicion për të vendosur dhe në fund mendova që të refuzoja ofertën. Ishte shumë e vështirë që të mos pranoje të drejtoje ekipin bardheblu, falënderoj për vlerësimin dhe besimin që kishin te unë drejtuesit e ekipit të Tiranës.

Shkaqet e refuzimit nuk kanë lidhje me gjendjen e tanishme që po kalon ekipi, apo me objektivat. Duke u nisur edhe nga disa probleme personale që kam për të zgjidhur, gjykova që do të ishte më mirë që të qëndroja pushim edhe për pak kohë përpara se të kthehesha përsëri në drejtimin e një ekipi. Tiranës i uroj më të mirën dhe të dalë nga gjendja e vështirë që ndodhet aktualisht” shprehet Cungu që zbulon se ka pasur edhe oferta të tjera nga disa ekipe në Superligë.

Teksa Tiranës i tha ‘JO’ nuk kishte si të mungonte një koment për ekipin e Kukësit që ka drejtuar, por edhe për favoritin për të fituar kampionatin këtë edicion. “Nuk mund të them që Kukësi ka ndryshuar pas largimit tim, por dua të theksoj se ekipin e lash gati. Kukësi është mes ekipeve më të mira dhe nuk kam asnjë dyshim që do të arrijë të jetë përsëri pjesë e zonës së Europës, por nuk mund të them me siguri që do të fitojë trofe, pasi Skënderbeu ka një ekip mjaft të mirë.

Kampionët në fuqi të Shqipërisë janë favoritët kryesor për të fituar përsëri kampionatin, megjithatë ka edhe shumë ndeshje përpara për të vendosur më të mirin” përfundon ish-trajneri Cungu. Shkodrani është një teknikët më të njohur, pasi është i vetmi që ka arritur të çojë një ekip shqiptar tre ture përpara në Europë, rekord që vështirë të thyhet.

Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)