Dënimi i politikës konstruktive

Dënimi i politikës konstruktive
Nëse shumica nuk lëshon në asnjë prej pikave, pra nuk i kërkon dorëheqjen presidentes dhe as nuk e ndërpret mandatin e qeverisë, atëherë i ka lënë LDK vetëm një opsion për të zgjedhur: bojkotin politik. Ndërsa vendit, mundësinë e krizave në vend të kompromiseve.

Kosova rrezikon seriozisht të krijojë një precedent problematik, sipas të cilit politika konstruktive konsiderohet dobësi dhe jo një fenomen pozitiv që i shërben stabilitetit të vendit. Sipas parimit ballkanik, “kalova lumin, të dh... kalin”, kryeministri Hashim Thaçi po jep shenja të qarta se nuk ka ndërmend të zbatojë marrëveshjen e arritur me kryetarin e opozitës Isa Mustafa më 6 prill të vitit të kaluar, marrëveshje kjo që i dha mundësinë atij të shmangte një krizë parlamentare dhe për pasojë zgjedhjet e parakohshme. LDK pranoi të merrte pjesë në seancën parlamentare për të zgjedhur presidentin e vendit pas rrëzimit të Behgjet Pacollit, me kusht që presidenti i ri të kishte një mandat të kufizuar deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli si dhe të shkohej në zgjedhje të reja parlamentare pas një periudhe 3 vjeçare me një ligj të ndryshuar zgjedhor. Kjo marrëveshje u votua në formë rezolute në Kuvend dhe komisionet për ndryshime kushtetuese e elektorale nisën nga puna.

Atëbotë, akti konstruktiv i Isa Mustafës, i cili evitoi futjen e vendit në një cikël të paparashikueshëm krizash politike, u kritikua jo pak nga disa parti të opozitës dhe një pjesë e opinionit publik. Ai u gjykua si një infuzion për shumicën e dalë nga zgjedhjet e dëmtuara dhe si oksigjen për jetëgjatësinë e Hashim Thaçit, në atë kohë i vënë nën shënjestrën e shumë sulmeve. Për këtë veprim Isa Mustafa mund të ketë marrë edhe kosto elektorale, për më tepër kur aktivizmi anti qeveri i Vetëvendosjes ishte në kulmin e tij. Megjithatë LDK zgjodhi frymën konstruktive dhe shkurtimi i mandatit të qeverisë nga katër në tre vjet u vlerësua si një lloj penalizimi i PDK për zgjedhjet problematike që i dhanë shumicën. Duke zgjedhur një rrugë institucionale dhe jo bojkotin që do të çonte në krizë parlamentare, Mustafa i qëndroi dhe forcoi profilin e një opozite që nuk ka si qëllim ardhjen në pushtet me çdo çmim por merr në konsideratë edhe interesa më të gjera përtej atyre ngushtësisht partiake. Krahasuar me kulturën politike ballkanike apo me ngjarjet e asaj kohe në Shqipëri, ku bojkoti, përplasjet, radikalizimi dhe konflikti dëmtuan afrimin e vendit me BE, marrëveshja e 6 prillit 2011 në Prishtinë hapte perspektivën e një sjellje të re mes kundërshtarëve politikë, më europiane dhe institucionale.

Mirëpo mesa duket një frymë e tillë është e destinuar të dështojë në terrenin tonë të politikës. Këtu, bashkëpunimi, toleranca, marrëveshja apo tërheqja nga pozicionet ekstreme merret si dobësi e kundërshtarit dhe jo si vlerë e tij. Me të kaluar krizën presidenciale dhe pas një lloj rikuperimi të ndjeshëm politik të liderit të saj, mazhoranca duket se nuk ka ndërmend ta përfillë marrëveshjen me LDK. Kjo tendencë po e detyron Isa Mustafën të pendohet për rrugën që zgjodhi një vit e ca më parë dhe të shohë radikalizmin si të vetmin mjet për të mbijetuar në politikën kosovare. “Ne nuk besojmë më të ulemi dhe të bëjmë marrëveshje, nëse ato shkelen në formë të tillë. Ne si LDK nuk kemi asnjë arsye të bëjmë marrëveshje për ndonjë situatë që mund të krijohet”, deklaroi Mustafa duke paralajmëruar kështu një qëndrim refuzues të partisë së tij për kompromise të mundshme në të ardhmen.

Shtyrja drejt ekstremizmit të opozitës më të madhe në Kosovë është pasoja më e keqe nëse marrëveshja e 6 prillit nuk do të zbatohet. Qëndrimi i Jahjagës në karriken presidenciale deri në 2016 apo konsumimi deri në fund i mandatit të kësaj qeverie, nuk janë dëmet më të rënda që rrjedhin nga grisja e një marrëveshje politike. Dëmi më i madh është goditja ndaj kulturës politike të bashkëpunimit, ndaj frymës së tolerancës, ndaj respektit për kundërshtarin. Është krijimi i një fryme mosbesimi, i një politike intrigash e kurthesh, i reagimit ekstrem dhe bojkotit. LDK ka deklaruar se do të ndjekë pikërisht këtë të fundit, se nuk do të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe ligjin e ri zgjedhor përderisa marrëveshja që i projektoi ato nuk do të zbatohet. Isa Mustafës nuk i mbetet zgjedhje tjetër, përndryshe do të shndërrohej në një vegël që Thaçi e përdor sa herë që ka nevojë, që nënshkruan marrëveshje dhe nuk arrin asnjë objektiv politik me to.

Në këto kushte i takon mazhorancës të hedhë një hap nëse vërtet është e interesuar të kultivojë një kulturë të re politike në Kosovë. Jo duke llogaritur në pazare të momentit, por me aksione të qarta që krijojnë besim. Nëse çështja e presidentes mund të quhet e mbyllur deri në 2016 si pasojë e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, shumica ka në dorë të respektojë pikën tjetër të marrëveshjes dhe të garantojë se mandati i qeverisë do të përfundojë brenda tri viteve për të shkuar në zgjedhje të reja. Ky kompromis do t’i jepte LDK mundësinë për të dalë të paktën me një arritje domethënëse përpara elektoratit të saj dhe do të justifikonte bashkëpunimin për reformën zgjedhore. Shtyrja e afatit për mandatin presidencial i konvenoi liderit të PDK duke lënë hapur një mundësi për të në varësi të rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Logjika juridike që u përdor për rastin Jahjaga mund të përdoret edhe për deputetët, mandati i të cilëve është 4 vjet dhe nuk mund të ndërpritet prej marrëveshjes. Por këtu nuk është fjala për argumenta juridikë, por për vullnet politik. Nëse shumica nuk lëshon në asnjë prej pikave, pra nuk i kërkon dorëheqjen presidentes dhe as nuk e ndërpret mandatin e qeverisë, atëherë i ka lënë LDK vetëm një opsion për të zgjedhur: bojkotin politik. Ndërsa vendit, mundësinë e krizave në vend të kompromiseve.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë