Prezantohej si punonjës i Bashkisë së Tiranës, apo i Ministrisë së Brendshme, por kjo i ka kushtuar një dënim me 4 vjet burg Elton Tozajt, ish-banorit të “Big Brother”.
 
Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë masë dënimi ndaj Tozajt, duke i vlerësuar si të provuara akuzat e ngritura ndaj tij për “mashtrim”, më shumë se një herë në dëm të disa personave dhe “falsifikim të dokumenteve”.
 
Sipas Prokurorisë, Tozaj ka përfituar shuma të konsiderueshme nga persona të ndryshëm, duke iu premtuar kredi të buta për blerje banese. Në një tjetër rast, përmes falsifikimit të firmës së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i pandehuri Tozaj akuzohet se ka mashtruar një biznesmen, të cilit i premtoi dhënien me qira të një lokali në zonën e ish-Bllokut.
 
I pandehuri u dënua me 6 vjet heqje lirie, por ai përfitoi ulje për shkak se gjyqi ndaj tij u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
 
Tozaj u ka marrë personave të tretë shuma nga 300 mijë deri në 650 mijë lekë, duke u premtuar se do t’i përfshinte në listën e përfituesve të kredive të buta nga Bashkia./Panorama

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com