ITALI- Një italian i cili qëlloi për vdekje një hajdut shqiptar, para 8 vitesh u dënua përfundimisht me 6 vjet e 2 muaj nga Gjykata e Kasacionit në Itali, ndërsa miqtë e një tjetër italiani që kishte vrarë një tjetër hajdut shqiptar, kanë mbledhur fonde për ta ndihmuar në përballimin e shpenzimeve të seancave gjyqësore.

Në rastin e parë, Gjykata italiane e Kasacionit, e cila është ekuivalente me Gjykatën e Lartë në Shqipëri, ka vendosur t’i japë fund procesit gjyqësor të nisur në vitin 2006 ndaj 53-vjeçarit Antonio Monella, me profesion ndërtues.
 Në mes të 5 dhe 6 shtatorit të vitit 2006, nga të shtënat me armë gjahu, të mbajtur rregullisht, vrau 19-vjeçarin shqiptar , Helvis Hoxha, i cili me bashkëpunëtorë të tjerë ishte duke u përpjekur të grabiste makinën tip “Mercedes Sl”, të parkuar në oborrin e shtëpisë së italianit, në rrugën “Verga” të Bergamos.

 Gjykata e Lartë në fakt , ka konfirmuar dënimin me 6 vjet dhe 2 muaj burgim për vrasje të lëshuar në fund të qershorit 2012 nga Gjykata e Apelit në Breshia, ndërsa në Shkallën e Parë, në tetor të vitit 2011, Monella u dënua me 8 vjet burg.

Sipërmarrësi ka mbrojtur veten, duke thënë se qëlloi për t’i trembur hajdutët. “Ne do të të ndihmojmë të paguash tarifat ligjore.” Ky ishte mesazhi për të ngritur fonde në mbështetje të Mirko Franzonit, 29-vjeçarit nga Breshia, që dhjetorin e vitit të kaluar vrau me armë zjarri Eduard Ndojin, 26 vjeç, teska ky i fundit ishte duke vjedhur shtëpinë e vëllait të italianit.

 “Ne nuk harrojmë që ishe në situatën për të mbrojtur shtëpinë dhe familjen”. Ky ishte një ndër mesazhet që miqtë kanë lënë për Franzonin, i cili ndërkohë është lënë i lirë nga gjykata, pasi u vlerësua se rrethanat e ngjarjes e kishin detyruar të ndërmerrte këtë veprim.

Redaksia Online
(ak/Shqiptarja.com)