Daçiç kërcënon liderët e Veriut:
Ose në zgjedhje, ose ikni nga posti! 

Daçiç kërcënon liderët e Veriut:<br />Ose në zgjedhje, ose ikni nga posti! 
BEOGRAD - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka kërcënuar liderët serbë të komunave veriore të Kosovës me zëvendësimin e tyre, nëse vazhdojnë të kundërshtojnë politikat e Qeverisë serbe. 

Daçiç ka kërcënuar liderët veriorë pas vendimit të këtyre të fundit për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të shpallura më 3 nëntor. Vendimi i tyre për bojkot paraqitet si sfidë serioze në zbatimin e Marrëveshjes Prishtinë – Beograd, e arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Daçiç ka folur me tone tejet të ashpra në raport me qëndrimet e këtyre përfaqësuesve, duke thënë se ata nuk mund të udhëheqin politika, që bien ndesh me interesin e Serbisë.

“Askush nuk mund të udhëheqë funksione shtetërore në Serbi dhe të udhëheqë politikë, që është në kundërshtim me interesat e shtetit të Serbisë. Kjo do të thotë, që do të pasojnë ndryshime në funksionet shtetërore në Kosovë të atyre që udhëheqin politika në kundërshtim me interesat e shtetit të Serbisë”, është shprehur Daçiç.

Sipas tij, me zgjedhjet e 3 nëntorit serbët në Kosovë do t’i kenë të zgjedhurit e tyre legalë dhe legjitimë, të cilët do të jenë të pranueshëm edhe për bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk do të jenë më si struktura paralele, të cilat nuk i njeh askush. 

“Ne insistojmë, që serbët të marrin pjesë në këto zgjedhje, sepse nga organet lokale do të formohet më pas edhe Bashkësia e Komunave Serbe, që është në interesin e Serbisë dhe para së gjithash, të serbëve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Daçiç.

Kryeministri serb edhe këtë herë ka preferuar, që serbët e Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit të dalin me një listë unike.

Duke i komentuar zhvillimet rreth zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe pjesëmarrjes së serbëve nga komunat veriore, Nenad Gjurgjeviç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd nuk beson që procesi do të rrezikohet. Bojkoti, sipas tij, do të ketë pasoja negative më shumë për vetë serbët e Kosovës.

Ai nuk beson që liderët veriorë, pavarësisht mbështetjes politike që kanë nga popullata lokale, do të mund të sfidojnë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. 

“Nëse Beogradi përcakton, që të mbështesë listën unike dhe të mbështesë fushatën e saj kjo do të ishte përgjigja edhe për zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë Gjurgjeviç.

Sipas tij, nëse serbët e Kosovës e humbin këtë rast, atëherë ata do të humbin mbështetjen si nga Beogradi, Prishtina, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Në funksion të bindjes së serbëve nga veriu për pjesëmarrje në procesin elektoral në Kosovë, të martën në Beograd pritet që presidenti serb Tomislav Nikoliç të takojë sërish përfaqësuesit e këtij komuniteti.

Ndërkaq, në fund të muajit, pritet që në Bruksel të mbahet një nga takimet vendimtare në nivel të kryeministrave midis Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me pjesëmarrjen e komunitetit serb nga komunat veriore në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Dështimi eventual, që të sigurohet një pjesëmarrje minimale e këtij komuniteti në këto zgjedhje do të vlerësohej më pas nga Brukseli edhe si dështim i zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit, me çka Serbia do të rrezikonte seriozisht marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024