Daka: Problemet e zgjedhjeve në Shqipëri të ngjashme me ato në Kosovë

/ATSH/.- Procesi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri shkoi mirë, me disa probleme të vogla që janë vërejtur, vlerësuan anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Kosova, të cilët kanë monitoruar nga afër këtë proces.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, tha për KosovaPress, se "problemet në procesin zgjedhor në Shqipëri ishin pothuajse të njëjta me ato që ndodhin edhe në Kosovë.
vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri e kanë bërë me ftesën e KQZ-së së Shqipërisë. Procesi ka ecur mirë, ndonëse ka pasur disa pengesa".
"Unë personalisht së bashku me një pjesë të anëtarëve të KQZ-së kemi qenë të përqendruar në Tiranë dhe në Vorë, ku kemi vëzhguar disa prej qendrave, kryesisht ka qenë mirë, procesi zgjedhor nuk ka pasur pengesa. Është vërejtur tension në Vorë, por kryesisht pa pengesë", tha Daka.
"Po në fakt zgjedhjet në Shqipëri janë të ngjashme me zgjedhjet në Kosovë, nuk kanë dallime shumë të mëdha, ndoshta sistemi ka pak ndryshime. Mirëpo në përgjithësi vërehet pjesëmarrje e ulët, që është karakteristike edhe për zgjedhjet në Kosovë. Vërehen të njëjtat probleme, ka grupe të ndryshme para qendrave të votimit, ka njerëz të grumbulluar të cilët nuk dihet pse qëndrojnë aty, ka pak tensione, ka gjuhë të vrazhdë mes subjekteve politike, e kështu", theksoi ajo.
Anëtari i KQZ-së Florian Dushi thekson se nga ajo që kanë parë në qendrat ku i kanë vëzhguar, nuk kanë parë ndonjë parregullsi që do ta prishte procesin, çka edhe ka bërë që procesi të zhvillohet normalisht.
"Mund të them se përgjithësisht ka qenë një proces, i cili është zhvilluar normalisht në këto qendra votimi. Edhe pse diçka që ndoshta mund të thuhet se ka qenë e përbashkët që mund të gjejmë edhe tek ne në Kosovë, një grumbull i njerëzve që pa ndonjë arsye pa ndonjë arsye qëndrojnin pranë qendrave të votimit", tha Dushi.
Dushi shpreson që edhe rezultatet do të jenë të pranuara nga subjektet politike që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje. 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Atë që ua merr deti duan ta rimarrin ndryshe' Dredha tregon luftën me bizneset në Vlorë për plazhet publike! Komenton dhe videon e Ramës