Mirlind Daku do të humbasë ndeshjen me Spanjën, e cila do të luhet nesër në Dusseldorf në orën 21:00, e vlefshme për raundin e tretë në Grupin B të Euro 2024.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se sulmuesi do dënohet nga UEFA me dy ndeshje pas fyerjeve ndaj maqedonasve pasi u mbyll sfida Kroaci 2-2 Shqipëri.

Daku mori megafonin e Tifozave Kuq e Zi pas mbarimit të lojës me Kroacinë, duke thënë kore raciste kundër maqedonasve. Sjellja e tij është kritikuar mjaft, ku fillimisht ka qenë Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut, që ka kërkuar nga UEFA të merren masa. Më pas ka qenë edhe klubi ku luan Daku në Rusi, Rubin Kazan që nuk e ka mirëpritur këtë sjellje të sulmuesit nga Gjilani.

Shqipëria barazoi në minutat e fundit me Kroacinë, 2-2 pas golit të mesfushorit Klaus Gjasula në të 95-ën. Nesër, kombëtarja luan në Dusseldorf fatet e kualifikimit nga grupet ndaj Spanjës në orën 21:00. Në rast kualifikimi Daku do të humbas edhe sfidën tjetër me eleminim direkt.

Ndërkohë që edhe FSHF më vonë konfirmoi lajmin. "Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka dalë me një vendim në lidhje me incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së EURO 2024, Shqipëri-Kroaci, ku ishte i përfshirë sulmuesi kuqezi Mirlind Daku.

Komisioni i UEFA-s ka vendosur të pezullojë për dy ndeshje futbollistin shqiptar, i cili nuk do të mund të luajë kështu në ndeshjen e radhës ndaj Spanjës, në program për t’u luajtur të hënën e 24 qershorit në Dusseldorf", thotë FSHF-ja

Pas pezullimit, për Dakun nuk ka ndryshuar asgjë dhe ka vijuar stërvitjen me Kombëtaren.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:33
VIDEO/ Mësoi pezullimin me dy ndeshje nga UEFA, Mirlind Daku stërvitet me Kombëtaren


Paçka se UEFA e dënoi me dy ndeshje për koret raciste kundër maqedonasve pas barazimit 2-2 të Shqipërisë me Kroacinë, Mirlind Daku nuk është ndalur dhe ka vijuar stërvitjen me Kombëtaren.

Para ndeshje me Spanjën ekipi është paraqitur në fushën e kampit stërvitor "Kaiserau" në Dortmund ku ka bërë edhe përgatitjet e fundit. Në video duket edhe Daku që paçka se nuk do jetë me ekipin, duket që s'e ka ndalur vrullin.