TIRANE - Dallku pas tetë viteve të kaluara te Vrolska është kapiteni i ekipit, pasi kapiteni i deritashëm pas 10 viteve është larguar. “Për kapiten të ekipit më është besuar mua përgjegjësia, sepse ish-kapiteni që ishte pas 10 viteve i dha fund karrierës. Kjo mendoj se është një përgjegjësi dhe privilegj për mua.

Kjo detyrë për fat të mirë në dy ndeshjet e para të kampionatit ka shkuar mirë, sepse rezultate pozitive nga dy ndeshjet, të cilat i kemi luajtur jashtë fushës dhe i kemi fituar katër pikë. Shpresoj të vazhdojmë me këto rezultate”, tha Dallku për sporti1.com.

Kombëtarja shqiptare është një temë e pashmangshme sa herë flitet me mbrojtësin. “Sa i përket ekipit kombëtar jemi në një rrugë të mbarë, ekipi ka rritje në lojë nga ndeshja në ndeshje dhe kjo na bën të besojmë deri në fund për ëndrrën që jemi të gjithë duke e ëndërruar”, tha 29 vjeçari.

Sipas tij dy ndeshjet e ardhshme të kuqezinjve janë vendimtare. “Dy ndeshjet e radhës kundër Sllovenisë dhe Islandës do të janë kyçe për ecurinë e ekipit tonë sepse mendoj që shumë pikëpyetje që janë do të sqarohen sa i përket grupit tonë”, tha Dallku. Pas besimit edhe si kapiten i ekipit të Ukrainës, Dallku krijon autoritet akoma më të fortë edhe në ekipin kombëtar, pasi në disa raste ishte në dyshim nga trajneri De Biasi, por ndeshjet e fundit bindën italianin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)