Pas më shumë se dy muajsh negociata politike, Danimarka ka një qeveri të re. Socialdemokratja Mette Frederiksen ka arritur marrëveshjen për formimin e kabinetit të ri dhe ka siguruar mandatin e tretë si kryeministre e vendit.

Frederiksen do të drejtojë një koalicion të përbërë nga katër parti, ku përfshihen Socialdemokratët, Partia Popullore Socialiste, “Venstre” dhe “Moderaterne”. Marrëveshja u finalizua rreth 10 javë pas zgjedhjeve parlamentare, pas një serie negociatash dhe konsultimesh mes forcave politike.

Mbrëmjen e së hënës, liderja socialdemokrate informoi mbretin Frederik X për marrëveshjen e arritur dhe gatishmërinë për të formuar qeverinë e re.

Megjithatë, koalicioni nuk gëzon shumicën absolute në parlament. Katër partitë kontrollojnë 82 nga 179 vendet në parlamentin danez, duke e detyruar qeverinë e re të kërkojë mbështetje nga parti të tjera për miratimin e ligjeve dhe reformave.

Ky është mandati i tretë për Frederiksen, e cila drejton Danimarkën që nga viti 2019. Pas zgjedhjeve të fundit, ajo kishte hasur vështirësi në sigurimin e një marrëveshjeje koalicioni, por negociatat përfunduan me krijimin e një aleance që bashkon forca nga e majta dhe qendra e djathtë.

Gjatë ditës së sotme pritet të prezantohen prioritetet e qeverisë së re, ndërsa kabineti i ministrave do të paraqitet zyrtarisht para mbretit Frederik X.