Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka treguar përgjatë një interviste për median kosovare "T7" se kryeministri Edi Rama i ka kërkuar gjatë darkës së organizuar më datë 4 shkurt në shtëpinë e presidentit Hashim Thaci, heqjen e taksës ndaj mallrave të importuara serbe e boshnjake.
Haradinaj u shpreh më tej se kjo nuk ka ndikuar në ndryshim qëndrimesh, pasi sipas tij mendimi i Ramës nuk mund të merret kurrsesi si kërkesë.
"Kryeministri Rama kërkesa s’mundet me pas, pasi ai qeveris me Shqipërinë, por mundet me pas qëndrim të vetin i cili është i respektueshëm. Kërkesa s’mundet me pas askush. Ai kishte mendimin e vetë që është mirë me u pezullu taksa”, tha Haradinaj në emisionin ‘Pressing’ në "T7".
Haradinaj megjithatë e cilësoi bisedën midis tyre dinjitoze, ndërsa bëri me dije se ideja e mbledhjes së liderëve shtetërorë të Kosovës për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe për opsionet e zgjidhjes finale, ka qenë pikërisht e kryeministrit Rama.